Pësojnë dhe nuk shënojnë dot, 10 minutat e Elbasanit në start janë makth

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 12:50

Pësojnë dhe nuk shënojnë dot, 10 minutat e Elbasanit në start janë makth

Elbasani është ndërtuar këtë sezon për t’i bërë ballë çdo rivali dhe arrijë me çdo kusht misionin “Superiore”. Jo më kot edhe investimet ishin të mëdha, sepse për ekipin cilësohet dështim nëse nuk e arrin këtë objektiv.

elbasani

Megjithatë, asnjëherë një skuadër nuk mund të jetë në kufijtë e perfektes, edhe pse në letër mund të ketë diferenca me kundërshtarët. Përjashtim nga kjo gjë nuk bëjnë as verdheblutë. Edhe pse ka qenë brenda pritshmërive në këto shtatë javë të para, ka një merak.

Ai duhet zgjidhur sa më parë dhe të mos përsëritet në Kupë ndaj Besëlidhjes apo kampionat ndaj Flamurtarit.

MERAKU I DEDES – Mjafton t’u hedhësh një sy shifrave të këtij fillimkampionati për të kuptuar edhe problemin. Një ngërç që verdheblutë, me në krye trajnerin Nevil Dede, duan ta lënë menjëherë pas krahëve.

E gjitha lidhet me atë “black out” të minutave të para apo pjesës së parë në tërësi. Nga shtatë golat që ka pësuar Elbasani deri tani, tre i ka pësuar në harkun kohor të 10 minutave të para (një e mori nga Vora dhe dy nga Apolonia, në të dyja rastet në shtëpi).

Nga ana tjetër, kurrë nuk arrin të shënojë kaq shpejt, me startin e sfidës që i është kthyer në një makth. Një nisje më e keqe nuk mund t’i bëhet një ndeshjeje, edhe pse Elbasani në këto dy raste në fund ia ka dalë që të kthejë rezultatin.

Për të vijuar më pas edhe me golat që pësohen në pjesën e parë. Janë shtatë të tillë në krahasim me dy të pësuar në fraksionin e dytë të lojës. Një diferencë jo e vogël, çka e bën praktikisht Elbasanin t’i nisë takimet jo në mënyrën e duhur.

Moment që në klub po punohet shumë edhe në stërvitje që të mos përsëritet më, pasi i duhet më pas ekipit një sforcim shumë i madh për të arritur te rezultati.

SHËNIMI I GOLAVE – Më pas, sa u përket shënimit të golave, duket se skuadra e merr shtruar dhe arrin të jetë efikase në këtë aspekt. Përveç problemeve në startin e sfidës, ekipi i Nevil Dedes shënon rregullisht në intervalet e tjera të kohës.

Madje, skuadra nga 12 rrjetat e realizuara deri tani, gjashtë i ka bërë në të parën dhe po kaq në të dytën. Sa për statistikë, elbasanasit shënojnë rregullisht në të gjitha takimet dhe për momentin duket një çështje e zgjidhur.

Shpresohet që edhe në Kupë ndaj Besëlidhjes dhe kampionat më pas ndaj Flamurtarit, të dyja ndeshje në transfertë, verdheblutë të tregojnë forcën reale në sulm dhe të marrin atë që kërkojnë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"