Nga Iraku në Krujë, mesfushori Zetuna: Jemi më të fortë se vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 21:35

Nga Iraku në Krujë, mesfushori Zetuna: Jemi më të fortë se vjet

Kastrioti arriti të fitonte të hënën në ndeshjen e parë të raundit të 1/16-ave të Kupës së Shqipërisë. Për mesfushorin e krutanëve, Jusuf Zetuna, ky ishte një hap i rëndësishëm. Lojtari nga Iraku luan sezonin e dytë me fanellën e krutanëve dhe ka fituar besimin e trajnerit Çela.

Zetuna

Edhe pse më së shumti është aktivizuar nga stoli, Zetuna ka dhënë maksimumin e tij sa herë ka pasur hapësira, qoftë në kampionat apo në ndeshje të Kupës.

“Me Vorën ishte një ndeshje e vështirë, pavarësisht se kundërshtari militon në Kategorinë e Dytë. Kundërshtari na vuri disa herë në vështirësi, por ne arritëm të bënim një lojë të mirë dhe të fitonim, ndonëse minimalisht, 1-0. Ishte një ndeshje që duhet ta kishim fituar me një rezultat tjetër, por ky është futbolli.

Tani jemi totalisht të përqendruar te sfida e kampionatit që kemi të shtunën me Egnatian në transfertë. Kjo skuadër është e fortë, por edhe ne jemi më mirë se vjet. Do të shkojmë atje për të luajtur futboll dhe kam besim se do t’ia dalim me sukses”, ka thënë dje Zetuna për “Panorama Sport”.

Ndërkohë, krutanët gjatë këtyre ditëve janë stërvitur në normalitet dhe për ndeshjen ndaj Egnatias, Çela e ka kontigjentin e plotë. Kjo ia lehtëson zgjedhjet për formacionin trajnerit.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"