Rikthehet Gilberto, braziliani firmos për Tiranën. Afrohen lojtarë që klubi u ka borxhe

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 18, 2014 | 12:23

Rikthehet Gilberto, braziliani firmos për Tiranën. Afrohen lojtarë që klubi u ka borxhe

Gilberto, braziliani i TiranesGilberto Fortunato rikthehet te Tirana dhe këtë herë për të qëndruar. Sulmuesi brazilian është zyrtarisht futbollist i bardhebluve, teksa një ditë më parë jo vetëm ka dalë në stërvitje, por edhe ka hedhur të zezën mbi të bardhë. Klubi i ofroi kontratë 6-mujore, por me opsion rinovimi, e kësisoj për pjesën e mbetur të këtij sezoni 26-vjeçari do të jetë sulmuesi më i ri i kryeqytetasve pas afrimit të Morinës. Faktikisht klubi bëri prapaktheu dhe i kërkoi lojtarit që të vishej bardheblu. Pas bisedave të zhvilluara dje, pasdite lojtari nënshkroi zyrtarisht edhe marrëveshjen. Pas një largimi dyditor, kur nuk gjetën gjuhën e përbashkët financiare, këtë herë duket nuk ka pasur probleme në këtë drejtim. Mësohet se futbollisti e ka ulur pazarin, duke e çuar në afro 4 mijë dollarë rrogën mujore. Kujtojmë që të mërkurën, konkretisht më datë 14 janar, ai u largua nga kryeqytetasit, pasi këta të fundit nuk pranuan kërkesat e tij ekonomike. Fortunato donte që të përfitonte 7 mijë dollarë në muaj, por tashmë, pas bisedimeve të vazhdueshme, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe në këtë drejtim. Ka qenë këmbëngulja e trajnerit Magani që e ka rikthyer lojtarin te Tirana. Një gjë të tillë e pranon edhe administratori Alimehmeti, që për “Panorama Sport” thotë: “Lojtari është rikthyer. Trajneri e ka në planet e tij, duke qenë se paraqitja e brazilianit në ditët e provës ka qenë pozitive. Akordi tashmë është arritur”. Kujtojmë se nga katër të huajt që erdhën për provë në fillim të këtij viti, Gilberto ishte i vetmi që e bindi trajnerin Gugash Magani. Sulmuesi mbërriti rreth dy javë më parë në kryeqytet dhe ishte braziliani i vetëm që i rezistoi provës, duke u vendosur tashmë nën urdhrat e Maganit. Lojtarët e tjerë u larguan shumë shpjet, ndërsa sulmuesi qëndroi më gjatë. Paraqitjet e tij si në stërvitje, ashtu edhe në miqësore, lanë shije të mirë jo vetëm te drejtuesit e stafi teknik, por dhe te tifozët, të cilët shpeshherë e kanë duartrokitur. Pritet që pas pak ditësh ai të prezantohet zyrtarisht para mediave.

Strategjia e merkatos, po afrohen lojtarët që klubi u ka borxhe
Tirana ka një strategji konkrete në merkato. Janë afruar dhe synohet që të afrohen lojtarë, të cilët jo më larg se sezonin e shkuar kanë qenë pjesë e bardhebluve. Por jo vetëm kaq, pasi të gjithë ata që klubi i ka në plane, kanë ende parà për të marrë nga kryeqytetasit. Ata i kanë fituar gjyqet tashmë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, ndonëse ende nuk i kanë marrë paratë e tyre. Ilion Lika dhe Mario Morina tashmë janë pjesë e bardhebluve. Vlen të kujtojmë që të parit klubi i detyrohet 50 milionë lekë të vjetër, ndërsa të dytit 9 milionë. Sakaq, kryeqytetasit po përpiqen që të afrojnë edhe Gilman Likën, i cili ka 5 rroga, edhe pse nuk ka hapur gjyq. Ai ka nënshkruar një kontratë që e detyron Tiranën që në korrik të 2014-ës t’i japë atij afro 50 milionë lekë. Tashmë drejtuesit kanë hyrë në bisedime edhe me një tjetër “ish”, pikërisht me Nertil Ferrajn, edhe ky lojtar që pasi ngriti padinë ndaj klubit në DHZK, fitoi gjyqin. Kësisoj, bardheblutë i detyrohen 15 milionë lekë të vjetër. Në total shuma shkon në 124 milionë lekë, por vetëm për këta të katërt.
ADELA MERKO





www.minuta90.com