Pikantet e sfidës Teuta-Tirana/ Festë për golat e durrsakëve, “demat” me celularë në dorë
Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit, e përfunduar me shifrat 3-1 në favor të “demave”.
* Rreth 1300 të pranishëm ndoqën nga shkallët e stadiumit “Arena e Demave” ndeshjen mes Partizanit dhe Kukësit. Në tribunën mike, kishin ardhur një numër prej afërsisht 70 tifozësh nga qyteti verilindor.
* Gerhard Progni, ishlojtar i Partizanit, ishte i pranishëm në stadium ditën e djeshme për të parë ndeshjen. Pukjani aktivizohet prej vitesh në futbollin kosovar, teksa këtë sezon është pjesë e Llapit.
* Drejtuesit e Partizanit ishin tejet të kujdesshëm për të ndjekur me kujdes çdo rast të diskutueshëm rreth vendimeve të arbitrit Xhaja. Ata e shihnin ndeshjen direkt, por kujdeseshin që të analizonin edhe momente të ndryshme në celular.
* Në minutën e 65-të Rrapaj bën një ndërhyrje të rrezikshme dhe për pak sa nuk ndëshkohet me karton të verdhë. Vetëm pak sekonda më pas Kolela nxiton ta zëvendësojë, pasi një tjetër i verdhë do të bënte që vlonjati të mos luante në derbin e 17 majit.
* Gjyqtari Juxhin Xhaja vonon pak sekonda penalltinë e goditur nga Gjelbrim Taipi për të larguar dy djemtë që mbledhin topat pas portës. Ai u kërkon atyre të spostohen me larg portës, për të shmangur një hutim të mundshëm të mesfushorit të Kukësit.
* Murataj mundohet t’u japë zemër të gjithëve. Pas një goditjeje dënimi të fituar në një zonë të rrezikshme, mesfushori i jep dorën dhe i inkurajon gjithë shokët e tij njëri pas tjetrit.
* Menish del nga loja dhe para se të ulet në pankinë përshëndetet me disa fëmijë në tribunë, që e prisnin dhe kishin nxjerrë dorën për të takuar mbrojtësin.
* Kur Teuta shënoi golin e barazimit në ndeshjen e luajtur në Durrës ndaj Tiranës, i gjithë stadiumi ushton si të kishte shënuar Partizani. E njëjta gjë ndodhi edhe në momentin kur Teuta plotësoi përmbysjen.
* Mbrojtësi i Kukësit, Bytyçi, shqelmon topin i inatosur drejt tribunës së Partizanit. Direkt pas kësaj nxiton të kërkojë falje.
* Kur rezultati është 3-1 për Partizanin dhe ndeshja po shkonte drejt fundit, e gjithë vëmendja spostohet te ndeshja e Tiranës. Golin e dytë të Teutës Da Silva shkon dhe e sheh në telefonin e një prej pjesëtarëve të klubit, i ndodhur anës fushës, pranë tribunës.
* Tirana mbaroi rreth 15 minuta pas ndeshjes mes Kukësit dhe Partizanit. Kjo bëri që të kuqtë të nxirrnin telefonat dhe të ndiqnin pjesën e mbetur të sfidës së Durrësit. Da Silva duket më i interesuari, teksa në një moment brazilianit iu bashkua edhe drejtori sportiv i të kuqve, Elton Marini. Të dy panë çastet e fundit të sfidës së rivalëve.
PANORAMASPORT.AL













