Pikantet e Partizani-Skënderbeu/ Keko beniamin i tifozëve, Liço “plas” në pankinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2023 | 13:05

Pikantet e Partizani-Skënderbeu/ Keko beniamin i tifozëve, Liço “plas” në pankinë

“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante dhe të veçantat e ndeshjes së djeshme mes Partizanit dhe Skënderbeut, e mbyllur 1-1. Kjo sfidë u ndoq nga rreth 750 spektatorë në stadium, teksa nuk mungonte as një numër i ulët i tifozëve të ardhur nga Korça.

hfgj

* Pas vetëm çerek ore lojë, Gvozdenoviç sheh se diçka nuk shkon dhe punon për ndryshimin. Ai thërret Shaqen dhe me një bllok në dorë i jep disa udhëzime të reja. Pas atij momenti, Skënderbeu shfaqet shumë më sulmues.

* Abilaliaj kërkon të shfrytëzojë shpejtësinë e Kekos për kundërsulme në momentet kur Skënderbeu luan në sulm. Ai e thërret disa herë sulmuesin dhe i bën me shenjë të mos kthehet shumë mbrapa, për të qenë gati dhe i pozicionuar si duhet për daljet e shpejta.

* Mjaft interesante lëvizjet e dy trajnerëve. Abilaliaj dhe Gvozdenoviç janë gjithnjë në këmbë dhe herë pas here duken shumë të sinkronizuar në ecejaket e tyre anës fushës. Nuk ulen në asnjë moment dhe duket sikur kanë një stil të ngjashëm të “të moderuarit” e ndeshjes.

* Që në çastet e para të sfidës Partizani nxjerr 5 lojtarë në nxehje dhe kjo ndodh gjithë kohës, edhe në momentin kur Abilaliaj kishte konsumuar dy prej ndërrimeve.

* Në një moment ka dy lojtarë të të dyja skuadrave në fushë dhe të dyja stafet vrapojnë “rrufeshëm” për të shkuar te lojtarët përkatës, teksa në një moment duket edhe si një garë mes tyre. Ndikuar edhe nga pozicionimi, ata të Skënderbeut shkojnë 1 sekondë më para.

* Keko duket qartë se është një nga të preferuarit e tifozëve të Partizanit. Në momentin kur sulmuesi del nga fusha, pavarësisht se nuk kishte bërë ndeshjen më të mirë, tifozët thërrasin emrin e tij. Ai është një nga lojtarët e rrallë, që merr këtë mbështetje nga tifozët.

* Mesfushori i Skënderbeut, Dean Liço, duket shumë i acaruar në momentin kur del nga fusha e lojës pas zëvendësimit me Gërçon në minutën e 85-të. Mesfushori kur mbërrin në pankinë, shqelmon plot mllef një shishe plastike, që përfundon në fushë. Pasi ulet, mesfushori merr një qortim edhe nga gjyqtari i katërt, Erjon Bastari.

* “Djallin” te Skënderbeu në fushë e bën kapiteni Frashëri, i cili gjithnjë ka diçka për të kundërshtuar ndaj gjyqtarit, për ta mbajtur vazhdimisht nën presion Allën. Përveç kësaj, duket një lider në fushë, pasi kujdeset t’u flasë të gjithëve.

* Bruno Dita, ish-lojtar i Skënderbeut, shfaqet në tunel dhe shkon të takojë lojtarët kuqeblu. Takon edhe Taipin, mesfushorin e Partizanit, me të cilin nuk kursen as batutat. Në tribunë bashkë me mesfushorin e Shkëndijës ishte edhe shoku i ekipit, Klinsman Cake. Ai e ka nisur karrierën me Tiranën, teksa në janarin e shkuar u lidh me një kalim të mundshëm te Partizani. Në fund qëndroi te Shkëndija.

* Mensah dhe Frenklin, njëri nga Gana dhe tjetri nga Nigeria, takohen pas ndeshjes dhe së bashku konsumojnë një bisedë mjaft të gjatë.

* Pas ndeshjes te Skënderbeu shiheshin edhe fytyra të qeshura, teksa ndryshe ndodhte te Partizani, aty ku mbizotëronte një qetësi absolute dhe me shumë shpejtësi dhomat e zhveshjes u boshatisën.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"