Rikthehen dy titullarë, mesfushori Deliu: Tomori pret pikë shpëtimi në Burrel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 19:10

Rikthehen dy titullarë, mesfushori Deliu: Tomori pret pikë shpëtimi në Burrel

Tomori do të udhëtoj drejt Burrelit i plotë në përbërje. Kjo rrit shpresat për një rezultat pozitiv, edhe për faktin se janë rikthyer pas pezullimit dyshja Ndreaj dhe Deliu. Dy futbollistët janë titullar të padiskutueshëm në formacionin e beratasve dhe mungesa e tyre në ndeshjen e kaluar ndaj Elbasanit ndikoi në rendimentin e ekipit.

tomori stervitje

Me rikthimin e tyre në formacionin bazë, trajneri Ziu ka pasur arsye që të punojë më i qetë këtë ditë me ekipin. Ai shpreh besim se përgatitjet për transfertën e Burrelit do të finalizohen me pikë të shtunën. Mesfushori Arbër Deliu shprehet i kënaqur me rikthimin, ndërsa premton se do të japë më të mirën e tij për të ndihmuar skuadrën. Tomorit, në këto momente, i duhen më shumë se kurrë pikët, pasi mbijetesa është në rrezik.

MESFUSHORI DELIU– “E kam vuajtur mungesën në sfidën e javës së shkuar, sepse duhet ta ndihmoja skuadrën në këto momente, kur nevoja për pikë ka marrë një rëndësi të madhe. Sinqerisht, ende nuk e kam kuptuar atë ndëshkim me karton të kuq në ndeshjen me Besën, dy javë më parë. Mendoj se ishte i paravendosur për të favorizuar kundërshtarin.

Unë në asnjë rast nuk dëshiroj të dëmtoj interesat e skuadrës ku luaj. Tashmë jam i kënaqur me rikthimin dhe së bashku me Ndreaj dhe gjithë pjesën tjetër të skuadrës do të bëjmë më të mirën për të mos dalë pa pikë nga Burreli. Na duhet të mendojmë më shumë për pikët e nevojshme për shpëtimin.

Dy humbjet e fundit i kemi lënë pas dhe jemi tërësisht të fokusuar te ndeshja e Burrelit. Do të mobilizohemi maksimalisht dhe do të marrim atë që na duhet në këtë transfertë”, u shpreh për “Panorama Sport” mesfushori Arbër Deliu.

EDI SPAHIU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"