Riktheu Egnatian në Superiore pas 16 vitesh, Gugash Magani: Një javë gjykohesh si mbret, tjetën si dështak! Skuadra meriton notën 8

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2021 | 21:38

Riktheu Egnatian në Superiore pas 16 vitesh, Gugash Magani: Një javë gjykohesh si mbret, tjetën si dështak! Skuadra meriton notën 8

Egnatia rikthehet në Kategorinë Superiore, pas plot 16 vitesh. Skuadra rrogozhinase, arriti të siguronte ditën e sotme pas triumfit ndaj Besës, një biletë për në elitën e futbollit shqiptar. Për këtë sukses, meritë të madhe ka padyshim, edhe trajneri peqinas, Gugash Magani, i cili në prononcimin pas fitores ndaj kavajasve, u shpreh:

Egnatia

SUKSESI- Normalisht që jam i lumtur. Kur kurorëzohet një sezon i suksesshëm, me një skuadër që në fillime ishin skeptikë, por mendoj që është një diçka shumë pozitive, jam i kënaqur me të gjithë skuadrën, edhe pse sot nuk zhvilluam lojën më të mirë, skuadra kishte shumë trysni. Përballë kishim një skuadër që normalisht është jashtë objektivave.

Gjithesi mendoj që fitorja ishte e merituar, Besës me këtë rast do t’i uroj shumë suksese për sezonin tjetër. Ndihem shumë mirë, skuadra gjatë gjithë kohës, nga ndeshja e parë deri tani, ka kryesuar me meritë kampionatin. Asnjëherë nuk e kemi lëshuar vendin e parë, mendoj që e meritojmë të jemi në Superiore.

RIKTHIMI I EGNATIAS NË ELITË PAS 16 VITESH- U bë kaq kohë që unë drejtoj skuadrat e futbollit, pjesën më të madhe të trajningut e kam pasur në Superiore, me Besën disa sezone më parë, kam qenë në këto pozita, kemi dalë në ndeshje kualifikuese, kemi dalë në Superiore. Mundëm Kamzën në Korçë atë vit dhe u ngjitëm. Edhe ky vit mendoj që është i suksesshëm, për një skuadër si ne, që nuk na shikonin si pretendente.

Jam nga ata tipa trajnerësh, që në karakterin tim pranoj sfidat, nuk e kisha ulje në gradë që kam drejtuar Egnatian, jam krenar që kam drejtuar këtë skuadër. Këtu e ndjej veten mjaft mirë nga pjesa profesionale. Meritën kryesore e ka presidenti i klubit padiskutim. Brenda 1 viti ka përfunduar fusha e stërvitjes, vazhdojnë punimet me rritme të shpejta  për stadiumin. Është projekt ambicioz dhe afatgjatë.

E ARDHMJA- Është akoma herët të flasim për rinovimin, unë kam dëshirë të qëndroj tek Egnatia, gjithsesi do flasim. E vetmja gjë që unë jam shumë i hapur, është pjesa financiare, paga, unë e kam të dorës së dytë apo dorës së tretë atë gjë. Në fillim fare duhet të bëhet organika e skuadrës që të jetë shumë konkurruese në Superiore.

Më vjen mirë që do kthehem në Superiore mbas 3-4 vitesh. Do punojmë me këmbë në tokë. Do të punojmë hap pas hapi. Edhe organika të pasurohet. Mendojmë që pjesën më të madhe të lojtarëve ta mbajmë. Mos shkojmë për shëtitje për Superiore, siç ndodh me skuadrat e vogla. Të konkurrojmë me dinjitet dhe të synojmë 5-çen e parë.

5 NDALESA KËTË SEZON- Nuk ka pasur asnjëherë moment luhatje, kemi qenë gjithmonë të bashkuar. Një skuadër duket mirë, kur është keq. Pjesa e punës tonë ndryshon nga java në javë. Një javë gjykohesh si mbret, javës tjetër si dështak.

Jemi munduar që të ruajmë qetësinë. Futbolli është lojë kolektive, nëse nuk je të gjithë në një mendje, nuk shkohet aty ku dëshiron. Do të respektojmë kampionatin deri në fund. Do t’i luajmë me ndershmëri 2 ndeshjet e mbetura. Do të përgatitemi fortë për finalen me skuadrën kampione të Grupit A.

Për mua të 3 skuadrat që luftojnë për të dalë në Superiore, janë skuadra dinjitoze, kanë treguar futboll shumë të mirë. Kam drejtuar skuadra edhe më të mira se Egnatia, mendoj që për mua me disa luhatje të vogla, skuadra meriton notën 8”, u shpreh Magani për “RTSH SPORT”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"