Pano i Kupave të Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2014 | 11:48

Pano i Kupave të Europës

DizdariNga BESNIK DIZDARI
Me Panajot Panon ka filluar pjesëmarrja e Shqipërisë në kualifikimet eurobotërore (1963). Madje me Panon është regjistruar fitorja e parë (1-0 Danimarka) në këtë pjesëmarrje. I tiji është dhe goli i parë shqiptar në eurobotërorët. Me Panajot Panon ka nisur pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në Kupat e Europës me klubet (IFK Norrköping i Suedisë). Madje me të është regjistruar fitorja e parë shqiptare në këto kupa (1-0 Spartak Plovdiv). Me Panajot Panon janë regjistruar dy sensacionet e para më të mëdha, madje të derisotme, të një ndeshjeje të vetme të klubeve dhe Kombëtares përballë futbollit gjerman – superfuqi botërore e këtij sporti: 0-0 Partizani – Köln dhe 0-0 Shqipëria – Gjermania. Me Panajotin është regjistruar fitorja e parë shqiptare kundër një klubi të famshëm të një superfuqie tjetër perëndimore të futbollit botëror: Partizani – Torino 1-0. Me Panajot Panon Shqipëria ka regjistruar fitoren e parë të bujshme kualifikuese ndaj Kombëtares së një shteti kapitalist: Shqipëria – Turqia 3-0. Kur, po me Panajot Panon është regjistruar pikëzimi i parë dinjitoz i Kombëtares së Shqipërisë në kualifikimet eurobotërore. Ka qenë KE 1972, vërtet me dy humbje gjermane, por ndeshje ndër më të mëdhatë për kah cilësisë për futbollin shqiptar, ku hyn brilanti i Shqipëria – Gjermania 0-1. Me Panajot Panon, madje shënues i golave përcaktues, Shqipëria ka arritur kualifikimin e parë të saj në Kupat e Europës: 1970, Advidaberg i Suedisë 1-1, 0-2). Me Panajot Panon Shqipëria ka arritur të fitojë një herë të vetme Kupën e Ballkanit me klubet: Partizani 1970!
Kaq! Ky është Panajot Pano. Këto kulme të futbollit modest shqiptar, natyrisht nuk mund të arriheshin vetëm me Panajot Panon. E pra, Panajoti dhe shokët e tij, që siç i kemi përvijuar dhe do t’i përvijojmë edhe në këta dy kapituj të fundit të “romanit” tonë, kanë qenë futbollistë të shkëlqyeshëm. Për fat, së bashku me të, ata qenë të paracaktuar që të luanin vetëm me klubet shqiptare. Kësisoj, Shqipëria izolacioniste ua pengoi atyre historinë tjetër të ndërkombëtarizimit nën fanella të klubeve europiane, përparësi që e ka brezi i sotëm fatmadh i futbollistëve të Shqipërisë demokratike. Ata kanë një histori “vetëm shqiptare”. Dhe ky është pengu i tyre dhe i yni si gazetarë, çka i pengoi dhe na pengoi në interpretime dhe tregime të tjera, për të cilët jemi të bindur se arti i tyre do të na detyronte përshkrimin e ngjarjeve të rralla… NORRKÖPING I SUEDISE DHE SPARTAK I PLOVDIVIT
Kanë qenë një barazim madhështor 1-1 dhe një fitore 1-0, e para në Kupën e Europës për Shqipërinë. E filluar më 26 gusht 1962 në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshjen IFK Norrköping – Partizani 2-0 për Kupën e Kampioneve të Europës; i nisur pra me një eliminim tejet dinjitoz të 52 vjetëve më parë, gjithnjë këtë fillim e kam quajtur një histori të madhe. Hyni pak në kohë. Kishte plot shtatë vjet që kishte nisur Kupa e Europës dhe Shqipëria nuk kishte marrë pjesë. Dhe e fillon duke barazuar me Kampionen e Suedisë, e cila katër vjet më parë kishte qenë nënkampione e botës!
Dy skedat e fillimit të pjesëmarrjes sonë, të cilat në thelb na kujtojnë dy ndeshje të paharrueshme në krejt përmbajtjen e tyre befasuese për një vend të vogël si Shqipëria, nuk durojnë koment. Tek janë si monumente të statistikës sonë historike të futbollit:
Norrköping, 26.08.1962. St.: “Idrottsparken”.
IFK NORRKÖPING – PARTIZANI 2-0
IFK NORRKÖPING: Nyholm – Lind, Rosander – Ohlsson, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Björklund, Martinsson, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.
PARTIZANI: Maliqati – Deliallisi, Frashëri, M.Papadhopulli, Shllaku – Ndini, G.Merja – Kraja, Pano, Resmja, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.
GOLAT: Bild 55′, Rosander 74′
GJYQTAR: L.Gulliksen / NOR.
SHIKUES: 12.271

Tiranë, 12.09.1962. St. Kombëtar “Q.Stafa”
PARTIZANI – IFK NORRKÖPING 1-1
PARTIZANI: M.Janku – Deliallisi, Frashëri, M.Papadhopulli, Ndini – Shllaku, Gjoka, Kraja, Jashari, Pano, Resmja. TRAJNER: L.Boriçi.
IFK NORRKÖPING: Nyholm – Lind, Rosander – Björklund, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Martinsson, Kindvall, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.
GOLAT: Kindvall 6′, Kraja 48′.
GJYQTAR: V.Korelus / CZE.
SHIKUES: 18.000.

Këto janë dy kryeveprat e trajnerit Loro Boriçi, i cili shfaqet në Europë si një mjeshtër i taktikës së futbollit “të vogël” shqiptar, që papritmas duket i madh. Dhe në të dy rastet është protagonisti ynë Panajot Pano. Nuk është një nga të barabartit. Është numri 1.
Për rastësi këto ishin dy ndeshjet e para të atij edicioni të Kupës së Kampioneve, një lloj turi kualifikues siç përcaktohej të ishte, ku fituesja e këtij çifti përurues do të bënte pjesë në 28-shen e Turit të parë. Duke rezistuar në ndeshjen e parë, atë të 26 gushtit 1962 në Norrköping deri në të 55′, Partizani i Loro Boriçit kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken”-un suedez kur ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, kishte befasuar Europën e futbollit se si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar asisoj të merrte pjesë në garat e klubeve! Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyhol, Bild dhe Johansson, shto këtu dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin, siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare.
Në turin e dytë IFK Norrköping, tash i pafat, do të takonte Benfikan legjendare (ajo do të mbërrinte deri në fundore (me Milanin 1-2) të Eusebios, Augustos, Torresit, Colunas dhe Simoesit: 1-1 në IFK Norrköping dhe natyrisht 1-5 në Lisbonë. Nuk ka asnjë dyshim, se jo vetëm në të dhënat e shifrave, por sidomos 1-1 i Tiranës (gol i Kolec Krajës – padyshim një paraprirës i sulmuesit modern të krahut në futbollin shqiptar) për ne që kemi qenë të pranishëm në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, përbën një nga mrekullitë shqiptare, madje të një ndeshje tejet taktike, që vetëm një Loro Boriç i mbështetur edhe te të rinj të tillë si M.Janku, Frashëri, Shllaku, Gjoka e Pano, ia kishte arritur të shpaloste një futboll të nivelit të lartë.
Natyrisht edhe këtu pra, Panjot Pano, i cili, siç do të shkruante kolegu dhe miku im, gazetari i shquar Napolon Roshi,”del përfundimisht fitimtar në duelin me mbrojtjen suedeze”. Dhe është Pano ai që me pasimin e tij të pagabueshëm i jep mundësi Kolec Krajës të shënojë. Është harruar kjo ndeshje, por ajo është një brilant i vërtetë i futbollit shqiptar.
Dhe ka ngjarë 52 vjet më parë! Një vit më vonë, më 1963 Partizani fiton 1-0 në Tiranë me Kampionen e Bullgarisë Spartak Plovdiv, përsëri me golin e pamungueshëm të Kolec Krajës, sulmues i krahut të djathtë, i shpejtë, teknik, goditës i shkëlqyer. Skeda historike si e fitores së parë të një klubi shqiptar në Kupat e Europës, sot për herë të parë thuajse “e milimetruar” në saktësi, ia vlen botimin:
Tiranë, 11.09.1963. St. Kombëtar “Q.Stafa”
PARTIZANI – SPARTAK PLOVDIV 1-0
PARTIZANI: M.Janku – Deliallisi, M.Papadhopulli, Frashëri – O.Mema, Shllaku, Ndini – Kraja, Zaho, Pano, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.
SPARTAK P.: Stoynov – Maznev, Manolov, Momin – Dimov, Botev – Diev, Genov, Dishkov, Mitkov, Dushev. TRAJNER: D.Baykushev. GOLAT: Kraja 8′.
GJYQTAR: K.Zecevic / YUG.
SHIKUES: 15.226. D

he gjithnjë Pano, të cilin shtypi e përcakton si “futbollisti nr. 1 në fushë”. Dhe mbasi i bëri të pafrytshme me driblimet e tij tentativat e mbrojtësve bullgarë për t’ia marrë topin, ia pasoi atë me përpikëri Krajës, i cili megjithëse i ndodhur ndërmjet lojtarësh kundërshtarë, e ndryshoi rezultatin e deriatëhershëm të bardhë në 1-0 për Partizanin”. Dhe mandej: “Në minutën e 48-të Pano, me dy finte të shkëlqyera, i la mbrapa tre mbrojtësit e Spartakut dhe vetëm për vetëm me portierin gjuajti duke rrahur shtyllën”, siç thotë kronika e kohës. E, në fund përmbledhja përcaktuese e shtypit:
“… Fjalët më të mira i takojnë Panos, sepse ai qe me të vërtetë forca lëvizëse, motori i vijës së parë. Me përdorimin e kënaqshëm të topit, sprintet dhe kalimet e tij të shpejta, ngjalli panik e konfuzion në radhët mbrojtësve, duke treguar kështu se është një futbollist i talentuar dhe që ruan në vetvete forca dhe energji të mëdha”. Dhe mandej fati gjithnjë jetëshkurtër i shqiptarëve. Në Plovdiv është 3-1 për bullgarët (gol i Panos). Një ndeshje e dyshimtë në të gjitha kahet. Dhe këtë nuk e thotë autori i këtushëm, por i famshmi për ne, me emrin Anton Mazreku, i cili udhëton me skuadrën më fort si nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit sesa si gazetar. Mazreku i madh nuk e ngre lart lojën e Partizanit, por nuk kursehet deri me epitete të jashtë stilit të tij për gjyqtarin jugosllav Zivko Bajic: 11-metërsh disi i nxituar për bullgarët, anulim i padrejtë i një goli të Panos, përjashtim i Resmes në të 89′! Pa harruar ndërkaq, ndikim prej traumatizimit të Krajës, i cili lë fushën e lojës pa u zëvendësuar (siç ishte rregulli) thuajse në krejt pjesën e dytë.
Për kampionët e Bullgarisë, e cila një vit më parë kishte qenë midis 16 pjesëmarrësve të Kampionatit Botëror në Kili, ishte një kualifikim në fije të perit!… …
DHE 0-0 KÖLN I GJERMANISE SË SCHAFER E OWERATH!
A mund të marrim me mend që të kemi sot një kampione të Shqipërisë që të barazojë në Tiranë me Bayern të Munihut?… Ka qenë e vitit 1964. Në kryeqytetin shqiptar mbërrin kampionia e parë e Bundesligës, Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e kombëtares gjermane, kampionin e botës (1954) Schafer dhe kampionin e ardhshëm të botës, Owerath, po dhe dy nënkampionët e ardhshëm të botës, Weber e Löhr. Dhe Partizani – Köln 0-0 para shikuesve të pamatë, të shtrënguar në tribunat e gurta të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Është një 0-0 përtej historisë. Është absolutisht një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar, një 0-0, të cilin për 90 minuta të tana Partizani e kërkoi ta shndërronte të paktën në 1-0 për të. Lin Shllaku ndoshta qe lojtari më i mirë dhe këtë nuk e them për episodin e paprecedent të fundit të ndeshjes kur kapiteni Schafer, i ndalur në mesin e fushës e kërkoi me sy ku ishte Shllaku dhe nxitoi të shkonte t’i shtrëngonte dorën. Ashtu si mijëra të tjerë e kam parë me sytë e mi këtë episod të rrallë të nderimit të një futbollisti shqiptar prej një kapiteni të madh të Gjermanisë, që vetvetiu flet për përmasat tensionuese dhe të vlerave të kësaj ndeshje madhështore…
Dhe le të rikujtojmë tash ato dy skeda të një rëndësie të paparë historike për futbollin tonë, ku shifra e 26.483 e spektatorëve të duelit të Tiranës, të cilën e kam gjetur tash vonë në botimet e Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) – anëtar i së cilës jam prej plot 30 vjetëve – tregon pra, se dikush ka arritur të mësojë numrin e imtë të biletave të shitura të ndeshjes së “Qemal Stafës”. Them se ky është numri më i madh i regjistruar për një ndeshje futbolli në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” për të gjitha kohërat tona. Ja dhe “pamja” e rrallë e arkivit tim me vendosjen taktike:
Tiranë. 09.09.1964. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”
PARTIZANI – KÖLN 0-0
PARTIZANI: Janku – Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema – Shllaku, Kraja – Bespalla, Ndini, P.Pano, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.
KÖLN: A.Schumacher – Pott, Regh – Weber, Wilden, Sturm – Thielen, Schafer, C.Müller, Overath, Hemmersbach. TRAJNER: G.Knöpfle.
GJYQTAR: S.Varazdinec / YUG.
SHIKUES: 26.483.

Köln. 23.09.1964. St. “Murngersdorfer Stadiun”.
KÖLN – PARTIZANI 2-0
KÖLN: A.Schumacher – Rumor, Regh – Benthauz, Weber, Sturm – Thielen, Schafer, C.Müller, Overath, Löhr. TRAJNER: G.Knöpfle.
PARTIZANI: Janku – Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema – Shllaku, F.Andoni – P.Pano, Ndini, Jashari, T.Shehu. TRAJNER: L.Boriçi. GOLAT: Sturm 80′, Overath 90′.
GJYQTAR: D.Huber / SUI.
SHIKUES: 45.236.

Janë skeda që flasin vetë për madhështinë e këtyre ndeshjeve. (Do t’i përdorin plagjiatorët shqiptarë të gazetarisë, të pamësuar për të regjistruar ngjarjet me saktësi, “egoistë” të pandreqshëm, jo profesionistë, pa shënuar kurrë burimin, të cilët edhe kur kopjojnë nuk dinë të kopjojnë, teksa kopjojnë me gabime, qoftë prej shkrimeve tona, qoftë prej librave tonë. Ju lutem, kopjoni me saktësi!).
Vështroni tash pamjen e ndeshjeve! Të dy golat e Kampiones së Gjermanisë i përkasin minutave 80 dhe 90! S’ka nevojë për koment. Loro Boriçi me këto dy ndeshje, përveç ato të Norrköping- ut suedez, ka dy kryevepra të tjera të tij, pa harruar ndeshjet e tij me kombëtaren apo me Partizanin – Kampion i Ballkanit më 1970. Në ndeshjen e Köln-it gjithçka ka qenë një ankth i vërtetë dhe betoni shqiptar është plasaritur vetëm në fund dhe vetëm me sakrifica të jashtëzakonshme të kampionëve të parë të Bundesligës. Dueli ka pasur jehonë në gjithë Europën dhe sot mbas 52 vjetëve na duket si legjendë edhe pse ngjarja nuk përbën një kualifikim shqiptar.
Po Panajoti?
Në këtë ndeshje të Köln-it, në të 5′, ai e detyron portierin Tile ta çojë topin te goditje e këndit. Në të 28′, driblon tre gjermanë, “një driblim që nuk mund të përsëritet dy here në jetë”, siç thotë kronika dhe topi i tij përshkon gjithë ajrin e zonës gjermane prej ku Andoni detyron Tilen në një tjetër kalim, përsëri në goditje të këndit. Më mbas dy gjuajtje të Panos… Po përse ta zgjasim kësisoj! Më mirë se ne, portretizimin e lojës së Panajot Panos në këtë ndeshje të dytë me Köln, e ka bërë i dërguari i posaçëm, gazetari i mirënjohur, Kristofor Grillo, i cili shkruan:
“… Panajot Pano ishte iniciatori i nisjes së shumë zbritjeve të vijës së sulmit. P.Pano, i mobilizuar në kulm atë ditë, i vuri në shërbim të ekipit të gjitha cilësitë e tij të mira individuale. Sprintet, driblimet dhe krosimet na lanë të habitur edhe ne që e ndiqnim lojën nga jashtë. Nuk mund të harrohet një zbritje e tij në minutën e 28-të. Mbasi mori një top nga Ndini, dribloi Weberin, Reghin dhe pastaj nisi një nga ato vrapimet e tij karakteristike në vijën fundore që e përfundoi me krosimin e topit në zonën e rreptësisë gjermane. Edhe në pjesën e dytë, deri në minutën e 75-të, Pano nuk pushoi duke kontribuar për ekipin e tij. Mbas kësaj minute ai pësoi një traumë…”.
Natyrisht, duke mbetur deri në fund vëmendja e pandashme e kampionëve të mëdhenj gjermanë ndaj tij. A mund të themi sot, teksa kujtojmë dy golat e tyre në minutat e fundit, 80 e 90, pra mbas të 75-ës, që nëse Panajot Pano nuk do të kishte pësuar dëmtimin e tij, ndeshja të mund të kishte shkuar drejt barazimit të dytë?.. Kushedi! Ndonëse dihet, në futboll nuk shkohet me “sikur”…
Një gjë është: rrallë ka ndodhur asisoj si në këtë ndeshje, që një skuadër shqiptare të humbasë 0-2 dhe të duartrokitet nga një stadium i tërë gjerman. Kjo ka ndodhur më 23 shtator 1964 në “Murngersdorfer Stadiun”, në Köln të Gjermanisë. Po ashtu rrallë mund të ndodhë në Gjermani, që mbas shënimit të një goli, spektatorët të futen në fushë nga gëzimi, siç ndodhi në rastin e golit të Sturm në të ’80 (sot UEFA të dënon ashpër për kësi episodesh), çka e detyroi gjyqtarin zviceran Huber të ndërpresë për pak çaste ndeshjen!
E gjitha kjo të dukej si një paralajmërim i dramave të ardhshme, të pashembullta shqiptaro – gjermane, që nuk janë synim i këtij tregimi. Ngjarje që tashmâ, për futbollin “e vogël” shqiptar, janë bërë legjendë dhe për të cilat është shkruar kushedi sa herë… Dhe në kryesoret e tyre protagonisti është një: Panajot Pano.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"