Prapaskena e zhdukjes së kampionatit të Partizanit “kampion” 1948-‘49

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2013 | 13:40

Prapaskena e zhdukjes së kampionatit të Partizanit “kampion” 1948-‘49

DizdariNga BESNIK DIZDARI
NJË KAMPIONAT PARARENDËS! Kështu do ta quaja Kampionatin 1948-’49, sot e kësaj dite të panjohur ende, të papranuar, të zhdukur. Do të ndodhte pra që, për herë të parë në historinë e Kampionateve të Shqipërisë, gara të zhvillohej në kahun vjeshtë-pranverë. Për herë të parë në histori stili i kampionatit të Shqipërisë do të njehsohej me atë të vendeve të Europës Perëndimore. Të dukej se drejtuesit shqiptarë ishin thuajse në eufori, çka bie në sy nga mënyra se si këtë ndryshim e mbështet shtypi sportiv, çuditërisht pa kuptuar se çka po sendërtohej në prapaskenat e politikës. Ndonëse Partia nuk bëzan dhe duket se e miraton këtë risi, disi pa u shfaqur hapur.
Kampionati i parë shqiptar vjeshtë-pranverë i stinës befasuese 1948-’49, të cilin një herë e kam përcaktuar si “një kampionat i zhdukur”, sepse në të vërtetë ai do të zhdukej, do të shuhej mu prej kësaj Partie, e cila në ato ditë gushti 1948 nuk po bëzante. Ashtu si dhe kampionatet Kombëtare të Luftës, edhe atë do ta mbulonte pluhuri i harresës asisoj. Nuk e ka përmendur askush, ndonëse ai me ecurinë e tij pat qenë pararendës i kampionateve modernë të Shqipërisë, sipas stilit europiano- perëndimor. Për fat, një ditë të bukur në të hyrë të dimrit, atij do t’i thonte ndal mu ajo që nuk duhej t’i thoshte: politika e një diktature të pashembullt. Dhe ai do të shuhej pa mëshirë, pa mundur të mbrohet prej askujt. Dhe është zhdukur.
Mirëpo, ashtu si Kampionatet e Luftës edhe ai prapë mbetet një histori. Sepse historia nuk mund të shuhet kurrë, prej askujt. Aq më tepër që dihet se historia shkruhet dhe rishkruhet, siç po veprojmë edhe ne me këtë Dossier të “Panorama Sport”. E pra, çfarë ka ndodhur në atë vjeshtë 1948-’49 në futbollin e sportin shqiptar? Në pamje të jashtme thjesht ka nisur të luhet një Kampionat Kombëtar Futbolli, me javët e ditët e tij tërheqëse, me emocionet e tij, me ngjarjet e tij.
Është vërtet një tetëshe e elitës: Tirana, Shkodra, Partizani, Kavaja, Elbasani, Korça, Vlora, Durrësi, duke u njinjisuar (identifikuar) skuadrat me vetëm emrat e qyteteve, edhe kjo siç ishte në shumë vende të Europës Perëndimore. Shtypi ka ndërkaq, guximin të pohojë: “Ky kampionat zhvillohet për të parën herë në vendin tonë me një pjesëmarrje kaq të gjerë… Ky kampionat ka një rëndësi të madhe për nga zgjerimi i tij”. Mund ta marrësh si slogan natyrisht, edhe këtë deklaratë, por e vërteta ishte se Shqipëria kishte bërë një hap modern për futbollin, me versionin vjeshtë-pranverë, me dy kategori me numër të njëjtë skuadrash, me dëshirë të madhe për t’i përngja kontinentit të vjetër. Është vjeshtë e vitit 1948 dhe askush megjithatë nuk do të mund të parashikonte se ky kampionat- premierë do të zhdukej dhe për t’u kthyer në këtë stil Shqipërisë do t’i duheshin edhe nja 15-16 vjet më vonë.
Mbërrijmë kështu te 3 tetori 1948. Është java e parë e këtij kampionati – premierë. Partizani triumfon 3-0 ndaj Durrësit, Shkodra me vështirësi 1- 0 ndaj Kavajës, Tirana shpërthen 3-0 në Vlorë dhe Korça nuk përmbahet me Elbasanin: 6-1! Mandej, më 10 tetor, ndeshja Kavaja-Partizani mendohet si një mrekulli. Por ushtarakët janë përtej çdo parashikimi: 5-1! Gjithë kësaj Shkodra i kundërpërgjigjet me një 1-0 të çmueshëm në Durrës dhe Tirana me një 2-0 Korçës në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Mbas një jave, më 17 tetor, Partizani fluturon: 9-1 Elbasanit! Zihni Gjinali shënon 6 gola! Sidoqoftë, dueli nuk është ky, por Shkodra- Tirana në fushën e Qytetit të Veriut. Tri firma të mëdha ende nuk ishin rrëmbyer prej Ushtrisë: Bahri Kavaja, Loro Boriçi dhe Pal Mirashi. Tirana ka Giacomino Posellin e Bule Vathin, Isuf Pelingun e Xhavit Demnerin. Dhe krijojnë një kryevepër të kohës. E mundin 1-0 Shkodrën para tifozëve të saj autoritarë, falë golit të vetëm të Kuranit në të 60′. Është po kjo ditë, kur 17-vjeçari Skender Jareci i dhuron fitoren Durrësit në Korçë me dy gola spektakolarë të tij në minutat 9 dhe 31. Në Vlorë ndërkohë Kavaja zbukuron një 5-0 dërmues.
Dhe kur mbërrihet te Java e 4-t Partizani i dhuron 5-0 Korçës! Hamdi Bakalli është autor i 3 golave. Fantastike është megjithatë vetëm ajo çka shkruhet: “që kjo ndeshje (ndonëse e kampionatit), i kushtohet javës së miqësisë shqiptaro-sovjetike”! Sovjetizimi i jetës shqiptare po merrte vrull, ashtu si dhe ky kampionat i rrallë. Të dukej se po ndërroheshin epokat… Do të mbërrijmë ndërkohë te befasia më e madhe. Është ndeshja Shkodra-Vlora. Gjyqtari Niko Gjini ka rastin të miratojë golat e pambarim të “rezultatit më të thellë të një ndeshjeje të kampionatit të Shqipërisë të Pasçlirimit”, si përcaktohet me saktësi edhe gjuhësore të pagabueshme. Shkodra fiton 13-0! Sekuenca e golave është marramendëse; Kavaja, Kavaja, Boriçi, Boriçi, Mirashi, Laçja, Boriçi, Mirashi, Gavoçi, Boriçi, Kavaja, Laçja, Boriçi! Pjesa e parë 5-0. Loro Boriçi 5 gola, Bahri Kavaja 3, Pal Mirashi 2, Lutfi Laçja 2! Në librin tonë të parë, atë të Kampionateve të Shqipërisë të viteve ’30 është fiksuar rekordi i kampionateve shqiptare: Durrësi-Elbasani 16-0 më 24 prill 1932 për Kampionatin e 3-të kombëtar! Dovana, Pisha, Tartari, Sallata, Nushi, Moisiu… Por jemi në kampionatin tonë kombëtar të stilit europian, këtij 1948-’49.
Dhe drama që shfaqet në Kavajë: fiton Tirana 3-2. Ndërsa Durrësi 3-0 Elbasanit. Kur mbërrin 14 nëntori 1948 shfaqet me gjithë forcën e tij derbi i sapolindur Tirana- Partizani, kur të dy kryesojnë me nga 8 pikë, nga 4 ndeshje, nga 4 fitore. Gjyqtarit Ejup Laçi i duhet të përballojë një nga ndeshjet më të vështira para një auditori të ndezur prej 15.000 tifozësh. Dhe vetëm 0-0. Tirana spikat me Posellin, me Pelingun, Spahiun, Vathin, Demnerin e B.Boriçin, ndërsa Partizani me Bonatin, Dibrën, Fagun, Llambin, Parapanin, Gjinalin, Biçakun e Bakallin. Që të 8-të këta, titullarë të një Kombëtareje të rrallë të vitit të madh të saj 1948, siç e treguam në kapitullin e mëparshëm. Ndërkaq, Shkodra përgjigjet me kryeveprat e pandalim të saj. Në Elbasan ajo shkon në 6-0!
X X X
DATA FATALE DO TË JETË 21 NËNTORI 1948.
Është pra çasti kur, krejt papritmas, mbërrin ajo që do të mbetet në histori si java e ndërprerjes drastike. Ngjarjet e fushës së blertë kërkojnë të rezistojnë, megjithatë. Është fitorja 4-0 e Partizanit ndaj skuadrës së Vlorës. Ndërkohë që Durrësi i Skender Jarecit, Raq Manushit e Qemal Voglit papritmas mposht Tiranën e fortë. Ajo që dikur ishte quajtur Teuta, po rritej nga java në javë. Shënojnë Manushi e Goshi dhe vetëm në të 87′ shkurton Demneri. Në Elbasan baraspesha vë vulën: 2-2. Me kavajasit shfaqet në fushën e lojës Bet Vila, madje me një gol që e mban deri në të 65′ skuadrën e Kavajës në epërsi. Këtu do të marrë fund historia e këtij kampionati.
E vërteta është se një javë para përfundimit të asaj që quhet “faza e parë” është ardhja e skuadrës së Konfederatës së Punës së Rumanisë, ku ishin edhe lojtarë të Kombëtares së këtij vendi, që shkakton ndërprerjen. Gjithçka duket krejt normale. Janë dy ndeshje të forta me atë që emërtohet për shumë vite si skuadra e Qytetit të Tiranës. Fitojnë rumunët 2-0 dhe Qyteti ynë, i cili në të vërtetë gjithmonë ka përbërjen e Kombëtares, merr revansh në ndeshjen e kthimit të mbas dy ditëve me 2-1. Kampionati kishte fiksuar renditjen e tij që për ne është zhduket dhe, ashtu si renditjet e tri Kampionateve të Luftës, edhe ajo do të futet njëqind pash nën dhé! Renditja është kjo:
Renditja e Kampionatit Kombëtar 1948-49
* Periudha I 
Ekipi                 P.   F.  B.   H.    G.
1.Partizani     11   5    1    0     26-2
2.Tirana           9    4    1    1     10-4
3.Shkodra       8     4   0    1     21-1
4.Durrësi         7    3    1    2     8-7
5.Kavaja          3     1    1    3     10-11
6.Korça            2    1     0   3     7-10
7.Elbasani       2    0    2   4     5-27
8.Vlora             2    0    2   4     2-27

Vjen pushimi për të filluar Periudha (faza) e dytë andej kah marsi 1949. Kështu veprohet edhe me Kategorinë e Dytë, ku gjithashtu kryeson po Partizani, ai që emërtohej “Partizani II”! Ushtria nuk sundon vetëm mbrojtjen e vendit. E shihni që është diçka e rrallë, teksa kujtojmë të sotmen e Partizanit legjendar të futbollit shqiptar. Mbyllen dy kampionate kombëtare dhe dy Partizanë i kryesojnë ato, madje duhet të themi se i “fitojnë” ato. Sepse as njeri dhe as tjetri prej këtyre dy kampionateve nuk do të vazhdojnë më tej! Ky ishte një çast i ndritshëm i Skuadrës së Ushtrisë Popullore të asokohe me emrin Partizan, të cilin sot, Shekulli XXI e ka flakur tej në kategori të një shkalle më poshtë, natyrisht duke u cenuar jo pak historia e futbollit kombëtar në tanësi.
Ky pra ishte kampionati i parë shqiptar në stilin europian vjeshtë-pranverë. Një kampionat që ka Shkodër e Tiranë, por ka dhe Durrës. Për herë të parë në historinë e kampionateve të Shqipërisë ka katër rivalë. Për herë të parë në të gjitha skuadrat shpërthejnë futbollistë të rinj, ata që do të merrnin përsipër vitet ’50, të cilët natyrisht që do të rrëmbeheshin prej Partizan-Dinamos. Për herë të parë futbollistët shqiptarë njiheshin me futbollin e vjeshtës javë pas jave. Dihet se deri në këtë vit 1948, përherë Kampionatet e Shqipërisë kishin përfunduar e pakta deri në verë dhe për muaj të tërë, thuajse deri nga shkurti apo marsi i vitit të ardhshëm për gjashtë apo shtatë muaj vendi nuk kishte kampionat, por Kupën e Shqipërisë (e Republikës Popullore, siç quhej në politizim të kohës), si dhe kupa të tjera shumica politiko-sportive, ndeshje miqësore, ndeshje të ashtuquajtura “rrufe”, turne gazetash… Ndodhte kështu që, për herë të parë, dy kategori kampionatesh të ecnin krah për krah, me shkuarje e ardhje të rregullta, të njëkohshme, çka do të thoshte se 16 skuadra ishin thuajse në kushte të barabarta zhvillimi, organizimi, trajtimi.
Skuadra më e fortë ishte ky Partizani 1948, i cili kishte fituar titujt e viteve 1947 dhe 1948. E pa dyshim, me formimin e tij të shpejtë përmes urdhrave të politikës, e cila nuk do të mbetej mbrapa përvojës së vendeve të tjera komuniste me të cilët ishte lidhur aq ngushtë edhe në sport, sa vinte e forcohej. Nuk do të ndalnin rrëmbimet. Në Shkodër ende ishin Bahri Kavaja, Loro Boriçi, Pal Mirashi. Te Tirana ende ishin Rexhep Spahiu, Bule Vathi e të tjerë. Në Durrës Skënder Jareci, Qemal Vogli, Raq Manushi – yje të vërtetë futbolli të cilët tashma ishin në listat e rrëmbimeve, çka gjithmonë do të përligjej me “mobilizimin ushtarak”. Pavarësisht nga këto, ky Partizan 1948-1949 ishte pa dyshim skuadra me pikat më të forta, e cila për ate që propagandohej me të madhe në Shqipëri, “përvetësimin e sistemit WM”, ai kishte elementët më të përshtatshëm për ta interpretuar ate. Dibra dhe Fagu në mbrojtje, Llambi në një lloj mesfushorimbrojtës të sotëm, Parapani, Gjinali, Biçaku e Bakalli në sulm ishin një bashkim monolit, bazamenti i vetë Kombëtares së fortë të Shqipërisë 1948. Kishim të bënim me një Partizan tejet të fuqishëm, i cili nuk mund të mposhtej. Ai përbënte një 11-sh të sapokonsoliduar të një kombinimi të përsosur Shkodër – Tiranë. Çudia ishte se ai nuk kishte një trajner mirëfilli të pankinës. Kishte një trajnerlojtar, si të një miniature angleze: trajnerin-lojtar Sllave Llambi, i cili kishte mbërritur deri në Serie B të Italisë së Paraluftës, çka ai nuk guxonte ta përmendte dhe as t’ia përmendnin! Ndërkohë që kishte qenë edhe një prej atletëve më të mëdhenj të kërcimit së larti, duke mbërritur deri te vend i pestë në Kampionatin Ballkanik të Beogradit 1938. Nuk e kemi nderuar sot aq sa e meriton Sllave Llambin, i cili përbën një nga korifenjtë e sportit shqiptar.
Shqipëria kishte bërë një hap modern përpara me këte kampionat. Ndërkohë, pritej periudha (faza) e dytë e tij. Njoftohet se ai do të rifillonte në muajin mars të vitit 1949. Fillim pranvere. Diell, ajër i pastër. Po për fat të keq ajo do të ishte një pranverë e idhët. Do të inskenohej drama e shpejtë, e pamëshirshme, befasuese, pikërisht zhdukja e këtij kampionati… Kampionati 1948-1949 do të merrte fund qysh më 11 dhjetor 1948 kur flitet për herë të fundit për të. Ndërkohë që pritej marsi për rifillimin e fazës së dytë, asaj të pranverës, për gjithë këto muaj asnjë fjalë nuk do të dëgjohet për te. Sikur të mos kishte ekzistuar kurrë! Eshtë një heshtje shembullore, mënyra më e mirë për të zhdukur, shuar, hequr, harruar një ngjarje, një veprimtari, në rastin tonë një kampionat futbolli. Ashtu siç qe vepruar për Kampionatet Kombëtare të Luftës. Edhe për te asnjë përmendje, asnjë vendim i veçantë, asnjë përfolje, asnjë sqarim. Rrallë mund të gjendet në histori ky lloj qëndrimi bizantin për të shuar një kampionat futbolli, i cili e pakta për afro tre muaj kishte mbajtur ndezur një pasion të madh popullor, një spektakël të këndshëm të së dielës, një formim futbollistësh përmes një ecurie aq shpresëdhënëse. Jemi në janar 1949.
X X X
GRIGORI NIKOFOROF DHE BORIS APUHTIN janë dy emra që befas shfaqen në sportin shqiptar, për çudi tejet të fuqishëm. Janë dy specialistë – emisarë. I pari për atletikën e lehtë dhe i dyti për futbollin. Qysh nga ky çast, përvoja jugosllave merr fund, historia e saj madje varroset, dhe tash e mprapa, për rreth 14 vjet, përvoja sovjetike do të jetë sunduese e pakundërshtueshme edhe në sportin shqiptar.
Gjithçka nis me një propagandë të shfrenuar për dy specialistët sovjetikë, të cilët më fort se për atletikën e futbollin duket qartë që kishin ardhur si organizatorë të formave sovjetike në sportin shqiptar. Kanë të drejta të shumëfishta, bëjnë gjithçka duan sipas mendimit të tyre, nuk u ndërhyn askush, madje edhe eksperimentojnë. Në një enciklopedi sovjetike kam lexuar në curriculum të Boris Apuhtin-it si veprimtari kryesore të tij se “ka organizuar Kombëtaren e Shqipërisë”. Këtij teoriku, në të vërtetë të shquar të futbollit sovjetik, pa dyshim mjaft i aftë, nuk i duhet mohuar puna, po ashtu si dhe kolegut të tij Nikoforof. Dhe kur e merr me mend se si po rritej sporti i Bashkimit Sovjetik, frytet e para të të cilit do të korreshin sidomos në Olimpiadën e Helsinkit më 1952, i kupton më mirë vlerat e tyre. Sidoqoftë, më tepër se “organizim i atletikës e futbollit”, Nikoforof dhe Apuhtin ishin emisarë të atij ndryshimi të thellë, mbi të gjitha mbi politikën sportive shqiptare. Boris Apuhtin, futbollist i ri i Rusisë Cariste, mbas Revolucionit të Tetorit deri më 1941, kur është 35-vjeçar, është futbollist i skuadrës moskovite ZKS Moskva. Më pas trajner i shquar i Dinamos së Kievit, Lokomotivës së Moskës dhe Dinamos së Erevanit. Mjeshtër Sporti i Bashkimit Sovjetik, ai bëhet Trajner i Merituar i BRSSsë, pedagog i Institutit të Lartë të Fizkulturës së Moskës, autor i dy librave teorikë të spikatun për futbollin. Pak më i madh në moshë, Grigori Nikoforov, specialist i atletikës, përfaqësonte një figurë madhore në sportin sovjetik. Atlet, Mjeshtër i Merituar i Sportit, trajner i cili do të mbërrijë deri te Kampioni Olimpik dhe Rekordmeni i Botës në 5000 e 10.000 metra, legjendari Piotr Bolotnikov. Dhe në Shqipëri ata priten si udhëheqës. Shtypi u kushton madje një editorial të posaçëm, në të cilën do të lexosh deri dhe këto radhë panegjeriku të vërtetë: “…Trajnerët sovjetikë, bij të Partisë Bolshevike, me eksperiencën e tyre të gjatë nga organizimi i fizkulturës në vendin e Socializmit, do të na ndihmojnë për gjithë zhvillimin e fizkulturës, për organizmin e mirë e të drejtë të saj”. Janë rreshta që flasin qartë, se nuk kishim të bënim thjesht me trajnerë, por me emisarë, të cilët do të udhëhiqnin kursin e ri politik të sportit shqiptar. Plenumit po i ndiheshin hapat paralajmërues…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"