Një fitore e ngjit në elitë, Dinamo do të mbarojë punë që në Lushnjë. Ja situata në kampin e bluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2023 | 13:56

Një fitore e ngjit në elitë, Dinamo do të mbarojë punë që në Lushnjë. Ja situata në kampin e bluve

Dinamo është vetëm një trepikësh larg elitës. Nëse fitojnë në “Roza Haxhiu” të dielën, kryeqytetasit do të jenë zyrtarisht në elitë. Në gjuhën e tenisit, kjo ndeshje do të ishte “match-point” i parë i bluve për realizimin e objektivit sezonal. Ndryshe nga Skënderbeu dhe Flamurtari kanë vetëm dy ndeshje për të luajtur dhe të dyja në transfertë, ndërkohë të sigurt kanë edhe trepikëshin me Tërbunin e përjashtuar.

dinamo

Blutë janë 4 pikë para vendit të tretë dhe llogaria është e thjeshtë: fitorja në Lushnjë do të thotë Superiore, skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti nuk mund të kapet më nga vlonjatët, edhe nëse këta të fundit i fitojnë të tria ndeshjet e mbetura.

Në rast barazimi apo humbje në transfertën e kësaj jave, “ekuacioni” do të zgjidhej me shumë mundësi në javën e fundit dhe do të varej nga kombinimi i rezultateve të dy rivalëve. Nuk do të jetë aspak e lehtë me Lushnjën, sepse ajo ka nevojë për pikë mbijetese në këtë moment.

TITULLI – Dinamo në letër ka shanse të mëdha edhe për titullin kampion të Kategorisë së Parë, por gjithmonë duhet të fitojë ndeshjet e saj. Nëse blutë e bëjnë këtë gjë, kanë shumë shanse të parakalojnë Skënderbeun kryesues, që është vetëm një pikë para. Korçarët kanë një kalendar më të vështirë, pasi luajnë në fushat e dy skuadrave që kërkojnë mbijetesën, siç janë Turbina dhe Lushnja.

DËMTIMET – Para javës së 24-t, Dritan Mehmeti duhet të bëjë apelin çdo ditë për të kuptuar se me çfarë skuadre do të shkojë në Lushnjë. Dinamo është penalizuar çdo javë nga mungesat dhe kështu pritet të ndodhë edhe këtë herë.

Gjatë ndeshjes me Besën, për shkak problemesh fizike lanë fushën Imami dhe Bardhi. Gjendja e tyre do të shihet gjatë javës dhe shpresat janë që ata të jenë gati.

Nën monitorim mbetet edhe gjendja e Denisonit. Sulmuesi ishte në tribunë kundër kavajasve, për shkak të një tërheqjeje muskulore.

E sigurt është mungesa e Smaçit, që duket se e ka mbyllur sezonin për një dëmtim në gju. Lajmi i mirë është rikthimi i Prodanit, i cili ka shlyer skualifikimin për shkak kartonësh.

Ndaj Besës u kthye Ivani, që luajti në pjesën e dytë vetëm pas një dite stërvitje me grupin, ndërsa këtë javë pritet që ai të jetë gati nga minuta e parë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"