Sherr në miqësoren e luajtur në kryeqytet, Tirana dhe Besa e mbyllin mes grushteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2013 | 12:39

Sherr në miqësoren e luajtur në kryeqytet, Tirana dhe Besa e mbyllin mes grushteve

tiranaTIRANA-BESA  2-1
GOLAT: Taku 70′ (11 m), 80’/ Cikalleshi 35′
TIRANA: Çaka, Llënga, Hoxhallari, Marku, Muça, Taku, Hysenbelliu, Peposhi, Sorra, Lapardhaja, Hoxha; Trajner: N.Dede
U aktivizuan: Sejdo, Kalari, Çaço, Sina.
BESA: Bejte, Fejzullahu, Hoxha, Ramadani, Batha, Poçi, Hasa, Mustafa, Berisha, Cikalleshi, Sefa; Trajner: R.Shehu
U aktivizuan: Stafa, Dita, Bajaziti, Da Silva, Çelhaka, Perja, Duka;

Miqësorja Tirana- Besa mbyllet me sherr dhe grushte. Ishte kjo panorama e takimit, të luajtur dje në orën 18:00 në “Selman Stërmasi”, që u mbyll 5 minuta para fundit, për shkak të konfrontimeve mes lojtarëve në fushë dhe mësymjes së tifozëve. Gjithçka nisi në të 83-ën minutë, teksa një dyluftim mes Hoxhallarit dhe Ditës bëri që ky i fundit t’i vërsulej mbrojtësit të Tiranës, me pretendimin se futbollisti i ndërhyri keq. Karton të kuq për të dy, por askush nuk del nga fusha, pasi në atë çast nis një tjetër sherr, këtë herë mes Bathës dhe Sinës. Disa fjalë më shumë të futbollistit kavajas e acaruan mbrojtësin e bardhebluve dhe më pas filluan të debatonin ashpër. Ndërkohë gjyqtari në të 85- ën minutë e ndërpreu lojën, duke e mbyllur këtë miqësore. Por, sherri sapo kishte filluar, pasi në fushë u futën tifozët kavajas, të cilët u kapën me lojtarët bardheblu dhe konkretisht me Sinën. Për pak minuta një pjesë e mirë e tifozëve dhe lojtarëve, si të Tiranës ashtu të Besës, rendën jashtë stadiumit për të evituar ndonjë sherr më masiv. Por, pas “arratisë” së njërit prej tifozëve që u konfliktua me Sinën, situata u qetësua dhe ekipet u shpërndanë.
Ndeshja – Tirana fitoi 2-1 ndaj Besës, falë dopietës së realizuar nga Afrim Taku. Edhe pse ishin kavajasit që kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë me anë të Cikalleshit, në të dytën bardheblutë kthyen gjithçka. Ndeshja nisi qetë dhe me një Besë më aktive në fushë. Loja ishte e rrjedhshme prej kavajasve, të cilët kontrolluan topin dhe arritën që ta vinin nën presion ekipin vendës. Trajneri Shehu kishte aktivizuar pjesën më të madhe të titullarëve në fraksionin e parë, ndërsa te Tirana Dede ishte mundur që të alternonte eksperiencën me të rinjtë. Në minutën e 35-të kavajasit gjejnë golin e avantazhit. Ishte pikërisht Cikalleshi, lojtar që Tirana kërkon ta marrë për sezonin e ri, që shënoi. Sulmuesi, duke përfituar nga neglizhenca e portierit, arriti që ta kontrollonte topin dhe ta dërgonte në rrjetë dhe 0-1. Ky fraksion u mbyll këtu. Sakaq, i dyti nisi me shumë lëvizje në 11-shet respektive. Të dy trajnerët aktivizuan të tjerë lojtarë, duke u dhënë kështu mundësi. Bardheblutë e nisën po njësoj, por me kalimin e minutave filluan ta rimerrnin veten. Aksione pa fund dhe raste të shpërdoruara për minuta të tëra, prej Kalarit dhe Peposhit, por për minuta të tëra nuk arritën të barazonin dot. Megjithatë, në të 70-ën minutë, një ndërhyrje në zonë ndaj Kalarit prej mbrojtjes mike, i jep penallti Tiranës. Ekzekuton Taku dhe nuk gabon, 1-1. Vetëm tre minuta më vonë Taku shënon sërish, pas një kombinimi me Çaçon dhe 2-1. Ndeshja mbyllet këtu, pas ndërprerjes që i bëri gjyqtari.

HysenbelliuBari i kërkoi të qëndronte, Hysenbelliu refuzoi ofertën
Klubi i Barit, edhe pse duhet të kishte sjellë me kohë lejen e kalimit për Fatmir Hysenbelliun, deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë. Gjithçka ka ngecur, por mësohet se shumë shpejt do të zhbllokohet zyrtarisht transferimi i këtij lojtari te kryeqytetasit. Vetëm pasi të mbyllet edhe kjo procedurë, mesfushori i talentuar do të ketë mundësinë që të luajë si i huazuar te Tirana edhe për gjashtë muajt e ardhshëm, sipas marrëveshjes së arritur mes dy klubeve dy javë më parë. E gjithë kjo vonesë ka ardhur prej barezëve dhe drejtuesve të saj, të cilët kërkonin që ta kishin në sezonin e ardhshëm këtë lojtar në organikë. Por, vetë Hysenbelliu nuk e ka pranuar këtë ofertë që i është bërë nga skuadra italiane, pa pasur fillimisht garanci për aktivizimin në 50 për qind të ndeshjeve. Kështu që ka vendosur që të shtyjë edhe për 6 muajt e ardhshëm ose edhe për një vit rinovimin e tij me klubin bardheblu. Sikundër e ka shprehur edhe më parë, ai do që të jetë sa më pranë skuadrës së tij, nisur edhe nga problemet e fundit që klubi është duke kaluar. Vetëm pas këtij edicioni kalendarik, ai do të nisë shqyrtimin e ofertave që do t’i vijnë nga jashtë vendit. Por, një gjë e tillë do të ndodhë vetëm pasi të jetë mbyllur edhe kampionati që është në prag.

Takim në klub, G.Lika pret zgjidhjen e kontratës
Gilman Lika është takuar dje me administratorin Krenar Alimehmeti. Nga sa mësohet, mesfushori i ka kërkuar kreut më të lartë të klubit që të ndërpresë marrëdhëniet me Tiranën. Burime të sigurta për gazetën zbulojnë se shkodrani dëshiron që të aktivizohet edhe dy ndeshje me Skënderbeun në Champions Ligë dhe më pas të transferohet në Arabi, ku ka marrë një ofertë realisht të majme. Por, për ta bërë këtë, i duhet që të shkëpusë çdo marrëdhënie me kryeqytetasit, duke qenë se kontrata i skadon më 31 korrik. Ekipi i Al-Faisalyt i ka ofruar 500 mijë dollarë në vit futbollistit dhe duket se ai nuk ka ndër mend ta refuzojë. Megjithatë, bardheblutë e kanë në planet e tyre mesfushorin, çka e pranoi edhe Alimehmeti, teksa tha: “Zhvilluam një takim me lojtarin. Ai është nën kontratë me Tiranën dhe ne vazhdojmë ta kemi në planet tona”.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"