Realizoi një perlë ndaj Teutës, kapiteni Karakaçi: Po i vija rrotull, ky gol erdhi në momentin më të rëndësishëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2022 | 22:59

Realizoi një perlë ndaj Teutës, kapiteni Karakaçi: Po i vija rrotull, ky gol erdhi në momentin më të rëndësishëm

Kastrioti mori një fitore me përmbysje me shifrat 2-1 në ndeshjen e së shtunës me Teutën në Kamzë. Abaz Karakaçi ishte autor i një “rakete” nga distanca, duke barazuar përkohësisht sfidën, e cila më pas u fitua nga Kastrioti pas golit nga pika e bardhë nga ana e Morbek.

ABAZ KARAKACI

Mesfushori shkodran, pas ndeshjes dha një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku u shpreh se ishte i bindur se do të shënonte në këtë sfidë.

Sa e rëndësishme ishte fitorja ndaj Teutës?

Fitorja me Teutën ishte një triumf shumë i rëndësishëm për ekipin, sepse kishim 3-4 javë, që po zhvillonim lojëra të bukura dhe po i dominonim kundërshtarët në fushë, por që nuk mjafton kur nuk merr tri pikët. E kishim përgatitur shumë mirë këtë ndeshje që të merrnim tri pikët dhe ia dolëm.

Kur pësuat, e menduat se do ta kthenit rezultatin?

Të them të drejtën kur pësuam golin ne nuk u demoralizuam, por mundëm të ruajmë ekuilibrat në fushë që të kalonim atë moment të vështirë. Mundëm t’ia dilnim falë punës dhe besimit që kishte ekipi duke mos dalë në asnjë moment nga detyrat që na kishte dhënë trajneri.

Një gol shumë i bukur nga distanca, patët besim kur e ekzekutuat atë goditje, pasi distanca ishte e konsiderueshme?

Të them të drejtën kisha tri javë që i vija rrotull golit me disa gjuajtje nga larg. Falë Zotit goli erdhi në një moment shumë të rëndësishëm për ekipin, sepse në atë moment ndryshoi edhe rrjedha e lojës, sepse Teuta ishte e vendosur e gjitha në fushën e vet dhe ishte shumë e vështirë të hyjë në zonën e tyre. Unë kisha besim që do të shënoja dhe e parandjeva golin.

KARAKACI

U nisët ta gjuanit ju penalltinë, por më pas ia latë Morbekut. Përse ndryshuat mendje?

Trajneri ka caktuar që penalltitë t’i gjuaj unë, por dje e menduam që ta gjuajë Gabrieli (Morbek), sepse do të ishte në të mirë të ekipit që ai të shënojë për të fituar besim në vete dhe për të ndihmuar më pas në ndeshjet e tjera, sepse është sulmuesi kryesor i ekipit dhe i duhej që të zhbllokohej, pasi në shtatë javë kampionat, nuk kishte mundur të shënonte ende.

Deri ku mund të shkojë kjo skuadër, pasi nga ndeshja në ndeshje shohim një lojë që përmirësohet gradualisht?

Siç e kam thënë edhe më përpara, unë besoj shumë te kjo skuadër dhe e them me bindje se jemi një kockë e fortë për çdo kundërshtar dhe kam besim maksimal që do të bëjmë një kampionat të mirë dhe do të shohim vetëm për lart.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"