Prezantohen donatorët: Tirana pretendente. Firmos Peqini dhe Gerc, priten katër të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2013 | 12:32

Prezantohen donatorët: Tirana pretendente. Firmos Peqini dhe Gerc, priten katër të tjerë

Halili dhe Babasi prezantohen te TiranaDje ka marrë formë zyrtare afrimi i sponsorëve të Tiranës. Paradite është hedhur firma mbi kontratë prej tre biznesmenëve, që do të financojnë bardheblutë për këtë sezon. Ndriçim Babasi, Refik Halili dhe Lul Morina, pasi kanë marrë një projekt-plan për shpenzimet e klubit, kanë hedhur të zezën mbi të bardhë, duke u zyrtarizuar kështu si donatorët e rinj të bardhebluve. Që të tre së bashku, çdo muaj pritet që të japin 70-80 milionë lekë të vjetër. Sakaq, gjatë pasdites, ata janë prezantuar edhe para ekipit kryeqytetas dhe para mediave. Në orën 17:00 është bërë dhe një prezantim i dy prej tre donatorëve që janë afruar te Tirana. Në kompleksin sportiv “Skënder Halili” përpara gazetarëve janë shfaqur Ndriçim Babasi dhe ish-presidenti Refik Halili, të shoqëruar nga Krenar Alimehmeti. Mungonte vetëm Lul Morina, por sikundër shpjegoi administratori, kjo ndodhi për çështje personale. Pasi u takuan paraprakisht me stafin, të dy sponsorët e pranishëm u spostuan në fushë, ku ndodheshin të gjithë futbollistët bardheblu. Gjatë fjalës së tyre ata kanë dhënë garanci financiare, duke qetësuar kështu ekipin sa i përket këtij ngërçi që kanë vuajtur prej muajsh.
Takimi Fjalën e mori i pari Alimehmeti, i cili iu drejtua lojtarëve duke u thënë se tashmë nuk do të ketë më probleme dhe se zgjidhja ka ardhur një herë e mirë. Ai u prezantoi atyre donatorët, dy prej të cilëve ishin edhe të pranishëm. “Tashmë nuk do të ketë më probleme. Sikundër e pata thënë, zgjidhja nuk do të vononte. Këta janë dy sponsorët e rinj të ekipit nga tre, ndaj sa u përket financave do të jeni të qetë. Tashmë presim vetëm rezultate prej jush”, – tha fillimisht kreu i klubit. Më pas, fjalën e mori Halili, i cili ka qenë edhe ish-president i këtij ekipi. “Sikundër parashtroi edhe administratori, do të keni siguri dhe ne ju japim garanci në drejtimin financiar. Me rrogat nuk do të ketë më probleme, ne pranuam të afroheshim për dashamirësi ndaj këtij ekipi dhe për të lënë pas ato vuajte që keni kaluar. Drejtuesit po mundohen të bëjnë një ekip të mirë, tashmë s’na mbetet gjë tjetër veçse t’ju shohim në fushë”, – u shpreh ndër të tjera një prej sponsorëve. Në fund foli Babasi, i cili ishte në një linjë me Halilin, duke dhënë edhe një herë siguri te financat. “Jemi afruar për të bërë më të mirën te ky ekip. Ju do e vërtetoni edhe vetë që nuk do të keni më probleme dhe se do jeni një ekip i fortë, që do garojë me dinjitet këtë sezon”, – u tha Babasi futbollistëve bardheblu.

REFIK HALILI
“I lumtur për rikthimin, financat janë të sigurta”

Refik Halili është rikthyer te Tirana pas një shkëputjeje 2-vjeçare. Këtë herë si sponsor, bashkë me dy biznesmenë të tjerë. Gjatë deklaratës së dhënë dje para mediave, fill pas takimit që zhvilluan me futbollistët bardheblu, ai sqaroi arsyen e këtij rikthimi. “Si tironas dhe ish-president, nuk mund të qëndroja duarkryq në këtë moment të vështirë që po kalonte klubi. Erdha këtu për të shpëtuar Tiranën”, – ka deklaruar fillimisht Halili, i cili më tej thotë se financat do të jenë të sigurta dhe se klubi po bën të pamundurën për të ndërtuar një ekip dinjitoz. “Kthehem në këtë klub, ku kam kontribuar për shumë vite, me statusin e donatorit. Kemi siguruar financat e duhura për skuadrën. Për merkaton duhet të them se jemi vonë, por me paratë që janë në dispozicion lojtarët mund të gjenden, duke parë që ka disa pa kontrata. Ka dyndje lojtarësh në skuadër. Nesër besoj se administratori do të dalë përpara mediave për të prezantuar disa lojtarë që kanë dhe do firmosin për ne”, – ka përfunduar Refik Halili komentin e tij.

NDRICIM BABASI
“Paratë e garantuara, do ndërtojmë ekip pretendent”

I fundit që mori fjalën para mediave ishte Ndriçim Babasi. Ai justifikoi edhe mungesën e donatorit Morina, ndërsa tregoi se Tirana ndoshta nuk mund të luftojë për titull, por që do të jetë pretendente këtë sezon. Sakaq, sipas tij, edhe pse koha nuk premton, drejtuesit do të bëjnë merkato cilësore. “Ne jemi te Tirana për të garantuar financat për sezonin që pritet të fillojë. Promotori i këtij bashkimi tonë ka qenë kryetari i Bashkisë së Tiranës, të cilin gjej rastin për ta falënderuar. Do bëjmë të pamundurën për të ndërtuar një ekip dinjitoz, sikundër i ka hije këtij klubi të madh. Në lidhje me merkaton mendoj se kemi kryer lëvizje të mira, duke parë kohën e pakët që kemi në dispozicion. Deri në fundin e merkatos do të afrohen edhe lojtarë të tjerë cilësorë, për të ndërtuar kështu një Tiranë pretendente. Ndoshta është herët për të përmendur titullin, por të jeni të sigurt se skuadra këtë edicion që starton tashmë do të jetë në majat e renditjes”, – deklaroi donatori Babasi.

“Kemi buxhetin për merkaton dhe ecurinë”
Administratori Krenar Alimehmeti është shfaqur i kënaqur për zgjidhjen e gjetur te Tirana. Ai deklaron se tashmë klubi do të ketë një buxhet relativisht të mirë për të përballuar sezonin e ri futbollistitik. Gjithashtu tha se fondi i lëshuar për merkaton është i mjaftueshëm për të bërë afrimet cilësore. “Jemi në rrugën e duhur për të rikthyer Tiranën e vërtetë. Tashmë është zyrtare: ne kemi tre sponsorë, Halilin, Babasin dhe Morinën. Ky i fundit nuk ndodhet këtu për arsye personale. Në lidhje me merkaton duhet të them se, pavarësisht kohës që nuk premton, ne do të bëjmë maksimumin për të afruar lojtarët e duhur, duke kërkuar të ndërtojmë një skuadër dinjitoze për historinë që përfaqëson”, – tregoi kreu i klubit.

peqini-dhe-vilaFirmosin Peqini dhe Gerc, priten edhe katër të tjerë
Tirana po sfidon edhe kohën në merkato. Dje klubi ka mbyllur një tjetër marrëveshje, teksa ka nënshkruar një kontratë sezonale me Roland Peqinin. Mbrojtësi elbasanas, pasi ka mbyllur gjithçka me ekipin e Kukësit, dje ka firmosur me bardheblutë dhe gjatë pasdites ka dalë në stërvitje, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Nevil Dede. Por, nuk ka qenë i vetmi që e ka mbyllur kontratën, pasi edhe sulmuesi kroat Vedran Gerc ka firmosur një të tillë 1- vjeçare. Pasi nuk ishte dy ditë më parë në stërvitje, dje është rikthyer për të qenë zyrtarisht lojtar i bardhebluve.
Jovanoviç Dje, Milan Jovanoviç ka mbërritur në kryeqytet dhe menjëherë ka dalë në stërvitje. Lojtarit, me shuma gjasa, pritet që t’i ofrohet një kontratë, pasi ka mjaftuar vetëm seanca e djeshme që ai të linte një shije të mirë te stafi teknik. Pasi i është kërkuar që t’i bashkohet Tiranës, sulmuesi serb ka kthyer përgjigje pozitive dhe sikundër pritej, dje iu bashkua skuadrës. Lojtari 30-vjeçar, i cili së fundmi ka luajtur me Radniçki Nish, nga të dhënat duket mjaft cilësor, por edhe nga ajo që paraqitur dje në stërvitje. Ndonëse fillimisht stafi teknik kërkon që ta shohë dhe maksimumi sot pritet që të vendosë.
Të tjerët Katër futbollistë të tjerë kanë marrë ofertë zyrtare nga Tirana. Bëhet fjalë për Renato Malotën, Julian Brahjan, Endri Vrapin dhe Stivi Frashërin. Mirëpo, për ta pritet që gjithçka të përcaktohet sot. Tre të parët fillimisht po presin që të flasin me drejtuesit e klubeve përkatëse, pra Gjicin dhe Takajn, ndërsa i fundit mendohet se nuk do të ketë pengesa dhe mund të nënshkruajë pa u menduar gjatë. Nga burime të sigurta pranë klubit dhe vetë lojtarëve mësohet se ata, pasi kanë marrë ofertën prej drejtuesve bardheblu, u kanë thënë se do t’i persin edhe pak, pasi sot do të vendosin përfundimisht nëse do u bashkohen apo jo 24 herë kampionëve të vendit. E thënë ndryshe, klubi ka edhe 24 orë kohë për t’i konkretizuar këto marrëveshje, duke qenë se sot në mesnatë mbyllet edhe merkatoja.

Priten nigerianët e Bylisit
Salomon Izuçuku (mesfushori 24-vjeçar), Adebajo Adigun (mbrojtësi 22-vjeçar) dhe Olalekan Bola (mesfushori 21-vjeçar), pritet që të kalojnë sot zyrtarisht te bardheblutë. Dje, gjatë orëve të vona të pasdites, ka pasur një takim mes drejtuesve bardheblu dhe sponsorëve të rinj, me presidentin e ballshiotëve, Kapllanaj. Ky i fundit mësohet se ka kërkuar nga 5 mijë euro për kokë për lojtar, por ende është e qartë se si është gjetur gjuha e përbashkët. Klubet do vazhdojnë edhe sot bisedimet, për të mbyllur një marrëveshje të tillë, ku mbeten vetëm firmat. Sakaq, lojtarët po sot mendohet se do të dalin në stërvitje me fanellën bardheblu.

Kthehet Karabeci
Pas aventurës europiane me ekipin e Kukësit, Erando Karabeci është kthyer dje në shtëpi. Mesfushori 24-vjeçar është vënë edhe njëherë në urdhrat e trajnerit Nevil Dede, duke i dhënë këtij të fundit një siguri më shumë në mesin e fushës. Lojtari është stërvitur i diferencuar, bashkë me Peqinin, duke qenë se vetëm dy ditë më parë kishin ndeshjen me Trabzonsporin në Turqi.

Rinovon Sina
Dje, Elvis Sina ka rinovuar kontratën me Tiranën. Mbrojtësi veteran i bardhebluve, ndër të vetmit futbollist që kanë mbetur nga sezoni i kaluar, ka nënshkruar për një tjetër sezon me skuadrën kryeqytetase. Lojtari hyn kështu në sezonin e pestë radhazi me 24 herë kampionët, duke qenë që në vitin 2009 (kur u largua nga Dinamo) pjesë e Tiranës.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"