PIKANTET Kastrioti-Partizani/ Kodra dëmton shokun e tij, Telushi lë fushën me nerva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2023 | 22:45

PIKANTET Kastrioti-Partizani/ Kodra dëmton shokun e tij, Telushi lë fushën me nerva

“Panorama Sport”, e pranishme në stadiumin e Kamzës gjatë ndeshjes mes Kastriotit dhe Partizanit, ju sjell disa nga momentet pikante të kësaj sfide.

PARTIZANI

*Masa të rrepta, jo vetëm nga ana e organizatorëve të ndeshjes, por dhe të policisë. Asnjë person nuk u lejua të hyjë me çadër në stadium. As gazetarët nuk bënë përjashtim nga ky rregull.

*Tashmë është bërë zakon që krerët e dy skuadrave ta ndjekin ndeshjen në shoqërinë e njëritjetrit. Respektivisht Alban Vogli, president i Kastriotit, ishte ulur pranë Olsi Ramës, drejtor i përgjithshëm i Partizanit.

*Tifogrupi i Partizanit, “Ultras Guerrils”, ishin të pozicionuar në kahun jugor të stadiumit. Edhe pse jo në një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish, inkurajimi ndaj skuadrës së tyre të zemrës, sidomos në pjesën e parë, ishte i madh. Ndërkohë, edhe sportdashësit krutanë kanë qenë të pakët, mbase për një gjë të tillë ka ndikuar edhe orari aspak i përshtatshëm i zhvillimit të kësaj ndeshjeje.

*Në momentin e zëvendësimeve, respektivisht Hoti i Partizanit dhe Selmani i Kastriotit, janë shoqëruar me duartrokitje nga tifozëritë e dy skuadrave. Nga ana tjetër, Bruno Telushi la fushën e lojës me një mimikë aspak të qetë, teksa nuk dihet nëse nervozizmi ishte prej zëvendësimit apo ai ka kërkuar më shumë nga vetja e tij. Vlonjati u zëvendësua në minutën e 73-të me Matondon.

*Tribuna ballore e stadiumit të Kamzës, prej kohësh është jashtë funksionit.

*Trajnerët e dy skuadrave përgjatë gjithë ndeshjes kanë qëndruar në këmbë para pankinave të tyre. Më aktiv është treguar trajneri i krutanve, Ardian Mema, që orientonte vazhdimisht të tijtë.

*Dy futbollistët e afruar së fundmi në radhët e skuadrës së Partizanit, Sabit Bilali dhe Fabian Shahaj, e kanë parë ndeshjen në tribunën VIP.

*Në pjesën e parë, Enid Kodra godet jo qëllimisht shokun e tij të skuadrës, Silvio Zogaj, duke e lënë të dëmtuar. U desh ndërhyrja e mjekëve, të cilët pas pak minutash e rikthyen Zogajn në gjendjen për të vijuar ndeshjen.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"