Plas te Laçi, Vucaj sherr me brazilianin Xhunior

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2017 | 13:50

Plas te Laçi, Vucaj sherr me brazilianin Xhunior

Pavarësisht momentit jo të mirë që Laçi po kalon në kampionat, pasi ndodhet në zonën e ftohtë, duket se në skuadër ka edhe probleme të brendshme. Trajneri Sinella kishte planifikuar dje një seancë normale stërvitore për ndeshjen e radhës që ekipi do të luajë ndaj Korabit në shtëpi.

Laci-Kastrioti 1-0, Vucaj ne dyluftim me Sefen

Gjithçka po shkonte më së miri kur në mesin e saj ka pasur një përplasje fizike mes kapitenit Erjon Vucaj dhe brazilianit Serxho Zhunior. Askush nuk e ka mësuar qartë arsyen e këtij konfrontimi mes dy lojtarëve, por është dashur ndërhyrja e shokëve të skuadrës dhe trajnerit Sinella që situata të qetësohej.

Pas këtij momenti, trajneri ka vendosur ta largojë Serxhon nga stërvitja për ta vazhduar atë normalisht me pjesën tjetër të ekipit. Ky i fundit nuk ka pritur përfundimin e procesit për t’u sqaruar me shokun e skuadrës dhe stafin teknik, por është larguar menjëherë.

Nuk dihet nëse klubi kurbinas do të marrë masë ndëshkimore për lojtarët e përfshirë apo për Xhuniorin që u largua në atë mënyrë, apo do të zgjidhë gjithçka brenda familjes. Kartonin e futbollistit brazilian e ka në pronësi skuadra e Skënderbeut, që ka vendosur ta huazojë te kurbinasit, duke qenë se ai nuk ishte në planet e stafit teknik.

Gjithsesi ngjarja e djeshme është e rëndë dhe vjen në një moment delikat, kur pritet të nisë faza e katërt dhe ekipi është në fundin e tabelës së klasifikimit. Por, ky episod nuk pritet të ndikojë në paraqitjen e kurbinasve në takimin me Korabin, ku objektivi i vetëm do të mbetet fitorja.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"