Raboshta, gati kontrata edhe një sezon te Luftëtari

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 20, 2012 | 12:18

Raboshta, gati kontrata edhe një sezon te Luftëtari

Luftëtari i sezonit që sapo u mbyll kishte në përbërje 5 lojtarë shkodranë, një prej të cilëve u largua në janar. Erind Selimaj, Jasmin Raboshta, Behar Ramadani, Alis Boci, si dhe Florian Pjetrani u pëlqyen nga stafi teknik i Luftëtarit dhe firmosën kontrata 1-vjeçare. Katër të parët u shpallën kampionë me klubin gjirokastrit, ndërsa Pjetrani luajti vetëm në fazën e parë. Tashmë që sezoni është mbyllur, lojtarët shkodranë janë duke shijuar pushimet. Jasmin Raboshta, “partneri” i sulmuesit Arlind Nora, diti të fitojë zemrat e stafit teknik, si dhe të sportdashësve gjirokastritë. Nga sa mësohet, drejtuesit e kanë në plan shkodranin edhe për sezonin e ri. Mirëpo, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Selimajn, Bocin dhe Ramadanin, të cilët pritet të rinovojnë kontratën. “Do të desha që sezoni i sivjetshëm të mos ishte i fundit për mua pranë Luftëtarit. Dëshira ime është të jem përsëri në Gjirokastër, pasi bashkë me shokët u ambientuam shumë mirë”, – deklaron Raboshta për “Panorama Sport”.
Tifozët – Edhe grupimi “Shqiponjat bluzinj” dëshirojnë që katër shkodranët të mbeten te Luftëtari. “Ne nuk bëjmë politikën e merkatos, pasi janë drejtuesit që e realizojnë atë, por si tifozë mendojmë se lojtarët shkodranë janë një garanci më shumë në formacionin bluzi”, – shprehen në “Facebook” ultrasit bluzinj.
Tomorr Shehu






www.minuta90.com