“Refuzova 12 lojtarë”, flet Mërgjyshi: Më janë futur miq e prindër, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2021 | 11:39

“Refuzova 12 lojtarë”, flet Mërgjyshi: Më janë futur miq e prindër, por…

Besa nuk po bën dot afrime. Kanë marrë vetëm një 17-vjeçar nga Kosova, por qëllimi është që përforcimet të bëjnë diferencën. Derisa nuk kanë gjetur të duhurit, kavajasit kanë mbetur pezull. Gjithsesi, kandidatët nuk u kanë munguar. Gjatë muajve dhjetor e janar, të shumta kanë qenë vetofrimet apo rekomandimet. Është vetë trajneri Artan Mërgjyshi që tregon të pathënat e kësaj merkatoje, gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”. Ai saktëson se nuk do lojtarë për të plotësuar numrin, ndaj edhe ka refuzuar çdo emër që i është propozuar.

Mergjyshi Besa

“Nuk e mohoj se kanë qenë mbi 12 lojtarë që kanë kërkuar të bëhen pjesë e Besës. Mes tyre nga ata që fusin miq kolegë, prindër apo edhe duke ardhur vetë. Nuk kam pranuar asnjë ndërhyrje. Unë nuk drejtoj një klub amator, por Besën. Një ekip që ka emër, histori dhe objektiva të qartë. Nuk dua t’i fyej e të citoj emra, por ata vetë e dinë, që unë nuk kam pranuar ndërhyrje për të shtuar numrin e lojtarëve apo për të bërë ndere. Përgjegjësia mbi rezultatet bie mbi mua të parin, ndaj them se dua veten më shumë se nderet që mund të bëhen. Dikush është larguar me hatërmbetje, por ua kam bërë të qartë në sy se kërkoj futbollistë cilësorë, më të mirë se këta që kam ose të paktën të konkurrojnë me lojtarët aktualë”, thotë tiranasi i stolit verdhezi.

PLANI DHE MIQËSORJA

Në ekip nuk do të ketë asnjë prurje që nuk do të bindë trajnerin. “Vazhdoj të mbetem në pritje të lojtarëve cilësorë që mund të afrojë presidenti Bizhdili. Çdo ditë jam në kontakt me të dhe e kuptoj vështirësinë për të gjetur vërtet lojtarë, të cilët do na bënin punë. Deri në këto momente që flasim, jua them sinqerisht nuk di asnjë emër të cilin mund ta citoj. Por, di që presidenti ka kërkuar edhe në formë huazimi lojtarë cilësorë, megjithatë deri në këtë moment asnjë nuk ka mbërritur në ekip. Unë mbetem në pritje deri në fund se diçka mund të bëhet.

Nuk është se kemi nevoja të mëdha, por nuk kemi shumë alternativa konkurrente dhe gara është e gjatë. Mund të ketë dënime, dëmtime dhe mjafton një futbollist të mungojë për të na prishur shumë punë. E thashë, nuk kemi shumë alternativa në stol që të jenë të aftë të zëvendësojnë kokë për kokë titullarët. Nesër (sot) kam planifikuar një miqësore me Orikumin për të testuar edhe një herë grupin. Fundja, sot për sot, po i bëj llogaritë me futbollistët që kam në dispozicion. Do vazhdoj të besoj e pres të paktën 2-3 përforcime, që do të na bënin shumë punë, gjithnjë duke llogaritur objektivin që kemi”, e mbylli Mërgjyshi.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"