Pikante nga finalja e Kupës në basket/ Tavani i sallës pikonte në vendin e Ponarit. Vogli dhe Hysenagolli i vënë syrin titullit kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 20:33

Pikante nga finalja e Kupës në basket/ Tavani i sallës pikonte në vendin e Ponarit. Vogli dhe Hysenagolli i vënë syrin titullit kampion

Ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj ndërmjet Besëlidhjes dhe Tiranës, e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në sallën “Feti Borova”, u ndoq nga rreth 200 tifozë. Duke përcjellë disa prej momenteve pikante në këtë takim, e nisim me disa fërkime mes lojtarëve gjatë periodës së parë, fillimisht Vogli me Hysën, për një faull, ku Vogli pretendonte se ishte i kundërshtarit.

REDI VOGLI

Gjatë periodës së dytë Aris gjatë një shkëputje, i futi gishtat në sy Hamatit, pa qëllim. Ndërkohë gjatë periodës së fundit, kur po shikohej drejt fitores së sigurt të Tiranës, Vogli e Karaj përgëzuan njëri-tjetrin. Ndërkohë për ironi të fatit, tavani i sallës “Feti Borova”, pikonte pikërisht në vendin ku ishte ulur duke ndjekur takimin presidenti i FSHB-së, Avni Ponari. Ndeshja pati dhe një ndërprerje për shkak të fikjes së një pjesë të dritave në periodën e dytë, kur kishte dhe 2 minuta e 22 sekonda lojë, ndërsa ndërprerja zgjati për pak çaste.

Red Vogli: Të ndërtuar për trofe

Vitet kalojnë por prezenca e Red Voglit në finale ka gjithnjë një peshë shumë të madhe për Tiranën. Përveç eksperiencës, kapiteni transmeton grintë dhe siguri në kampion bardheblu dhe kjo iu pa edhe në finalen e fundit kundër Besëlidhjes. Në prononcimin e tij pas ndeshjes, Vogli e komentoi kështu triumfin e kryeqytetasve: “Ky ekip është ndërtuar vetëm për fitore dhe për të fituar trofe. Kështu do vazhdojmë. Jam krenar që jam e vazhdoj të jem pjesë e Tiranës, do mbetem deri në fund bardheblu. Meqë kam dhe emocione po jap dedikimet e mia për këtë kupë. Kjo kupë në radhë të parë shkon për të gjithë tifozët e në veçanti për djalin tim që porsa ka lindur dhe për gruan që na ka ndjekur nga shtëpia. Si zakonisht një dedikim i veçantë shkon për Xhep Voglin dhe Tim Shabën”, deklaroi kapiteni i Tiranës, i cili i shtoi një tjetër trofe të rëndësishëm karrierës së tij bardheblu.

TIRANA BASKET

Hysenagolli: E donim Kupën, tani radha e titullit

Me 12 pikë dhe 16 kërcime Endrit Hysenagolli ishte ndër protagonistët kryesorë edhe në këtë finale për Tiranën, teksa gjiganti bardheblu vijojnë prej gati 2 dekadash të bëjë diferencën në Shqipëri. Pas triumfit në Kupën kundër Besëlidhjes, qendra bardheblu ndër të tjera u shpreh: “E patëm disi të vështirë, duke parë që Besëlidhja luajti mjaft e përforcuar në mbrojtje, duke na mbuluar një për një, por ne e kishim përgatitur ndeshjen për ta fituar këtë trofe. Kjo fitore sigurisht që na gëzoi pasi na duhej edhe për moral në ecurinë e të rinjve që po afirmohen tek Tirana. Tirana po forcohet për ditë. Një lojë të shkëlqyer ka bërë edhe Aris, që më e inkurajon ekipin me lëvizshmërinë e tij. Kjo Tiranë do të kërkojë më shumë në vijueshmërinë e takimeve të kampionatit. Tani do të përgatitemi edhe për trofeun tjetër, titullin kampion”, deklaroi pas ndeshjes Endrit Hysenagolli.

ABDULLA DUSHKU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"