Tirana prezanton pesë blerjet e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2013 | 14:12

Tirana prezanton pesë blerjet e janarit

Tirana prezanton blerjet e janaritTirana konfirmon zyrtarisht pesë blerjet e reja të merkatos së janarit. Fatmir Hysenbelliu, Herbi Fortunat, Dario Xhuti, Eleandro Pema dhe Gilman Lika janë prezantuar dje në ambientet e klubit si përforcimet më të reja të 24 herë kampionëve të vendit. Në prani të administratorit Salih Tagani dhe trajnerit Alban Tafaji, në orën 10:00, ata janë prezantuar para mediave si afrimet e reja për fazën e dytë, si dhe kanë marrë fanellat e tyre me numrat përkatës. Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga mbyllja zyrtare e merkatos së dimrit, kryeqytetasit kanë dashur të formalizojnë këta lojtarë, duke bërë një prezantim madhështor, ashtu siç i ka hije një klubi të madh si Tirana.
Objektivat Gjithçka nisi me fjalën e numrit një të klubit, Tagani, i cili e konsideroi këtë merkato të bërë si një hap të madh për një të ardhme më të ndritur. Pas një faze të parë jo nga më të mirat, administratori ka vlerësuar merkaton e bërë në janar, ndërsa ka konfirmuar objektivin e kryeqytetasve: vendi i dytë në Superiore, që do të thotë edhe pjesëmarrje në Kupat e Europës. Megjithatë, duhet theksuar se edhe për titullin nuk do të dorëzohen, përkundrazi do luftojnë deri në fund, përpos shkëputjes prej 11 pikësh nga Skënderbeu. I së njëjtës linjë ka qenë edhe trajneri Tafaji, i cili rikonfirmon synimet e skuadrës së tij, por nuk nguron të thotë se këto afrime do të shërbejnë si një ndihmesë për të rritur forcën e skuadrës.
Afrimet Gilman Lika mund të quhet si i shtëpisë në fakt, sepse ai thjesht ka rinovuar. Mirëpo te Tirana atë e konsiderojnë si goditjen më të madhe, duke pasur parasysh ofertat e shumta që erdhën në adresë të shkodranit gjatë kësaj merkatoje. Vetë Lika sqaron se oferta e bardhebluve ishte më e mira, si dhe shpreson se qëndrimi do ta ndihmojë të fitojë titullin kampion. Në këtë prezantim spikat edhe 20-vjeçari Fatmir Hysenbelliu, i cili ndihet krenar që do të veshë bluzën e ekipit më të titulluar në vend. Ai do të mbajë fanellën me numrin 7. Ky futbollist është huazuar nga skuadra e Barit, pasi krerët e klubit italian nuk kanë dashur të heqin dorë nga shërbimet e të riut shqiptar duke e lënë të lirë përfundimisht. Ndërkohë mesfushori shpalos objektivat e tij personalë, të cilat shkojnë në sinkron me ato të skuadrës. “Jam krenar që bëhem pjesë e Tiranës, skuadrës më të titulluar në Shqipëri. Të gjithë së bashku le të sigurojmë vendin e dytë në kampionat, në mënyrë të sigurt, pastaj të eksplorojmë edhe mundësitë për fitimin e titullit”. Sa i përket Herbi Fortunat, ndonëse me një shqipe jo perfekte, por ama të kuptueshme, ai ka premtuar gola dhe shpreson që formën e tij të mirë ta vërë në shërbim të ekipit. “Premtoj gola për Tiranën. Falënderoj drejtuesit që më besuan dhe nënshkruan kontratën me mua”, – tha lojtari nga Haiti, i cili do të mbajë numrin 14. Kurse për Eleandro Pemën ky është një rikthim, duke qenë se e ka veshur këtë fanellë edhe më parë, e madje është shpallur kampion. “E vesh për herë të tretë fanellën bardheblu, peshën e së cilës e njohin të gjithë. Në dy herët e tjera jam shpallur kampion me, ndaj shpresoj të jem i suksesshëm edhe këtë herë”, – u shpreh sulmuesi, i cili ka marrë fanellën 21. Ndërsa numri 22 i është dhënë Dario Xhutit, të riut që ka ardhur nga Greqia. Mesfushori beson se do ta shfrytëzojë në maskimin këtë rast të artë që i është dhënë, për të luajtur me një ekip të madh si Tirana.

Deklaruan
FATMIR  HYSENBELLIU
“Krenar që jam pjesë e Tiranës”
Fatmir Hysenbelliu, gjatë fjalës së tij, shpalosi objektivat personalë që shkojnë në sinkron me ato të skuadrës: “Jam krenar që jam bërë pjesë e Tiranës, skuadrës më të titulluar në Shqipëri dhe që do të luaj në vendin tim. Në këtë eksperiencë të re nuk u jap prioritet objektivave personalë, por atyre të skuadrës. Vendi i dytë më duket i sigurt, por edhe për titullin s’do dorëzohemi. Pozicioni ku luaj? Mund të luaj si në të majtë, edhe në të djathtë, njësoj është. Këtë e vendos trajneri”.

GILMAN  LIKA
“Ndihem si në shtëpi, ndaj qëndrova”
Gilman Lika ka pranuar se oferta e Tiranës ishte më e mira dhe shpreson se qëndrimi me bardheblutë do ta ndihmojë të fitojë titullin kampion. “Arsyet pse zgjodha Tiranën janë të shumta, por mund të përmend më kryesoret: këtu ndihem si në shtëpinë time, kështu që vendosa të vazhdoj të luaj për këtë klub duke u qëndruar besnik edhe shokëve, drejtuesve e tifozëve, që më kanë respektuar”, – kështu u shpreh mesfushori shkodran, i cili pas dy muajve u dha fund dilemave për të ardhmen e tij.

HERBI  FORTUNAT
“Jam në formë, ju premtoj gola”
Sulmuesi Herbi Fortunat shprehet i lumtur për rikthimin në Shqipëri, ndërsa thekson se Besa për të është histori e vjetër. “Premtoj gola për Tiranën. Falënderoj drejtuesit që më besuan dhe nënshkruan kontratën me mua. Tirana është ekipi më i madh në Shqipëri dhe këtë e tregojnë trofetë që ka fituar. Sa i takon këtij sezoni, ndoshta vendi i parë është i vështirë për t’u arritur, po të kemi parasysh diferencën në pikë me Skënderbeun, por vendin e dytë nuk duhet ta diskutojmë”, – tha lojtari i ardhur nga Haiti.

ELEANDRO  PEMA
“Rikthehem për titullin e tretë”
Eleandro Pema firmos me Tiranën për të tretën herë gjatë karrierës së tij. Ai uron që edhe këtë sezon të fitojë titullin me bardheblutë, ashtu si në të shkuarën. “E vesh për herë të tretë këtë fanellë, peshën e së cilës e njohin të gjithë. Në dy herët e tjera jam shpallur kampion me Tiranën, ndaj shpresoj të jem i suksesshëm edhe këtë herë. Ndoshta titulli është paksa i vështirë për t’u fituar, por në vendin e dytë i kemi të gjitha mundësitë të renditemi në fund të kampionatit”, – deklaroi Pema.

DARIO XHUTI
“I lumtur për afrimin, nuk zhgënjej”
Ka ardhur për provë që në fund të vitit 2012. Me shumë punë dhe paraqitje të mirë, i bindi të gjithë dhe tashmë është zyrtarisht pjesë e Tiranës. Flasim për Dario Xhutin, mesfushorin shqiptar të ardhur nga Greqia. Ai është i lumtur për firmën dhe premton se nuk do të zhgënjejë me paraqitjen e tij. “Më falni për gjuhën jo perfekte, por jam rritur në Greqi. Jam i lumtur për këtë kalim te Tirana. Do e shfrytëzoj këtë rast për të dhënë maksimumin për ngjyrat e skuadrës sime të re”, – u shpreh ai.

TaganiTagani e rikonfirmon: Duam vendin e dytë
Salih Tagani, administratori i Tiranës, gjatë deklaratës së dhënë dje para mediave jo vetëm ka prezantuar blerjet e reja, por ka shpalosur edhe objektivat dhe ka prekur paksa problemet që ekzistojnë. “Skuadra është kompletuar. Mund të themi që me blindimin e Gilman Likës dhe afrimin e katër të rinjve të talentuar, jemi gati të nisim garën për fazën e dytë. Qëllimi është i qartë: duam të zhvillojmë një kampionat dinjitoz dhe të kapim vendin e dytë, që rrjedhimisht të çon në Kupat e Europës. Por, sigurisht, dua që ekipi të jetë gjithnjë vigjilent për kreun, pasi gjithçka mund të ndodhë dhe ne duhet të jemi aty për të luftuar. Kemi tre vjet që nuk e fitojmë kampionatin, ndaj sytë i kemi pikërisht aty. Meqenëse u prek edhe kjo temë, dua të them diçka rreth titujve të luftës. Pa diskutim i meritojmë, ndaj le të shpresojmë që të na jepen. Veç kësaj, numri i trofeve të fituar do të shkonte në 27, dhe kjo është shumë për ne”, – tha numri një i klubit. Në fund, administratori ka theksuar se skuadra e Tiranës nuk do të vuajë më nga problemet financiare, siç ndodhi gjatë vitit të kaluar: “Lojtarët janë paguar të gjithë, pavarësisht se ka pasur vonesa. Por nuk ka pasur kurrë probleme financiare, dhe kjo duhet theksuar”.

tafajTafaji: Janë vetëm 13 javë në lojë, dua maksimumin
“Kemi 13 ndeshje për të luajtur dhe do të kërkohet maksimumi. Besoj se faza e dytë do të jetë e suksesshme. Duam të ruajmë vendin e dytë dhe të luajmë mundësitë tona për trofeun”, – kështu e nisi deklaratën e tij trajneri i Tiranës. Ai i ka të qarta synimet e tij dhe të skuadrës për pjesën e mbetur të këtij sezoni, ndaj pret më të mirën prej të gjithëve. Ai ka folur edhe për afrimet, duke veçuar qëndrimin e Gilman Likës, të cilin e kërkonte me këmbëngulje. Por nuk ka harruar që t’u thurë elozhe edhe lojtarëve të tjerë si Hysenbelliu, Fortunat, Pema e Xhuti. “Jam më shumë se i lumtur që Lika është sërish pjesë e jona. Me të jemi më të sigurt, pasi ai është një element që kurdoherë bën diferencën në fushë. Pastaj dua të vlerësoj edhe lojtarët e ardhur në janar, të cilët janë tepër cilësor dhe do të na përforcojnë ndjeshëm. Ky ishte projekti ynë, të ruanim grupin dhe të afronim disa të tjerë për t’u kompletuar”, – tha më tej Tafaji. “Kur na kanë mbetur edhe pak ditë nga rifillimi i sezonit, kërkoj shumë përqendrim dhe maksimumin në fushë nga çdokush, duke filluar nga vetja e për të kaluar te futbollistët. Objektivi është vendi i dytë, por sigurisht që duhet të kemi një sy e një dorë te titulli”, – përfundoi trajneri i bardhebluve.

Konferencat, Tirana e kthen në traditë
Te Tirana është kthyer në një rit tashmë, të paktën vitet e fundit, që pas çdo blerjeje lojtarët prezantohen para mediave. Një gjë e tillë ndodhte që në kohën e Refik Halilit, por u pasua edhe kur drejtimin e mori bashkia e kryeqytetit. Madje, mund të kujtojmë që me emërimin e spanjollit Hulian Rubio, konferencat te bardheblutë ishin bërë tepër të zakonshme. Kështu ndodhi edhe dje, kur pesë lojtarët e afruar u prezantuan nga administratori Salih Tagani dhe trajneri Alban Tafaji, por njëherësh morën edhe fanellat e tyre me numrat përkatës.

Tirana-gooolMiqësorja, bardheblutë fitojnë me Besëlidhjen
TIRANA-BESËLIDHJA 1-0

GOLI: Fortunat 55′
TIRANA: I.Lika, Sina, Pisha, Dushku, Ahmataj, Muça, Muçollari G.Lika, Limani, Morina, Fortunat; (U aktivizuan: Sejdo, Hysenbelliu, Peposhi, Taku, Pashaj, Abilaliaj, Çota, Kalari, Pema, Xhuti), Trajner: A.Tafaj
BESËLIDHJA: Xhika, Peqini, Kepi, Miliç, Dibra, Mërdakoviç, Jakljeviç, Delibaçanin, Nedljakoviç, Aritonoviç; (U aktivizuan: Methasani, Lleshi, Malasi, R.Danaj). Trajner: S.Malko

Tirana ka gjetur rrugën e fitores për këtë vit kalendarik, duke mposhtur 1-0 Besëlidhjen. Miqësorja e djeshme u vulos nga Fortunat. Ka qenë një ndeshje e luftuar dhe me raste të pastra shënimi. Kryeqytetasit dominuan, por nuk mbetën pas as lezhjanët, të cilët me kundërsulme të shpejta rrezikonin vendësit.
Ndeshja – Takimi nisi i qetë dhe pa shumë episode. Rasti i parë i rrezikshëm ishte ai i minutës së 11-të, kur G.Lika u fut bukur në zonë, goditi, por topi përfundoi në shtyllë. Pak minuta më vonë ishte Morina që krosoi për shkodranin, i cili e dërgoi topin vetëm mbi traversë. Rasti më flagrant ishte ai i minutës së 33-të, kur Ahmataj i dha një top ideal Fortunatit, që gjuajti me kokë, por vetëm jashtë. Reagim i miqve në të 43-tën. Aritonoviç kroson për Mërdokoviç, ky i fundit me kokë, por vetëm mbi tra. Pjesa e parë u mbyll këtu, ndërsa e dyta nisi me ndryshime në formacion, ku spikati aktivizimi i tri blerjet të reja: Hysenbelliu, Pema dhe Xhuti. Rasti i parë për këtë fraksion erdhi në të 49- tën, kur Peposhi krosoi për Hysenbelliun, i cili i ndodhur pranë portës, goditi, por portieri largoi rrezikun në momentin e fundit. Bardheblutë nuk u dorëzuan, por nisën ta qarkullonin topin dendur. Një rast tjetër ideal ishte ai i minutës së 52-të, kur Tirana fitoi një goditje dënimi. G.Lika gjuajti në zonë për Dushkun, i cili tentoi, por mbrojtja lezhjane largoi rrezikun. Në të 55-tën tentativat e vazhdueshme të vendësve nisën të merrnin jetë, kur Limani goditi fuqishëm nga distanca, mirëpo grushtim i Xhikës, topi kthehet te Fortunat, që gjuajti dhe 1-0. Bardheblutë morën hov, duke krijuar për minuta me radhë. Në të 85- tën, Hysenbelliu mori bukur krahun, dribloi dy kundërshtarë, gjuajti fuqishëm, mirëpo portieri i Besëlidhjes ka larguar topin në dy kohë. Minutat e mbetura nuk sollën asnjë risi dhe ndeshja u mbyll me fitoren minimale të Tiranës.

“S’jemi top, por kemi pësuar rritje”
Alban Tafaji pas testit të djeshëm u shpreh: “Besëlidhja bëri një lojë të mirë dhe ishte e organizuar mjaft mirë. Megjithatë, mua më interesonte loja e skuadrës sime dhe aty u përqendrova më shumë. Nuk jemi në 100 % të formës sportive, por kishim edhe mungesa si K.Duro e Karabeci, pasi ishin të dëmtuar. Loja ishte më e mirë se ndeshjet e tjera, ndonëse na mungoi rrezikshmëria para portës kundërshtare. Gjithsesi, jam i kënaqur me fitoren e arritur, e cila do të na motivojë. Jemi në fund të një minifaze përgatitore dhe tani do të nisim të punojmë për kristalizimin e formacionit, që do të jetë i gatshëm në kampionat”.

Malko: Jemi në Rrugën e duhur
Një “ish” bardheblu, veçse këtë herë nuk u përball si futbollist, por si trajner. Saimir Malko, kreu i pankinës së Besëlidhjes, për takimin e djeshëm tha: “Kjo miqësore na shërbeu për të parë gjendjen tonë, ndryshe nga miqësoret e tjera, pasi të luash me Tiranën është gjithmonë privilegj dhe ke një motiv më shumë. Jam i kënaqur nga paraqitja e grupit, ndonëse duhej të bënim më tepër në fazën sulmuese. Them se jemi në rrugën e duhur dhe forcën e vërtetë do ta tregojmë në kampionat”.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"