Prifti bën “trajnerin”, do një blerje në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2014 | 12:20

Prifti bën “trajnerin”, do një blerje në sulm

Andi PriftiKapiteni i Apolonisë, Andi Prifti, në një bisedë për “Panorama Sport” ka treguar për përgatitjet gjatë këtyre ditëve, ndërsa vlerësoi dhe prezantimin e mirë të lojtarëve të rinj në ndeshjet miqësore të zhvilluara. “Po e shfrytëzojmë në maksimum këtë fazë përgatitore. Tashmë me grupin janë bashkuar edhe lojtarët që kanë qëndruar jashtë ose kanë kryer stërvitje të diferencuar për shkak dëmtimesh, si Nako e Hysenshahaj. Ndërkohë presim edhe ndonjë përforcim, ashtu siç është folur nga drejtuesit e klubit dhe të stafit teknik në repartin e sulmit, çka do të na përforconte akoma edhe më shumë për pjesën e dytë”. Ndërkaq, duke vijuar më tej, mbrojtësi e Prifti e vuri theksin edhe te lojtarët e rinj që po përfiton skuadra. “Filozofia e klubit dhe skuadrës sonë për të pasur sa më shumë të rinj cilësorë dhe të talentuar në skuadër, ka nisur të funksionojë më së miri. Trajneri Demiraj dhe stafi i tij kanë përzgjedhur dhe kanë afruar disa lojtarë të rinj dhe po i aktivizon në ndeshjet miqësore të kësaj periudhe. Ajo që mund të them në këtë drejtim, është fakti se skuadra po i fiton këta të rinj, si Bualli, Mahilaj, Al.Prifti, Rama, Fili e Troka. Në dy ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar, ata kanë bërë një paraqitje për t’u vlerësuar, madje dhe duke shënuar në portat kundërshtare, siç është rasti i Mahilajt dhe Filit në miqësoren e fundit”. Sa i përket synimit këtë sezon, Prifti pohon: “Synimi ynë është ruajtja e vendit të dytë, pasi ai të ngjit në Superiore. Por kjo nuk do të thotë që të mos pretendojmë për të marrë kryesimin dhe për të vazhduar njësoj deri në fund të kampionatit. Jemi një grup i mirë lojtarësh, që garantojmë për një ecuri edhe më të mirë e më shumë të suksesshme gjatë fazës së dytë”.
Mikel Mbriçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"