Pikantet e ndeshjes Teuta-Laçi dhe moviola. Gjyqtari Hamiti fal Dajën, dy pretendime për penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2023 | 21:22

Pikantet e ndeshjes Teuta-Laçi dhe moviola. Gjyqtari Hamiti fal Dajën, dy pretendime për penallti

Interesim i ulët për të ndjekur ndeshjen Teuta-Laçi, edhe pse në një ditë pushim dhe orar të favorshëm. “Panorama Sport” ju sjell pikantet. Pak tifozë, shumë erë dhe bari që rrezikon Dajsinanin.

TEUTA LACI

* Në minutën e 34-t, mbrojtësi i Laçit, Arlind Kurti, largon një top që po shkonte drejt rrjetës, ndërsa në këtë moment përplaset me shtyllën. Ka panik për disa sekonda, por lojtari merr veten pas ndihmës së mjekëve. Mirëpo, për fat të keq lë fushën e lojës në minutën e 87-të me barelë, teksa pësoi një tërheqje muskulore.

* Portieri i Laçit, Mario Dajsinani, po merrej me rregullimin e një pjese të hequr të barit të fushës në minutën e 56-të. Në këtë moment befasohet, pasi topi u kthye drejt tij nga mbrojtësit dhe rrezikonte të shkonte në rrjetë. Megjithatë, e shmangu situatën e pakëndshme.

* Mbrojtësi Albi Alla dhe sulmuesi Realdo Fili munguan dje për shkak dëmtimi. Lojtarët e Teutës mbështetën skuadrën nga tribuna.

* Era e fortë ishte e pranishme gjatë gjithë ndeshjes, por asnjë prej skuadrave nuk u favorizua, pasi golat u shënuan në portat e kundërta. Vështirësi në nisjen e topin patën më tepër lojtarët e Laçit.

* Sulmuesi i Teutës, Klejdi Daci, shënoi dje golin e parë për këtë kampionat, ndërsa menjëherë shkoi të festonte me trajnerin Martini.

* Pas golit në shtesë, i gjithë stoli i Laçit u fut në fushë. Edhe trajneri Josa që njihet për qetësinë e tij festoi si kurrë më parë.

MOVIOLA

Teuta-Laçi u gjykua nga Eldorian Hamiti, i cili mban edhe stemën e FIFA-s, ndërsa në VAR ishin Olsion Yzeiraj dhe Orlando Kuka. Pati disa raste për moviolë, por me arbitrin që në përgjithësi mori vendime të drejta për momentet më të diskutueshme të ndeshjes.

11’ Teuta kërkon penallti pas rrëzimit në zonë të Dacit, në duel me mbrojtësin Dajko. Arbitri kryesor vijon lojën, ndërsa më pas pret sinjalizimin e VAR-it. Konfirmohet që nuk kemi të bëjmë me penallti. Vendim i drejtë, pasi dueli nuk ishte në ekstremin e faullit. (VIDEO)

14’ Manellari pengohet në afërsi të zonës nga Jazxhi. Hamiti vijon lojën, por gabon. Duhej akorduar goditje dënimi për Laçin, në një pozicion që ishte i favorshëm për shënim nga rreth 18 metrat.

44’ Daja ndërhyn rëndë në anësore ndaj Kurtit. Hamiti e fal, duke mos i dhënë karton të verdhë. Më pas e ndëshkon në minutën e 70-të.

80’ Sobouejll kërkon penallti pas duelit me Krujën në zonë. Hamiti i jep karton të verdhë për simulim. Vendim i drejtë i kryesorit.

ZAMIR QYPI -PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"