Nikaj shënjestron Teutën: Koha të kthehemi te fitorja, Skënderbeu të luaj si me… Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2023 | 19:49

Nikaj shënjestron Teutën: Koha të kthehemi te fitorja, Skënderbeu të luaj si me… Tiranën

Skënderbeu kërkon fitore me çdo kusht të premten ndaj Teutës, në ndeshjen që do të luhet në orën 17:00 në stadiumin e Korçës. Nisur nga rezultatet e fundit, bardhekuqtë e shohin triumfin si të vetmen alternativë që ju bën punë pas 5 ndeshjesh me vetëm dy pikë të marra. Për sulmuesin shkodran, Ardit Nikaj, një ndeshje e tillë vlen më shumë se tre pikë, pasi është një përballje me një ekip që ka të njëjtin objektiv si Skënderbeu.

nikaj

“Jemi në një moment ku fitorja do të jetë një rezultat i cili mund të na bëjë punë, pasi në pesë javë kampionat, kemi vetëm dy pikë. Është një ecuri, e cila nuk na pëlqen dhe nuk e shohim si të përshtatshme për objektivat që kemi si grup. Por, nëse pikët mungojnë, është loja ajo që na bën të besojmë se jemi në rrugën e duhur. Ndaj Teutës duhet të tregojmë karakter dhe dëshirë për të fituar. Le të bëjmë të njëjtën ndeshje si ndaj Tiranës dhe gjithçka do të ecë mirë”, ka thënë fillimisht Nikaj për “Panorama Sport”. Për sulmuesin, ndeshja me durrsakët është kyçe për vazhdimësinë, ndërsa thekson se fati nuk ka qenë me Skënderbeun në disa takime.

“Fati ka qenë ai që na ka penalizuar, por me pak më shumë përqendrim, mund t’ia dalim. Teuta është një skuadër e vështirë dhe me cilësi, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë. Një fitore përballë tyre, aq më tepër që luajmë në fushën tonë, do të jetë shumë e rëndësishme dhe mund të them se vlen më shumë se 3 pikë. Këtë e them edhe për faktin se jemi afër me pikë në kampionat, dhe këtë vit Superliga është shumë e fortë. Me një fitore do të lëmë pas një ekip që ka të njëjtin objektiv minimal, njësoj si ne. Prandaj dhe kjo ndeshje duhet fituar”, deklaroi sulmuesi shkodran i Skënderbeut.

KOMBËTARJA DHE RASHICA

I ndalur më pas tek eksperienca me Kombëtaren U-21 dhe bashkëpunimi me Rashicën në majën e sulmit, Nikaj nuk i kurseu elozhet. “Të veshësh fanellën kuqezi është një ëndërr që jo gjithmonë realizohet. Unë jam shumë krenar për këtë fakt dhe shpresoj që do të më ndihmojë shumë të rritem cilësisht. Me Rashicën kemi qenë bashkë këto ditë dhe mund të them se po merremi vesh shumë mirë. Kemi folur gjatë dhe jam i bindur se do të funksionojmë më mirë në vijim. Është një sulmues i talentuar dhe më plotëson në majën e sulmit”, përfundoi Nikaj.

LLAZI SARO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"