Flamurtari me flamurin në gjysmë shtizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2019 | 23:18

Flamurtari me flamurin në gjysmë shtizë

MOISI DALIPI

Moisi Dalipi

Opinioni sportiv në Vlorë këto ditë në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik po jeton me lajmet që prodhohen nga kampi i skuadrës së Flamurtarit. Të gjithë të zhytur në diskutime, hipoteza, dëshira dhe pak shpresë për ndryshimin pozitiv e interpretojnë sipas mënyrës së tyre këtë krizë të fortë që po kalon skuadra.

Dhe e përbashkëta e çdo mendimi bashkohet në një pikë: “Një gjendje të tillë Flamurtari nuk e ka përjetuar asnjëherë më parë”. Vetë gjendja e ekipit, e pakonturuar, pa fazë përgatitore, me një mungesë besimi të futbollistëve për të luajtur për ngjyrat e kësaj skuadre, por edhe me largimin e trajnerit Haxhiu dhe drejtorit sportiv, Pollozhani, të emëruar vetëm pak ditë më parë, po lë një shije aspak bindëse te të gjithë në prezantimin që pritet të bëjë Flamurtari për sezonin e ardhshëm.

flamurtari

Ambienti dhe klima e krijuar tani së fundmi kanë bërë që Flamurtari të jetë me flamurin në gjysmë shtizë ende pa filluar gara futbollistike. Edhe pse dy ditë më parë u konfirmuan tre-katër futbollistë të afruar nga merkatoja, përsëri gjendja nuk është aspak optimiste. Grupi i futbollistëve të ardhur me shumicë, si asnjëherë tjetër nga ekipi U-19 dhe ajo “skuadrilje” e merkatos, janë pa asnjë ditë stërvitje kolektive në aspektin fizik dhe atë tekniko-taktik. Këto dhe shumë arsye të tjera që më mirë se kushdo i dinë specialistët e futbollit janë një arsye më shumë për t’u bindur se Flamurtari nuk ka skuadër për të hyrë në garën e Kategorisë Superiore.

Duke lëvizur mendimin nga vendi, vetëm pak ditë më parë, në ato ditë kur në krye të skuadrës u vendos si trajner Grerd Haxhiu, të gjithë besuan se mund të bëhej diçka pozitive për krijimin e një skuadre emergjente, por që me kalimin e javëve do të konturohej dhe do të merrte vlerat e një skuadre modeste në përfaqësim. Ky ishte edhe plani që kishin përgatitur bashkë trajneri Haxhiu dhe drejtori Pollozhani, ku në boshtin e futbollistëve me përvojë, si Koliçi, Veliu, Kotobelli, Sukaj, Ribaj, Deliaj, Beqaj dhe Hoxhaj, të konfirmohej në skuadër dhe grupi i futbollistëve të rinj të afruar nga moshat në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, si Haruni, Qarri, Diamanti, Ziaj, Ymeraj, Rrapaj e tjerë të ardhur rishtas nga U-19.

Ky plan i premtuar për t’u zbatuar nga administratori Idrizi nuk funksionoi si duhet edhe në kohën e kërkuar nga drejtuesit e klubit, duke sjellë këtë gjendje, por edhe largimin e trajnerit Haxhiu të vetësakrifikuar për iniciativën që mori në momentet e vështira që po kalon Flamurtari. Dhe kjo ndodhi në një moment jo shumë të mirë dhe kur drejtuesit e Flamurtarit, pas marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve me këste dhe sigurimit të licencimit të klubit për pjesëmarrje në garat e sezonit të ri, menduan se kaluan krizën.

Gjithsesi, edhe pse ato që ndodhin çdo ditë te Flamurtari mund të quhen çudira, sepse vlonjatët nuk janë mësuar ta shikojnë skuadrën e tyre të vuajë kaq shumë në prag të një sezoni të ri, duhet pranuar se kjo gjendje e krijuar kështu nuk ka qenë e paparashikuar më parë. Që me mbylljen e sezonit të kaluar, kur diskutohej për Flamurtarin e sezonit të ardhshëm, për borxhin mal të krijuar nga detyrimet e pashlyera, për arsyet e vonesës të privatizimit të klubit e të tjera probleme të lakuara këto ditë nga shtypi sportiv, të gjithë me në krye administratorin Idrizi vetëm premtonin se do të bënin atë dhe këtë, ndërsa harronin shpejt çfarë kishin thënë për zbatimin në planin konkret.

Vonë, shumë vonë ka hyrë në “lojë” edhe Bashkia e Vlorës me anë të kryetarit të saj, Leli që këto ditë në deklarimet e tij beson më shumë në ndryshimin e gjendjes së Flamurtarit vetëm me miratimin e ligjit të sponsorizimeve në sport, që pritet të miratohet në muajt e ardhshëm. E thënë më qartë: Flamurtarit i duhen zgjidhje, jo premtime. Çdo vonesë shton pasojat dhe zhvlerëson emrin e një skuadre që për vlonjatët është një nga simbolet e qytetit të tyre.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"