PROBLEMATIKË HISTORIE / Franko Burraj i Botërorit dhe “pak” televizion…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 20:49

PROBLEMATIKË HISTORIE / Franko Burraj i Botërorit dhe “pak” televizion…

Nga BESNIK DIZDARI
E kam fjalën për Kampionatin Botëror të Atletikës së Lehtë në sallë (indoor), këtë të Gllasgout 2024. Paksa edhe për “heshtjen televizive” për Franko Burrajn e këtij Botërori.

Franko Burraj dhe Luiza Gega, sportistët më të mirë të kampionatit individual dimëror 2024

Franko Burraj dhe Luiza Gega, sportistët më të mirë të kampionatit individual dimëror 2024

Ndërkohë, shkova te televizioni publik i Malit të Zi. I dha thuajse të gjitha finalet e këtij kampionati përmes një stili modern, të pashlyeshëm. Dhe ndonëse e kisha ndjekur këtë kampionat në “RAI 2”, si shqiptar më erdhi shumë keq që të paktën RTSH publik heshti dhe nuk e transmetoi këtë kampionat botëror të sportit numër 1 apo të “mbretëreshës së sporteve” që dihet se është atletika e lehtë. Dhe të vjen po aq keq që në RTSH kësaj “mbretëreshe” ndodh që ia merr fronin motoçiklizmi apo automobilizmi me të cilët, sidomos Shqipëria, nuk ka asnjë lidhje.

Nuk po ndalem te televizione të tjerë, disa prej të cilëve, bie fjala, u është mbushur mendja se për Shqipërinë më rëndësi ka fakti se mund të transferohet Mbape – futbollist i një shteti tjetër – se sa, për shembull, ndeshja finale fort tërheqëse e Ligës Shqipëri-Kosovë në volejboll për femra në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës, thuajse të mbushur me shikues!

Kështu pra: në Kampionatin Botëror në sallë paska (!) marrë pjesë edhe një përfaqësues i Shqipërisë me emrin Franko Burraj – një nga atletët më të mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria në gjithë historinë e saj. Shqiptari Franko Burraj ishte i vetmi që mori pjesë në këtë kampionat, çka sidoqoftë do të thotë se ka marrë pjesë Shqipëria. E edhe për këtë, pjesëmarrja e Franko Burrajt është historike.

Franko Burraj u rendit i 11-ti në Botë në një nga garat më elitare të atletikës së lehtë, që janë garat e vrapimeve të shpejtësisë, ku së bashku me 100 e 200 metrat bën pjesë edhe vrapimi i 400 metrave. Arriti deri në gjysmëfinale. Dhe garat e shpejtësisë janë esenca e atletikës së lehtë. Kjo thjesht, sepse të gjitha garat e tjera atletike mbështeten nga lëvizjet e shpejta që ua mëkojnë pikërisht vrapimet e shpejtësisë.

Është hera e parë për Shqipërinë, që pas garave të shumëllojshme të fenomenit botëror Mirela Manjani në shtizë, të fenomenit tjetër Luiza Gega në vrapimet e mesme e të Izmir Smajlajt në kërcimin së gjati, që atletika shqiptare arrin një paraqitje të tillë, të nivelit të lartë ndërkombëtar. E, kësaj radhe është vrapimi i 400 metrave të Franko Burrajt.

Kështu, po shkoj te historia e pjesëmarrjes shqiptare të atletikës së lehtë në kampionatet botërore, që për herë të parë po e përmbledh prej arkivit tim, duke mposhtur “inatin” e kopjimit prej plagjiatorëve. E flak tej menjëherë këtë “inat”- në të vërtetë ai nuk ekziston – ngaqë dihet, se detyra parësore e gazetarisë është të jap informacion për publikun, për botën, për historinë. Doemos edhe të analizojë, të kritikojë, të vërtetojë, të përshkruajë e të tregojë përsëmbari.

Dhe a e merrni me mend se kush është i pari në këtë pjesëmarrje botërore të atletikës shqiptare?

Eshtë një nga atletet e arritjeve më të larta botërore me emrin Mirela Manjani. Kjo është atletja e cila ka përfaqësuar, përmes një rezultati fort të lartë, për herë parë Shqipërinë në një Kampionat Botëror, duke arritur të zëjë vendin e 12-të në botë në finalet e hudhjes së shtizës. Ka ndodhur më 1995 në Kampionatin Botëror të Goteborgut në Suedi. Kjo do të thotë se Mirela Manjani është njeriu i parë për Shqipërinë që arriti deri në finaliste e një Kampionati Botëror. Natyrisht nuk harrojmë pjesëmarrjen në këtë Botëror 1995 edhe të atletit tjetër shqiptar, kampionit e rekordmenit tonë të shquar Ilir Xhani, në 400 metra me pengesa (52.61) i renditur – 58-ti midis 69 pjesëmarrësve, çka kurrsesi nuk mund të nënvlerësohet.

Mirela Manjani do të mbeste e tillë, e vetme, për bukur 16 vjet, deri më 2011, kur shfaqet Luiza Gega. Ndërkaq, e kuptoni se e kemi fjalën për Mirela Manjanin e Shqipërisë, jo për Mirela Manjanin e Greqisë. Sepse mbasi e lindi Shqipëria, përmes arritjeve spektakolare edhe nën fanellën e saj, duke e bërë Nënkampione të Europës për juniorë më 1994, siç dihet atë “e rrëmbeu” Greqia. Tashmë, duke e bërë dy herë Kampione të Botës, 1 herë Kampione të Europës dhe dy herë Nënkampione Olimpike, përveçse rekordmene e Botës.

Faqja e parë e gazetës “Sporti”, 8 gusht 1995, kushtuar Mirela Manjanit - finalistes së parë shqiptare në prag të finales së shtizës të Kampionatit Botëror “GOTHENBURG 1995”.

Faqja e parë e gazetës “Sporti”, 8 gusht 1995, kushtuar Mirela Manjanit – finalistes së parë shqiptare në prag të finales së shtizës të Kampionatit Botëror “GOTHENBURG 1995”.

Në Shqipëri, përveç nesh, askush nuk e përmend Mirela Manjanin – legjendë e atletikës botërore – e krijuar po prej Shqipërisë. E patën quajtur tradhtare, madje. Ndërsa shkrimi im i asokohe titullonte se “tradhtinë e kemi midis nesh e jo te Mirela”.

Kur Mirela Manjani e drejtuar nga trajneri Petrit Kërtusha, arriti në finalet e shtizës të Kampionatit Botëror, duke u renditur e 12-ta në Botë në finalet e Gotebogut ’95 me shifrat 55.56 (në eliminatore kishte mbërritur deri në rezultatin befasues 62.40, renditur e 4-ta) ajo ishte vetëm 18-vjeçare, e vetmja juniore që konkurronte me të rriturat e Botës.

Duke e përimtuar paksa në një kah tjetër injorimin e sotëm televiziv për Franko Burrajn, po rikujtojmë se Manjani – mbas kthimit të saj në Shqipëri – ajo u prit në një ceremoni të posaçme nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha, ndërsa ne mbushëm faqet e para të gazetës me të.

Mandej na u desh të prisnim 16 vjet, deri më 2011, që Shqipëria të shkonte në një Kampionat Botëror. Do të fillonte me atë që pa mëdyshje mund ta quajmë epoka e Luiza Gegës. U rendit e 28-ta në 800 metra me kohën më se dinjitoze 2.03.21. Ishte 20 vjeçe.

Luiza Gega deri më sot ka marrë pjesë në 11 Kampionate Botërore, prej të cilave 5 janë në edicione në sallë dhe 6 në stadiume të hapura. Kulmi i saj është vendi i 5-të në Botë në finalen e 3000 metrave të Kampionatit Botëror 2022 në Eugene të SHBA-së me rezultatin e lartë 9.10.04. Nuk ndalet fenomeni Luiza Gega.

Dhe ja ku nën drejtimin e trajnerit Bruno Rrotani, mbërrin rekordmeni ynë Franko Burraj i 11-ti në Botë në një prej garave më sublime të atletikës së lehtë, që janë 400 metrat. Me përkimin e rrallë se gjithçka ndodh ashtu si më 1995 me Manjanin, po në Goteborg të Suedisë. Jemi thuajse 30 vjet më parë.

Dhe po guxoj të them se kësisoj, “stilistikisht” me 400 metrat e Burrajt, hapet një faqe e re në larminë e historisë të pjesëmarrjeve e të arritjeve të Shqipërisë “së vogël” në Kampionatet Botërore të atletikës së lehtë: shtizë, 800 metra, 1500 metra, 3000 metra, 3000 metra me pengesa, kërcim së gjati, 400 metra.

Pa e zgjatur më tej po e mbyll duke botuar renditjen “time” të 6 arritjeve më të mira të Shqipërisë në Kampionatet Botërore të atletikës së lehtë:

1. Luiza GEGA (2022) në 3000 m.: E 5-ta në Botë.
2. Luiza GEGA (2014) në 1500 m.: E 6-ta në Botë.
3. Luiza GEGA (2023) në 3000 m/p.: E 8-ta në Botë.
4. Luiza GEGA (2019) në 3000 m/p.: E 9-ta në Botë
5. Franko BURRAJ (2024) në 400 m.: I 11-ti në Botë
6. Mirela MANJANI (1995) në Shtizë: E 12-ta në Botë.

Nuk besoj se redaksia e “Panorama Sport” do t’i prekë sado pak këto përsëritje të mia “drejtshkrimore” që duken si monotone: “në Botë, në Botë” – plot 6 herë! Kam përsëritur kështu për t’iu kujtuar të paditurve apo mosvlerësuesve se këto 6 renditje më të mira të Shqipërisë janë renditje në Botë, pra; apo në rruzull e po deshe thuaji glob. Kësisoj, ndoshta tronditen sado pak për të mirë. Për të mos nënvlerësuar, siç ndodhi me atletin e mrekullueshëm Franko Burraj- shqiptari i parë i 11-ti në Botë në garën elitare të shpejtësisë që është ajo e 400 metrave, e sapo arritur në këtë vit 2024.

Vlerësojeni sportin shqiptar, jepini përparësi atij, sado modest qoftë ai. Ndonëse 6-shtja e mësipërme nuk ka punë me asnjë lloj modestie. Është Botërore!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"