Ramadan Shehu, trajneri i ri i Besës

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 9, 2013 | 13:06

Ramadan Shehu, trajneri i ri i Besës

Ram ShehuMë në fund nuk ka më dilema, Ramadan Shehu është trajneri i ri i Besës. Pas bisedimesh të gjata, Shehu ka pranuar ofertën e presidentit Nexhat Bizhdili për të marrë drejtimin e pankinës për sezonin e ri futbollistik. Emri i Ramadan Shehut nuk është i panjohur në kampin kavajas, pasi ai e ka drejtuar edhe vite më parë Besën dhe njihet madje edhe si fans i saj. Numri një i presidencës pas arritjes së akordit me teknikun u shpreh: “Profesori i nderuar Ramadan Shehu do të startojë detyrën e re ditën e hënë. Vendosa t’i paraqes ofertën time dhe më vjen mirë që ai pranoi. Siç e dini, pata vendosur që faza përgatitore të nisë ditën e mërkurë, por për t’i dhënë kohë timonierit të ri, për thithjen e disa lojtarëve që na duhen në merkato në mënyrë që grupi të jetë i plotë, vendosa ta shtyj për të hënën e ardhshme”. E ndërsa pankina tani e ka një emër, asgjë nuk dihet për ndihmësin që do të preferojë profesor Shehu. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe Bledar Sinella, ish-trajner i U- 19. Sidoqoftë, gjithçka do të saktësohet në ditët në vijim, ku dhe do të zbardhen mjaft të panjohura, që nga ndihmësi i Shehut deri te blerjet e reja. Një gjë tashmë dihet, se blerjet do të konsistojnë kryesisht në vijën e sulmit.
Situata Grupi i futbollistëve aktualë që kanë kontratë me Besën por edhe 3 blerjet tashmë të zyrtarizuara si dy kosovarët Jashanica e Ramadani, si dhe mbrojtësi Nana do të zbresin në fushë të hënën e ardhshme nën drejtimin. Ndërkaq, sa i përket lëvizjeve të tjera që do të bëhen në skuadër, do të jetë vetë trajneri i ri, ai që do të piketojë lojtarët. Megjithatë, duhet pritur fillimi i seancave stërvitore, për të mësuar përbërjen e Besës së sezonit të ri.

Xhihani, i dyzuar mes politikës e futbollit
Pas një karriere të shkëlqyer në Shqipëri dhe Ukrainë, sezonin e kaluar sulmuesi Parid Xhihani iu bashkua Besës. Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare ai garoi nën siglën e LSI-së si kandidat i saj. Tashmë që sezoni është në prag nuk dihet saktësisht se çfarë do të preferojë Xhihani, megjithëse ai gëzon një formë mjaft të mirë dhe mund të vijojë paralel si politikën edhe futbollin. Gjithsesi, gjithçka do të zbardhet kur Besa të nisë stërvitjen, nëse Xhihani do t’i bashkohet apo jo skuadrës.
Feriz Ferizaj






www.minuta90.com