“Nica krijoi harmoni”, mbrojtësi i verilindorëve synon dhe fitoren me Vllazninë: Ju tregoj objektivat e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2023 | 13:00

“Nica krijoi harmoni”, mbrojtësi i verilindorëve synon dhe fitoren me Vllazninë: Ju tregoj objektivat e Kukësit

Kukësi duket plotësisht i rilindur në pesë takimet e fundit, sepse nga 15 pikë të mundshme kanë arritur të grumbullojnë plot 10. Rezultate që e kanë larguar nga vendi i fundit në mbyllje të kësaj faze të parë. Një ekip që duket se po krijon stabilitet dhe idetë e Stavri Nicës po vihen në zbatim, diçka që e tregoi edhe ndeshja e fundit me Laçin, aty ku blutë fituan në shifrat 1 me 0.

franci lala

Të paktën, kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport” mbrojtësi Franci Lala, i cili ka arritur të fitojë një rol titullari, teksa në pesë takimet e fundit ka luajtur minutat e plota duke u kthyer në një lojtar të rëndësishëm për skemat e Nicës.

“Me Laçin e kishim të qartë që ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e kishim vlerësuar maksimalisht. Dihet që Laçi është një ekip me cilësi, por ne dhamë më të mirën në fushë dhe ia dolëm të merrnim tri pikët, të cilat i kishim të nevojshme në këtë moment të kampionatit. Mendoj se me ardhjen e profesor Nicës grupi është lidhur më shumë me njëritjetrin dhe kanë krijuar harmoni”, u shpreh fillimisht për gazetën, mbrojtësi 24-vjeçar, i cili këtë sezon erdhi nga radhët e skuadrës së Korabit.

OBJEKTIVAT – Ish-futbollisti i Partizanit dhe Luftëtarit në Superiore, pohon më tej se skuadra ka si objektiv të mendojë gjithnjë për ndeshjen e radhës. Ai beson se do të vijojnë me ecurinë pozitive edhe në kampionat, aty ku presin Vllazninë në shtëpi.

“Objektivi personal, por edhe ai i ekipit, është të mendojmë gjithnjë për ndeshjen e radhës. Në çdo ndeshje duam të bëjmë gjithnjë e më mirë dhe të njëjtën gjë synojmë edhe ndaj Vllaznisë.

Është një përballje që do ta vlerësojmë maksimalisht, për vetë vlerat që ka ekipi kundërshtar dhe atë që ka treguar deri më tani. Mirëpo, ne si në çdo ndeshje hyjmë në fushë për të marrë më të mirën e mundshme.

Për më tepër që luajmë në shtëpinë tonë dhe nuk kënaqemi me asnjë rezultat veç fitores”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën mbrojtësi i skuadrës së Kukësit. Megjithatë, edhe pse Kukësi po kalon një formë të mirë, pretendon që sa më shpejt të largohet nga pozicionet e vendit të fundit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"