Nis rikonstruksioni i stadiumit, Korabi në garë me kohën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2016 | 16:01

Nis rikonstruksioni i stadiumit, Korabi në garë me kohën

Korabi synon me çdo kusht që ta luajë në shtëpi gjysmën e dytë të sezonit. Fakti që skuadra dibrane i zhvilloi në Tiranë, Kukës dhe Peqin ndeshjet si pritëse në dy fazat e para të Kategorisë Superiore, ndikoi në ecurinë negative të ekipit.

Stadiumi Korabi 1

Për këtë arsye, klubi nuk dëshiron më të privohet nga mbështetja e tifozëve, të cilën e konsideron jetike për t’i dhënë një dorë skuadrës në realizimin e objektivit të mbijetesës.

Ndaj, prej ditës së mërkurë kanë nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Korabi”. Lajmin e bëri të ditur sot vetë klubi dibran me një postim të shkurtër në “Facebook”, ku shpjegohet se punimet vijojnë edhe në këtë moment dhe po bëhet maksimumi që ndeshja hapëse e fazës së tretë të zhvillohet në Peshkopi.

Stadiumi Korabi 2

Në dispozicion të Korabit mbeten rreth 23 ditë deri në duelin e 21 janarit përballë Laçit, një rival direkt në garën për të mbijetuar mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"