Qirko, në superformë: Te Bylisi përkrahen të rinjtë, gati të mposhtim edhe Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 23:48

Qirko, në superformë: Te Bylisi përkrahen të rinjtë, gati të mposhtim edhe Kastriotin

Panajot Qirko verën e shkuar la Tiranën, ku nuk ishte aktivizuar, dhe shkoi në Ballsh, duke pasur më shumë hapësira. Trajneri Veljko Dovedan e aktivizoi që në fillim, duke i besuar një vend titullari. Portieri ashtu si dhe skuadra kanë pasur një formë në rritje në pjesën e dytë të garës.

Qirko

Vetë Qirko në një prononcim për “Panorama Sport” e thotë troç se Bylisi ka gjetur edhe fatin këtë periudhë, përveçse është harmonizuar edhe më mirë grupi i lojtarëve, të cilët tashmë janë bërë “një” e si rrjedhojë po vijnë edhe frytet me lojë dhe rezultate.

“Të jem realist, fillimi për këdo është i vështirë, por unë isha i bindur se me ambientin që gjeta në Ballsh dhe përkrahjen do të kapja formën më të mirë, nisur edhe nga fakti se këtu shumë lojtarë të rinj kanë prioritet. Tashmë them me bindje se kam bërë zgjedhjen e duhur. Për sa i përket ekipit, jemi duke dhënë më të mirën dhe duke marrë maksimumin nga vetja jonë. Gara është e gjatë dhe tashmë është kulmi ku ne duhet që të vlerësojmë çdo ndeshje”, thotë ai.

Pano Qirko flet edhe për ndeshjen e radhës, shumë e rëndësishme për Bylisin, ndërsa shton: “Kastrioti është një kundërshtar që duhet vlerësuar dhe nga ana jonë do të jetë tamam si ndeshje radhe dhe ne duhet që të japim maksimumin. Përveçse të gjithë kemi bërë mirë, në këtë pjesë të dytë të garës, ne kemi pasur edhe fatin me vete dhe si rrjedhojë duhet që të vijojmë me këtë ritëm.

Qirko Pano

Ndeshjet dhe kundërshtarët nuk janë njësoj, kështu që ne në këtë periudhë duhet që të jemi sa më të përqendruar në çdo sfidë që kemi përpara dhe duke marrë tri pikët në çdo ndeshje mendoj se do të jemi brenda synimeve tona. Jam në rrugën e duhur, kisha kuptuar penalltitë se nga gjuheshin, por tashmë që nisa të pres 11-metërsha e them me bindje se jam duke kapur formën më optimale dhe duhet që të shoh përpara. Arbër Sino, por edhe kolegët e mi, Mali e Pançhevski, më bëjnë që të ndihem shumë mirë në Ballsh”, tha Pano Qirko, portieri titullar i Bylisit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"