“Në Durrës si aksident”, Frenklin premton: Fitojmë me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2024 | 22:36

“Në Durrës si aksident”, Frenklin premton: Fitojmë me Kukësin

Skënderbeu është duke përgatitur ndeshjen e radhës ndaj Kukësit në kampionat. Ndeshje në të cilën korçarët kërkojnë të lenë pas humbjen me Teutën dhe t’i rikthehen fitoreve për të pasur një siguri më shumë në renditje.

Frenklin

Gjithsesi, humbja e kësaj jave duket se ka sjellë me vete edhe problemet sa i takon lojës së shprehur nga ekipi në këtë takim. Lojë që nuk ka përmbushur pritshmëritë e bardhekuqve. Për sulmuesin kryesor të skuadrës korçare Frenklin Ahanonu, ky rezultat dhe mbi te gjitha ajo lojë e zhvilluar në Durrës, kanë qenë thjesht një episod, pasi ekipi ka shumë më tepër potencial nga sa ka treguar në këtë takim.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Frenklin analizon ndeshjen e fundit me besimin te cilësitë e ekipit. “Vijmë nga një humbje e cila mund të quhet e dyfishtë për vetë faktin se kemi lënë pikë ndaj një rivali për mbijetesë dhe mbi të gjitha, nuk kemi treguar lojë në këtë takim. Kjo e fundit na ka shqetësuar më shumë, pasi nuk jemi mësuar me të tilla paraqitje.

E them me bindje se ka qenë vetëm një episod i izoluar. Jemi munduar ta analizojmë takimin por nuk kemi dalë në përfundimin se përse ndodhi diçka e tillë. Unë do të preferoja ta quaja një ndodhi episodike, pasi cilësitë dhe rendimenti i këtij ekipi nuk na ka munguar kurrë në këtë masë.” theksoi fillimisht Frenklin.

I vendosur në bankën e të akuzuarve së bashku me gjithë repartin e sulmit, ganezi flet pa doreza kur thotë se ofensiva ka ardhur në rritje, por finalizimi në disa ndeshje nuk është ai i duhuri. “Sa i përket sulmit mendoj se po rritemi dhe kemi krijuar një farë konsolidimi me dy lojtarët e tjerë të ekipit. Por në ndonjë rast loja nuk del ashtu siç e kemi parashikuar. Mendoj që do të zgjidhet çdo gjë.”- vijoi Frenklin.

KUKËSI – Sa i përket ndeshjes së radhës në kampionat kundër Kukësit, e cila luhet të dielën në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, sulmuesi bardhekuq u shpreh se skuadra do kërkojë patjetër fitoren, duke u kthyer në këtë mënyrë te fitorja dhe skuadra të harrojë sa më shpejt atë humbje ndaj Teutës.

“Rikthehemi në shtëpi, përpara tifozërisë tonë dhe kjo sigurisht që është një plus i madh për të gjithë ne. Kukësi është një skuadër shumë e fortë dhe që meriton respekt maksimal. Gjithsesi, ne nuk mendojmë asgjë tjetër veç fitores, pasi gjatë gjithë këtyre ditëve kemi punuar me stafin dhe besoj jemi gati fizikisht por edhe psikologjikisht për të zhvilluar një ndeshje perfekte, ashtu siç bëmë ndaj Tiranës dhe te rikthehemi menjëherë te rezultatet pozitive.

Dua të theksoj se atmosfera në skuadër është mjaft e mirë, jemi një grup i bashkuar që kemi harmoni të plotë njëri me tjetrin dhe patjetër që ky fakt do na ndihmojë që të kemi gjithmonë një ecuri në ngritje e sipër. Ftoj tifozët në stadium për ta kthyer ndeshjen ndaj Kukësit në një ditë feste”, mbylli prononcimin e tij sulmuesi kryesor i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"