Pas Salihit largohet edhe Ogunxhimi, Skënderbeu mbetet pa sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2017 | 16:58

Pas Salihit largohet edhe Ogunxhimi, Skënderbeu mbetet pa sulmues

Me afrimin e Donjet Shkodrës, bardhekuqtë kanë bërë goditjen e parë në merkato duke i hapur rrugën forcimit të ekipit për të përballuar si duhet turet eliminatore të Europa Ligës. Shkodra pritet që t’i japë mesfushës së Skënderbeut ritmin e duhur që i mungonte ekipit korçar kryesisht në pjesën e parë të sezonit.

Ogunjimi

Mirëpo, i ndodhur në një moment të tillë, me Takajn të bindur te revolucioni në pjesën më të madhe të ekipit, duket se kjo periudhë merkatoje do të jetë shumë e “nxehtë” në Korçë. Ashtu siç pritej të ndodhte, Marvin Ogunjimi, sulmuesi belg që rezultoi një dështim total i bardhekuqve në pjesën e dytë të kampionatit, duket se i ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet me Skënderbeun dhe mund të quhet largimi i parë zyrtar.

Kjo lëvizje në ofensivë e lë bosh repartin e sulmit te bardhekuqtë. Pas Ogunjimit, edhe Salihi ka deklaruar se ky ishte sezoni i fundit në Korçë, por edhe në Shqipëri, ndërsa nga ana tjetër edhe Xhejms mund të transferohet jashtë vendit pas kërkesave të shumta.

Një situatë e tillë e krijuar në radhët e korçarëve e lë bosh ofensivën bardhekuqe, që edhe sezonin e kaluar nuk është se shkëlqeu. Për këtë arsye, e gjithë vëmendja e merkatos do të përqendrohet kryesisht te sulmi, atje ku Skënderbeu do të duhet të gjejë me çdo kusht lojtarët e duhur, që të bëjnë diferencën.

OBJEKTIVI

Danilo Alvesh është “molla e ndaluar” e Skënderbeut dhe presidentit Ardjan Takaj. Dukshëm sulmuesi brazilian është një dëshirë e madhe e Takajt, gjë të cilën ai e ka shfaqur verën e kaluar, pasi tentoi me çdo kusht ta ketë në ekip. Por duket se, ashtu sikundër ky transferim dështoi verën e kaluar, është destinuar të dështojë edhe këtë herë.

Alvesh gol Flamurtari

Një ditë më parë, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, Takaj nuk e ka fshehur vlerësimin e tij personal për Danilo Alveshin, por sulmuesi brazilian është edhe për një vit nën kontratë me kuqezinjtë e Vlorës, çka shuan shpresat e presidentit të Skënderbeut.

DILEMAT

Sikur të mos mjaftonte situata aktuale, edhe Salihi tashmë është një dilemë më vete. Sulmuesi shkodran mund të mos jetë më pjesë e Skënderbeut për shkak të dënimit të marrë nga FSHF, që e pengon të luajë edhe në turet paraeliminatore të Europa Ligës. I ndodhur në një situatë të tillë, duket se klubi bardhekuq ka filluar sondazhet e duhura për të gjetur lojtarët që do të jepnin garanci në repartin e sulmit për trajnerin Ilir Daja.

Salihi

Sipas burimeve të “Panorama Sport” pranë klubit korçar, bardhekuqtë janë duke vëzhguar tregun e huaj dhe pritet që pika e referimit të sulmit të Skënderbeut të jetë pikërisht i huaj, kjo edhe për faktin se në kampionatin shqiptar nuk ka shumë hapësirë për të tentuar një goditje “big” në këtë repart.

Momentalisht nuk ka asnjë emër konkret, por gjithçka pritet të jetë më e qartë në ditët në vijim. Por, përqendrimi i Skënderbeut nuk është vetëm në sulm, por edhe në mesfushë. Duket se bardhekuqtë kanë hedhur sytë te Taku dhe Dita, të cilët pëlqehen shumë në kampin bardhekuq dhe, me shumë mundësi, brenda javës pritet të ketë zhvillime rreth tyre. Ajo që mund të thuhet me siguri është se Skënderbeu do të jetë një nga ekipet që do të lëvizë shumë në drejtim të afrimeve.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"