Rrëfehet Bilali: Teuta nuk rrezikon, kemi mungesa në fazën sulmuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2018 | 15:48

Rrëfehet Bilali: Teuta nuk rrezikon, kemi mungesa në fazën sulmuese

Amir Bilali është një nga afrimet më të zgjuara të Teutës në merkaton e janarit. 23- vjeçarit i kanë mjaftuar vetëm pak ditë për t’u përshtatur me ekipin, teksa në fushë duket një lider i vërtetë në mbrojtje duke këshilluar shokët e tij. Edhe pse i ri në moshë, ai merr përgjegjësi që ndoshta një 23-vjeçar do të hezitonte.

Bilali

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bilali flet për aventurën me bregdetarët dhe mënyrën sesi është pritur në Durrës. Ai nuk pranon ta përfshijë ekipin në vallen e mbijetesës, pasi, sipas tij, bregdetarët kanë shumë kualitet brenda.

Amir, sa i komprometon pozitat e Teutës starti i 2018-ës?

Kam arritur ditë më parë në Durrës dhe të gjithë më kanë pritur mirë, duke filluar nga shokët e ekipit, stafi dhe presidenca. Për momentin, mendoj se kemi një ekip shumë të mirë dhe nuk dua ta mendoj fare mbijetesën, pasi kemi një ekip shumë cilësor. Pas barazimit në Laç kemi edhe tetëmbëdhjetë ndeshje, ku do të japim më të mirën.

Sa i përket 2018-ës, me Lushnjën gabuam dhe nuk morëm rezultatin që prisnim, ndërsa me Korçën bëmë një ndeshje shumë të mirë. Luajtëm në Laç, që ka një fushë e vështirë, por treguam cilësitë tona. Mendoj, se me punën dhe sakrificën e stafit do te arrijmë aty ku ne synojmë.

Problem i Teutës gjatë këtij sezoni është mbrojtja. Me atë që ju keni arritur të kuptoni nga skuadra, çfarë mendon se i mungon?

Mendoj se së bashku duhet të mbrojmë dhe të sulmojmë. Në mbrojtje jemi të kompletuar, ndërsa në sulm kemi mungesa. Do ta kishim të nevojshme një pike referimi që t’i shfrytëzonte të gjitha rastet, pasi aty çalojmë. Në futboll nëse nuk i shfrytëzon rastet, domosdoshmërish do pësosh. Me stërvitjen e duhur dhe me urdhrin e trajnerit, edhe në mbrojtje do ta tregojmë veten .

Shumë pak ndeshje me Teutën, tri ndeshje zyrtare, megjithatë në fushë shohim një lojtar me personalitet. Duket sikur e njihni ekipin prej kohësh. Keni gjetur një ekip të ngrohtë apo ky është karakteri juaj?

Kam gjetur një ambient të ngrohtë e jam mirëpritur shumë mirë nga stafi e presidenca. Unë këtë karakter kam, dua të jap të mirën, jo vetëm për vete, por edhe për ekipin gjithashtu.

Si e shikoni ndeshjen e radhës me Luftëtarin, një kundërshtar që ka bërë mirë javët e fundit. A u druheni gjirokastritëve?

Jo vetëm Luftëtari, por, këtu në Shqipëri, çdo ekip nuk duhet të nënvlerësohet. Le të kujtojmë Luftëtarin, që mundi Skënderbeun 2-0. Janë ekipe cilësore që duhet t’i vlerësojmë ndeshje pas ndeshjeje. Edhe ne duhet të jemi optimistë, pasi kemi një ekip cilësor dhe në përballje me Luftëtarin do të japim më të mirën.

Trajneri Nica ka thënë se lojtarëve u mungon agresiviteti. Ai kërkon më shumë shpirt skuadre. Çfarë mendoni për këtë?

Po, patjetër që po. Është një trajner që kërkon shpirt luftarak dhe duhet të praktikojmë ato çfarë profesori kërkon, në mënyrë që të japim më të mirën. Mendoj se në ndeshjen e fundi do t’i vëmë në zbatim ato që na ka thënë profesori. Edhe në ndeshjen në Laç, në pjesën e parë, ishim dominues dhe gjithashtu në pjesën e dytë luajtëm një futboll shumë të mirë duke marrë parasysh sa e vështirë është fusha në Laç.

Ju shqetëson mbijetesa dhe a ka presion për këtë pozicionim në klasifikim?

Jo. Janë tetëmbëdhjetë ndeshje dhe nuk e mendojmë aspak mbijetesën. Personalisht, kam besim në vete dhe te djemtë e ekipit, pasi kemi vërtet lojtarë shumë cilësorë.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"