Nga Roshi te Bare dhe Uzuni, Apolonia krenohet me idhujt që ka prodhuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 11:04

Nga Roshi te Bare dhe Uzuni, Apolonia krenohet me idhujt që ka prodhuar

Myrto Uzuni, një futbollist që nuk di të bëjë hapa mbrapa, që ka punuar gjithherë me pasion e këmbëngulje, i bindur dhe kokulur, ambicioz dhe duke besuar fort në ëndrrën e tij, Kombëtaren e madhe, çka iu bë realitet mbrëmjen e 10 tetorit të këtij viti, kundër Jordanisë. 45′ në fushë dhe Uzuni mund të kishte pasur një “prolog” më mbresëlënës si kuqezi, por shtylla ia mohoi golin. E pastaj një tjetër provë në rritje, me 90′ të plota ndaj Izraelit.

Uzuni Shqiperia

Për retrospektivë të fillesave të tij sportive, 23- vjeçari i pati kontaktet e para me topin në Berat për t’u zhvendosur pastaj në Greqi, ku, për shkak të dokumentacionit, dështoi kalimi i tij tek akademia e Olimpiakosit të Pireut. Rikthehet në Shqipëri, paksa zemërthyer, por kurrë i demotivuar, përkundrazi, plot kurajë dhe vendosmëri për të ecur përpara. Bëhet pjesë e moshave të Tomorit dhe më 2012 shpallet shënuesi më i mirë për U-17 në Kategorinë e Parë, me 14 gola.

Uzuni

Një vit më pas, në shtator 2013, 19-vjeçarët e Tomorit marrin pjesë në një turne ndërkombëtar në Spanjë dhe Uzuni shfaqet si shënuesi më i mirë i këtij evenimenti. Thërritet në ekipin e rritur nga trajneri Muzhai dhe qysh në debutim Uzuni shënon 2 gola, në një ndeshje kupe kundër Pogradecit.

Me Tomorin do të aktivizohet 23 ndeshje të cunguara, duke shënuar vetëm 3 gola dhe pastaj do të hidhte një hap cilësor në karrierën e tij, duke u bërë pjesë e Apolonisë së Fierit, asokohe e drejtuar nga trajneri Artan Mërgjyshi, eksperienca e parë e Uzunit në Superligë.

dsd

Dhe në Fier talenti beratas do të shpaloste në mënyrë të dukshme aftësitë e tij. Shpërthimi Në dy sezone e gjysmë tek Apolonia, u aktivizua në 69 ndeshje kampionati dhe realizoi 23 gola, teksa spikat në sezonin 2016-2017, si shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë me 17 gola.

Kejdi Bare Kombetarja

Më tej, kulmi i tij në Shqipëri do të regjistrohet te Laçi, ekip Europe, ku aktivizohet 38 ndeshje e shënon 11 gola, madje lë “gjurmën” e tij në Evropë ndaj Anorthosis Famagusta, me gol kualifikues për kurbinasit për turin pasardhës. Përtej kësi modeli momental, ka edhe raste të tjera që duhen evidentuar, futbollistë që kanë spikatur në futbollin elitar shqiptar apo dhe më gjerë, duke pasur si trampolinë Apoloninë e Fierit.

odise roshi

Pa e tepruar me retrospektivë të tejngarkuar, mjafton të kujtojmë Roshin dhe Baren, por pa harruar se tek Apolonia u formua si lojtar Blerim Krasniqi, sot sulmues i kampionëve të Skënderbeut; tek Apolonia luajnë disa talente të padiskutueshme, si: Redon Mihana (i dëmtuar momentalisht), Mario Gjata, Krisild Zoga apo edhe të tjerë, lojtarë të rinj që tek Apolonia kanë gjetur hapësirën, besimin dhe promocionin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"