Të shesësh dhe të blesh Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2020 | 21:14

Të shesësh dhe të blesh Vllazninë

ARTAN SHYTI

artan shyti

Lajmi që Vllaznia do të dalë në shitje dhe do të shkëputet përfundimisht nga Bashkia e Shkodrës është pa dyshim pozitiv në parim. Në mënyrë paradoksale, qyteti që filloi luftën kundër diktaturës dhe ishte në pararojë të saj, ka ngelur bastioni i fundit i menaxhimit “komunist” të sportit, domethënë i pronësisë së plotë zyrtare publike të një klubi futbolli në Superiore.

Kjo gjë duhet të përfundonte sa më shpejt, edhe në zbatim të ndryshimeve në Ligjin e Sportit nga Kuvendi në korrik të 2020-s. Por detajet e këtij procesi duhen analizuar me kujdes, sepse megjithëse vullneti është qartazi pozitiv, shpeshherë problemi qëndron në detaje… Bashkia ka caktuar një çmim fillestar ankandi prej 570 milion lekësh.

Por pyetja është: Çfarë po shet bashkia? Duket se me këtë vlerë, një privat ka të drejtë të blejë vetëm emrin dhe stemën. Se nuk do blejë as fusha futbolli, as zyra dhe asgjë tjetër të patundshme si pronë.

Por a është realisht historia, emri dhe stema e Vllaznisë një produkt që mund të shitet? A bëhen ato dot pronë reale e një apo disa individëve që privatizojnë klubin apo është dhe do të mbetet “pronë” morale e çdo shkodrani, në Shkodër dhe në gjithë botën…? A munden ata që do t’i “blejnë”, të ndryshojnë emrin dhe stemën e Vllaznisë, siç bën kushdo me pronën e tij reale, pa u bërë “hasëm” me komunitetin sportiv më të zjarrtë në Shqipëri?

Po, kur nuk kanë asnjë shans t’i ndryshojnë (nëse, larg qoftë, ju shkon në mend) çfarë prone kanë blerë…!? Nga ana tjetër si mundet që atij që e blen klubin t’i faturohen edhe borxhet që pronari i mëparshëm ka krijuar!?

Kjo duket e padrejtë! Borxhet, në parim, i paguan ai që i ka krijuar, pra bashkia, dhe nuk mund t’i ngarkohen privatit që nuk ka asnjë përgjegjësi në krijimin e tyre. Sidoqoftë, varianti më efektiv i shkëputjes së pushtetit lokal nga menaxhimi i drejtpërdrejtë i klubeve sportive mund të ishte, jo shitja simbolike e emrit dhe stemës, por dhënia e tyre me koncesion te privati, bazuar në një plan biznesi konkret dhe me kushte të qarta menaxhimi.

Dhënia me koncesion, që nënkupton menaxhimin privat të klubit, mund të bëhet me ankand ku fiton plani i biznesit më bindës dhe realist. Ndërkohë emri dhe stema e klubit përdoren nga privati, por ngelen “pronë” e bashkisë si përfaqësuesja e qytetarëve të Shkodrës që janë realisht dhe simbolikisht, pronarët e vërtetë të historisë, emrit dhe stemës së Vllaznisë.

T’i kërkosh investitorit privat që të harxhojë para për të blerë simbolikisht një klub futbolli (sepse konkretisht nuk blen asgjë), pastaj që të paguajë borxhet që nuk i ka krijuar ai, pastaj që të investojë shuma të konsiderueshme në një biznes që nuk ka qenë me fitim deri në momentin e privatizimit (Vllaznia ka të publikuara në QKR 700 milionë lekë humbje të akumuluara në vite), është një ngarkesë e padrejtë për këdo që synon të hyjë në këtë biznes me shumë probleme. Në rastin e privatizimit të aktivitetit te klubeve sportive, iniciativa private duhet stimuluar sa më shumë dhe jo ngarkuar me pagesa të padrejta. Në të kundërt ti shkon të shesësh, po kush vjen të blejë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"