Revolucioni pas dështimit, te Dinamo kontratat bëhen… hall

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2022 | 14:27

Revolucioni pas dështimit, te Dinamo kontratat bëhen… hall

Në pritje të matematikës për të thënë fjalën e saj, kuptohet lehtë se te Dinamo në njëfarë mënyre ka nisur që tani puna për skuadrën që do të ndërtohet në përfaqësimin në Kategorinë e Parë.

DINAMO

Ndryshimet do të jenë të mëdha, pasi do të ketë revolucion në grupin e futbollistëve aktualë, siç ka lënë të kuptohet trajneri Rodolfo Vanoli, i konfirmuar për momentin nga klubi blu.

Aktualisht është e vështirë të veçosh ata që mund të qëndrojnë te Dinamo edhe një kategori më poshtë, sepse do të jenë vërtet pak.

Përfundimi i kampionatit do ta zbardhë këtë enigmë, por ajo që duket e sigurt ka të bëjë me faktin se revolucioni nuk do të jetë edhe aq i lehtë, sepse në mes janë kontratat.

KONTRATAT

Thuajse të gjithë futbollistët që Dinamo ka aktualisht në organikë, janë nën kontratë edhe për sezonin tjetër.

Dinamo ka një organikë shumë të fryrë, një numër të madh futbollistësh. Ata, kur u bashkuan me këtë skuadër verën e kaluar, kanë firmosur të gjithë kontrata shumëvjeçare dhe jo sezonale.

Dikujt i mbetet edhe një vit kontratë, dikujt edhe dy vite.

Në këto kushte, për të mbyllur bashkëpunimin mes palëve duhet një akord.

Klubit kryeqytetas nuk i leverdis në asnjë rast prishja e njëanshme e kontratës me futbollistët, sepse në këtë mënyrë do të shtoheshin edhe më shumë kostot financiare të këtij sezoni. Gjithçka varet nga bisedimet që do të kryhen pas pak javësh.

“FIERAKËT”

Në një situatë ndryshe nga të tjerat janë futbollistët që te Dinamo erdhën nga Apolonia.

Ishin katër “fierakët” e bluve, por me largimin e Mario Gjatës në janar, mbetën portieri Romeo Harizaj dhe dy sulmuesit anësorë, Redon Mihana dhe Rimal Haxhiu.

Ata erdhën te Dinamo në formë huazimi, ku sezonin e parë blutë kishin 20% të kartonit dhe Apolonia 80%.

Sipas marrëveshjes, me kalimin e viteve Dinamo përfiton në mënyrë progresive përqindjen e kartonit të lojtarëve, duke kaluar në 40% e kështu me radhë.

Por, gjasat janë që të ketë një kthim mbrapsht të këtyre lojtarëve, ndoshta jo të gjithë.

ATMOSFERA

Raporti mes drejtuesve të Dinamos dhe lojtarëve duket i ftohtë për momentin. Diçka logjike për vetë situatën e krijuar, ku blutë, nga një skuadër që do të pretendonte titullin kampion dhe së paku Europën, po shkon drejt Kategorisë së Parë, duke mos rezistuar më shumë se një sezon në elitë pas vuajtjes disavjeçare.

Një situatë kjo, që ndoshta e bën edhe pak më të vështirë ndarjen mes palëve në fund të kampionatit.

Kuptohet që një pjesë e lojtarëve edhe vetë duan të dalin të lirë, për të gjetur më pas një skuadër në Superiore, por në lojë janë kontratat e firmosura dhe ndoshta fjalën do ta kenë avokatët e tyre.

Fakt është që pagesat kanë qenë OK dhe lojtarët duan të përfitojnë nga ky aspekt.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"