Për ata që akoma besojnë se Stavro është i ndershëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2020 | 19:28

Për ata që akoma besojnë se Stavro është i ndershëm

VIRON BEZHANI

viron bezhani

Detyrohem edhe një herë të bëj publike një tjetër aferë të rëndë të Stavros. Meqenëse Stavro aludon se unë kam dashur të bëj “drejtorin” në KOKSH, shikoni se si “doktori i shkencave” Bello ka parashikuar që t’i përdorë fondet që do të merrte sponsorizim nga “Raifaisen Bank”. Ky është preventivi që Stavro, me kokë të vet, i ka paraqitur sponsorit. As e ka diskutuar me njeri, as e ka miratuar në Komitetin Ekzekutiv.

E ka hartuar me stilin e tij të zakonshëm dhe e ka çuar… Në këtë preventiv nuk ka asnjë fjalë dhe asnjë lek për Lojërat Olimpike në “Tokio 2020”, ndërkohë që sponsorizimi ishte për këtë aktivitet. Nuk ka asnjë fjalë dhe asnjë lek për sportistët elitarë dhe federatat që synojnë të çojnë sportistë në Olimpiadë. Në preventiv ka: Lekë për festa dhe darka. Lekë për 3000 bluza që ne kemi marrë falas nga Solidariteti Olimpik dhe asnjëherë më shumë se 1000 copë… Lekë për uniforma me çmime skandaloze 25 mijë lekë pala. Lekë për “promocione dhe broshura” që nuk dihet se çfarë janë.

BELLO BEZHANI

Pra, ka lekë për gjithçka që i leverdis Stavros, por asgjë që shkon në interes të sportistëve olimpikë dhe Lojërave Olimpike “Tokio 2022”. Unë e kuptoj që Stavro është në hall dhe halli të bën të flasësh përçart ndonjëherë. E kuptoj që Stavro nuk ishte mësuar t’i kërkonte dikush llogari dhe, kur iu kërkua, i dukej se po i hynin në “xhepin” e vet, sepse KOKSH ka qenë xhepi i tij. Por unë prapë po këmbëngul ta pyes Stavron dhe shokët e tij: Si e shpjegon këtë preventiv që nuk e ke miratuar në Komitet? Pse këto para që i ke marrë për Lojërat Olimpike, i ke shpërdoruar në këtë mënyrë?

Të na shpjegojë zoti Stavro, si ka mundësi që për ditën olimpike që disbursohet nga Solidariteti Olimpik, gjatë vitit 2018 janë harxhuar gjithsej 500.525 lekë, ndërsa në preventivin e kontratës për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” parashikon 1.300.000 lekë për ditët olimpike që nuk kanë lidhje fare me aktivitetin e Tokios.

Si mund të thuash që presidenti nuk di se çfarë kërkon, kur presidenti kërkonte pikërisht të zbulonte këto thagma që ti ke bërë edhe që akoma nuk kanë dalë të gjitha në dritë? Unë po kërkoj të mbash përgjegjësi për këto gafa të rënda që ke bërë në vazhdimësi. Dhe do ta kërkoj deri në fund, sado të mundohesh të gjesh miq e ndërhyrje për të shpëtuar. Unë do të bëj detyrën e presidentit të KOKSH deri në fund. Ti të jesh i sigurt se nuk do të lejohesh më të bësh “doktorin e shkencave” në menaxhimin e parave të KOKSH.

Dokumenti

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"