Nica e njeh Laçin, Kukësi i mori 12 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2023 | 14:00

Nica e njeh Laçin, Kukësi i mori 12 pikë

Kukësi po vijon me intensitet të lartë përgatitjet, me shpresën se ndaj Laçit do të jenë në formën optimale për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Përpos humbjes ndaj Partizanit në javën e fundit, në kampin blu nuk ka shenja pesimizmi për vazhdimësinë.

kukesi stavri nica

Fakti që skuadra po luan dhe për më tepër gjen forca edhe për të shënuar gola, jep shpresë se do të korrin në vazhdimësi rezultate pozitive për t’iu larguar vendit të fundit. Gjasat janë që ekipi të jetë i plotë, përveç sulmuesit Rashiti të dëmtuar.

NJOHJA E NICËS – Ndeshja e radhës është përballë Laçit, ish-skuadrës së Stavri Nicës. Bëhet fjalë për një ekip që tekniku e njeh në detaje, sepse e ndërtoi vetë dhe nga fillimi dhe madje i drejtoi edhe për një javë këtë sezon.

Pikërisht njohja që Nica ka për kundërshtarin e radhës pritet të jetë një armë plus për verilindorët, të cilët kanë treguar se edhe pse me djem të rinj dhe pa eksperiencë, dinë të marrin rezultate pozitive.

Gjatë gjithë këtyre ditëve në seancat stërvitore është punuar në kuadër të kësaj përballjeje, e cila vjen në momentin më të mirë për kundërshtarin.

SHIFRAT – Rrallëherë ndodh në Superiore që një skuadër të mundi Laçin katër herë brenda një sezoni, për shkak se kurbinasit janë një klub që vazhdimisht pretendon Europën.

Mirëpo, Kukësi, në sezonin e vet më të dobët në Superiore, siç ishte vitin e kaluar, arriti t’i merrte 12 pikë të plota kurbinasve. Ishin pikërisht këto pikë që në fund i dhanë skuadrës edhe mbijetesën, duke treguar se Kukësi ka forca ta mundë Laçin edhe në ditët e veta jo të mira.

E njëjta situatë duket edhe tani, ndaj në Kukës besojnë se mund t’ia dalin. Edhe në bilancin e përgjithshëm janë të besuarit e Stavri Nicës ata që janë paraqitur më mirë. Në 47 takime në total, Kukësi ka fituar 20, barazuar 17 dhe humbur 10. Me pak fjalë Kukësi gjen shpeshherë shpëtim te skuadra e Laçit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"