Në distancë komode nga rivalët. Kastrioti nuk injoron asgjë për kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2020 | 23:06

Në distancë komode nga rivalët. Kastrioti nuk injoron asgjë për kampionatin

Te Kastrioti seancat stërvitore kanë vijuar në normalitet të plotë këto tri ditë të para, teksa “doza” e ngarkesës fizike ka filluar që të shtohet gradualisht nga ana e trajnerit Ramazan Ndreu. Fakti që katër skuadrat e para të grupeve të Kategorisë së Parë e rinisin më 14 qershor kampionatin, u jep më tepër kohë lojtarëve dhe stafeve teknike për t’u përgatitur për sfidën e radhës.
Beselidhja Kastrioti 1-0
Krutanët do të luajnë në transfertë ndaj Korabit, një sfidë mjaft delikate dhe e vështirë, pavarësisht se Kastrioti ka komoditetin e diferencës prej 9 pikësh me vendin e dytë që mbahet nga Besëlidhja.

Nga kampi krutan shpesh është pohuar se çdo ndeshje do të ketë vlerësim maksimal, sikur Kastrioti të mos ishte i shkëputur në renditje. Aktualisht, vetëm mesfushori Xhulio Mehmeti është stërvitur i diferencuar, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është nën urdhrat e Ndreut.

Kuptohet që stërvitja është zhvilluar duke respektuar distancat e vendosura nga ISHP që janë bërë të ditura në protokollin e FSHF-së. Pas seancës së djeshme stërvitore, ka pasur disa momente të gëzuara në skuadër, pasi mbrojtësi Indrit Prodani mbushte 22 vjeç dhe stafi teknik vendosi ta surprizonte me një tortë me mbishkrimin: “Indrit, u bëfsh 100 vjeç!”

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"