Presioni i pikëve ndaj ekipit të shansit, Kukësi pret një sforco nga sulmi
Për Kukësin nuk ka asnjë objektiv tjetër veç fitores në përballjen e radhës me Laçin. Një kundërshtar që verilindorët e kanë mundur tri herë këtë sezon, sigurisht në një situatë tjetër më herët në krahasim me aktualen, ku pozicionohen të tetët në renditje (“play out”).

Kanë qenë blutë në formë më të mirë dhe që pretendonin Europën, ndërsa Laçi vinte në rrezik mbijetesën. Mirëpo, tani situata është krejt tjetër, me një Laç të rilindur me ardhjen e Stavri Nicës dhe që synon të mbajë fort vendin e katërt dhe Kukësin që nuk mendon më për një vend në Europë, por që të sigurojë sa më parë mbijetesën në Superiore.
PËRGATITJET – Për shkak të shtyrjes së javës së 33-të për shkak të zgjedhjeve vendore, Hallaçi ka pasur më shumë kohë në dispozicion që të bëjë lëvizjet e duhura në formacion dhe të shohë më konkretisht se cilat do të jenë manovrat që do të kryejë para kësaj sfide. Trajneri kërkon të mos i lërë asgjë rastësisë, teksa ka analizuar kurbinasit në detaje dhe do të mundohet të përsërisë tri sfidat e kaluara, ndonëse bëhet fjalë për një ekip që ka ndryshuar jo pak në mënyrën e lojës, si edhe në aspektin psikologjik.
Fillimisht Hallaçi kërkon nga skuadra e tij që të mos pësojë gol dhe të ketë një mbrojtje hermetike në këtë sfidë, duke mbajtur sa më shumë larg portës kundërshtarin. Më pas, skuadra duhet të mendojë daljen graduale në sulm për të shkuar edhe te goli. Për këtë arsye, tekniku është duke punuar edhe veçmas me fazën sulmuese që të jenë efikasë në mundësitë që i vijnë në këmbët e tyre.
GRUPI – Për momentin në kampin verilindor grupi i lojtarëve është i plotë dhe nuk ka raportime për futbollistë të dënuar apo dëmtuar, duke i dhënë mundësinë teknikut që të hedhë në fushë lojtarët më të mirë që ka në dispozicion aktualisht. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë lëvizje nga ndeshjet e kaluara dhe nëse katër “senatorët” që janë lënë në stol si: Tafas, Sh.Taipi, Basha dhe Ovusu do të hidhen në fushë nga minuta e parë apo do ta nisin sërish nga stoli.
Në fakt, edhe alternativat nuk janë të shumta në dispozicion, ku një pjesë e mirë e tyre janë futbollistë që vijnë nga moshat. Gjithsesi, edhe lëvizjet e ndeshjeve të fundit nuk kanë dhënë efekt, për aq kohë sa Kukësi nuk ka fituar. Klubi shpreson që të mërkurën në orën 15:00 në stadiumin “Kukës Arena” të ketë një mbështetje të madhe nga tifozëria, për vetë ndeshjen delikate që është, ku tri pikët bëhen detyrim në këtë moment.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













