Partizanin e nderon Cuculi, thyhet Lushnja

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Nëntor 6, 2014 | 21:04

Partizanin e nderon Cuculi, thyhet Lushnja

Lushnja-PartizaniLUSHNJA-PARTIZANI 0-1
GOLI: Cuculi 79′
LUSHNJA: Harremi, M.Sula, Shurdhi, Musaku, S.Çela, E.Bakiasi, Bushi, Taullau (Mezini 74′), E.Gjyla, Allkanjari (Sharka 72′), Shkoza (Shkurti 11′). Trajner: A.Bano
PARTIZANI: Xhika, Muskaj, Dishliev, Cuculi, Trashi, Daja (Ismaili 85′), Mustafa, Shabani, Fazliu (Vatnikaj 46′), Osmanaj, Rrahmani (Ibrahimi 46′). Trajner: Sh.Duro
KARTON I VERDHË: Taullau
GJYQTARË: E.Sino, I.Tartari, E.Pasha (Fier)
VËZHGUES: Sazan Velçani
DELEGAT: Petrit Haxhia

Partizani ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, pasi dje ka arritur të fitojë 1-0 në Lushnjë ndeshjen e parë. Skuadra e Shpëtim Duros e ka dominuar gati të gjithë ndeshjen duke e konkretizuar në pjesën përmbyllëse të saj me kapitenin Ardian Cuculi, i cili ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi në hyrje të zonës. Trajektorja e mbrojtësit të të kuqve ka qenë e shkëlqyer me një top që kaloi ëmbël murin mbrojtës të lushnjarëve dhe përfundoi në trekëndëshin e majtë të Harremit, që e ka shoqëruar gjithçka me sy duke mos reaguar. Ky ishte momenti më i bukur për t’u shijuar në të gjithë ndeshjen. Të dyja ekipet kishin hedhur në fushë formacionet e dyta, pasi janë të përqendruara te kampionati. Trajneri Duro u dha mundësi lojtarëve që nuk janë aktivizuar shumë të tregojnë vlerat e tyre.
Ndeshja Takimi nisi mirë, ndonëse luhej me rezervat, në një kohë që lushnjarët kishin afruar edhe lojtarë nga të rinjtë. Në minutën e 9-të, pas një krosimi nga e majta të kapitenit Cuculi, është Rrahmani me kokë që godet, por topi përplaset në tranversë. Nga ana tjetër, Lushnja deri në minutën e 20-të bie shumë në ritëm dhe Partizani është gjithnjë i rrezikshëm. Bano kryen një zëvendësim të detyruar në sulm duke larguar Shkozën e dëmtuar dhe hedh në fushë sulmuesin e të rinjve Igli Shkurti. Në fund të pjesës së parë ka një aksion shumë të bukur të lushnjarëve, pikërisht me protagonist Shkurtin, por që kapiteni Allkanjari nuk e finalizoi me sukses duke gabuar para portës. Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime të Duros, i cili hedh në fushë Vatnikajn dhe Ibrahimin, por është e qetë dhe me ritëm të ulët. Në fund vjen goli kryevepër i kapitenit Cuculi, që largon iluzionin e një barazimi të bardhë duke u dhënë fitoren e merituar të kuqve. Mbrojtësi që dje mbante shiritin e kapitenit, ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga rreth 20 metra dhe topi ndalet në rrjetë, 0-1.

Duro: Luajtëm pa titullarët, jemi pranë kualifikimit
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, hodhi në fushë formacionin e dytë në ndeshjen e djeshme të Kupës së Shqipërisë ndaj Lushnjës. Tekniku i të kuqve u dha mundësi lojtarëve që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion, në një kohë që janë marrë edhe futbollistë nga Partizani B, të cilët janë pjesë e formacionit të kësaj skuadre. Në fund të sfidës së djeshme, tekniku i Partizanit, Duro, u shpreh: “Duke parë që Lushnja nuk kishte interes për këtë ndeshje, luajtëm pa titullarët duke pasur parasysh që na pret një sfidë në Korçë me Skënderbeun ditën e shtunë. Mendoj që ekipi që luajti sot(dje) e dominoi takimin dhe normal që jemi shumë pranë kualifikimit”, përfundon Duro prononcimin e tij.
ALBAN ALUSHI






www.minuta90.com