Portieri i Skënderbeut/ Hero ndaj Partizanit, Alia: Pikë me vlerë, të ruajmë ritmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2023 | 17:58

Portieri i Skënderbeut/ Hero ndaj Partizanit, Alia: Pikë me vlerë, të ruajmë ritmin

Skënderbeu doli me një pikë nga ndeshja e kësaj jave në transfertë kundër Partizanit, pikë, që për korçarët është e rëndësishme, pasi luanin përballë kampionëve në fuqi dhe për më tepër në “Arenën e Demave”. Sigurisht që nëse kjo pikë do të kishte një emër, Marko Alia do të ishte kandidati kryesor, pasi paraqitja fantastike e tij ka mbajtur Skënderbeun në lojë deri në fund.

aliaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri i korçarëve flet për vështirësinë e këtij takimi dhe mbi të gjitha për emocionet e asaj paraqitjeje, që me siguri renditet në ndër më të mirat e sezonit.

Marko, një pikë ndaj Partizanit. Jeni i kënaqur?

E mira do të ishte që të kishim dalë me pikët maksimale. Skënderbeu hyn në çdo ndeshje për të fituar dhe sigurisht që barazimi nuk është rezultati i pritur nga të gjithë ne. Na vjen keq që nuk ishim të përqendruar maksimalisht në atë moment të golit të barazimit. Raste kishin të dyja ekipet dhe ndeshja mund të shkonte nga të dyja anët. Por mendoj se një pikë e marrë në ndeshje transferte me Partizanin, është një rezultat i mirë.

Mendoni se mund ta kishit menaxhuar më mirë avantazhin?

Të them të drejtën, nga mënyra se si u ndëshkuam me fillimin e pjesës së dytë, na vjen shumë keq. Por e rëndësishme është që ekipi u tregua i përqendruar, pasi një gol kaq i shpejtë mund të të ndikojë në pjesën e mbetur të takimit. Por ne zhvilluam ndeshjen tonë dhe patëm edhe raste t’i ndëshkonim në fund. Megjithatë, jam sërish i mendimit që pika është e rëndësishme, pavarësisht se ishim në avantazh të merituar në pjesën e parë.

Jeni cilësuar si shpëtimtari i Skënderbeut. Çfarë ju kanë thënë shokët?

Shokët më kanë përgëzuar normalisht, pasi ishim në një ndeshje të vështirë dhe paraqitja nga të gjithë duhet të ishte maksimale. Por unë jam me këmbë në tokë, nuk rrëmbehem, pasi në fund të fundit kam bërë vetëm punën time. Jam këtu në një ekip të madh dhe që në momentin kur kam mbërritur në Korçë, kam menduar të jap vetëm maksimumin, pa menduar asgjë se çfarë do të thuhet pas ndeshjes. Po punoj çdo ditë me kokën poshtë dhe i përqendruar për të arritur objektivat dhe për të ndihmuar sa më shumë ekipin.

Po lojtarët e Partizanit, ju kanë lënë ndonjë koment pas ndeshjes?

Lojtarët jo, por kam dëgjuar trajnerin e Partizanit që ka folur mirë për mua. Më vjen mirë që dëgjoj elozhe për paraqitjen time dhe e falënderoj për fjalët që ka thënë në drejtimin tim.

Vendi i katërt në klasifikim. Mund të arrijë Skënderbeu në 4-she?

Mendoj se kemi cilësinë e duhur për të shkuar në “Final 4”. Por kampionati është i vështirë, nuk është e thjeshtë të mbash një pozicion në këtë kampionat, pasi një humbje të zbret poshtë në renditje dhe një fitore të ngjit në vendet e finaleve. Prandaj nuk duhet të rrëmbehemi nga klasifikimi momental, por të shohim ndeshje pas ndeshjeje. Nuk ka përfunduar as gjysma e sezonit dhe normalisht kemi shumë rrugë për të bërë. Do të mundohemi të jemi në maksimum për ndeshjen e radhës dhe gjithmonë të fokusuar.

Si do ta vlerësonit paraqitjen tuaj deri në këtë pikë të kampionatit?

Mendoj se deri tani kampionati është pozitiv, por ende nuk kam treguar cilësitë e mia në nivelin maksimal. Jam një tip që kërkoj çdo ditë e më shumë nga vetja dhe dua të vijoj të rritem. Kam fatin që po punoj në një klub profesional si Skënderbeu dhe kjo më ndihmon që të rritem.

LLAZI SARO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"