“Në Ballsh nuk u treguam pragmatistë”, Kuro: S’na falen më gabimet, duhet të fitonim ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2021 | 15:28

“Në Ballsh nuk u treguam pragmatistë”, Kuro: S’na falen më gabimet, duhet të fitonim ndaj Bylisit

Mbrojtësi i Teutës, Aleksandër Kuro, ndien keqardhje që skuadra e tij nuk doli me tri pikë nga Ballshi. Për “Panorama Sport” ai analizon sfidën ndaj Bylisit, ndërsa flet edhe për vazhdimësinë në kampionat. Kuro mendon se Teuta i ka të gjitha mundësitë që ta mbyllë këtë sezon si kampione. Lojtari i krahut të majtë me origjinë nga Gjirokastra, por i formuar si futbollist në Greqi, ku edhe është aktivizuar në disa skuadra, luan sezonin e dytë në Durrës.

Torasa Kuro

Nuk ia dolët të fitonit ndaj Bylisit. Çfarë nuk shkoi?

Mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e parë, ku dominuam dhe kishim mundësi të shënonim dy ose tre gola. Megjithatë, u ndëshkuam nga një episod dhe më pas loja shkoi ashtu siç shkoi. Më vjen keq që nuk vijuam me fitore në një ndeshje të vështirë dhe me një ekip si Bylisi.

Gjithsesi, keni vuajtur shumë në një ndeshje ku mund të kapnit kreun…

Nuk besoj se vuajtëm shumë, por duhet të ishim më pragmatistë. Bylisi nuk është se kishte ndonjë rast të rrezikshëm në pjesën e dytë. Ishte një barazim që nuk na shkon për shtat, pasi kishim mundësi ta mbyllnim ndeshjen.

Sa ka ndikuar kalendari i ngjeshur?

Normalisht që do të ketë luhatje në lojë me këtë ngjeshje. Nuk është se ndryshoi gjë në Ballsh nga ndeshja që bëmë me Vllazninë, por thjesht duhet të tregoheshim më të kujdesshëm, pasi tashmë jemi në një fazë ky gabimet nuk na lejohen.

Mendoni se kjo Teutë është më e fortë se sezoni i kaluar?

E mira e kësaj Teute është se jemi i njëjti grup. Është larguar një lojtar shumë cilësor si Kallaku, por kanë ardhur të tjerë, që mendoj se janë përshtatur mjaft mirë me ekipin.

Luani sezonin e dytë në Durrës dhe ju mungon vetëm titulli me Teutën…

Jam përshtatur mirë, pasi në Durrës është një klimë shumë e mirë për të gjithë futbollistët që afrohen. Jam i lumtur, pasi rrethohem nga persona pozitivë dhe dua që të fitojmë titullin këtë sezon.

Si i shikoni shanset për kreun?

Është një kampionat shumë i vështirë dhe normalisht që ne jemi për titull me grupin që kemi. Janë pesë ekipe në garë që nuk kanë shumë diferenca. Mundësitë i kemi, pasi jemi një skuadër me lojtarë me eksperiencë që janë mësuar me trofe e gjithashtu të rinj të talentuar. Kemi një staf të mirë dhe një presidencë që na ka mbështetur për çdo gjë. Do bëjmë të pamundurën që ta sjellim këtë trofe të shumëpritur për tifozët dhe qytetin e Durrësit.

Të shtunën luani kundër Kastriotit. Çfarë prisni?

Kastriotin e vlerësojmë maksimalisht, pasi ka një ekip që luan me shumë dëshirë. Është një nder ekipet që të hap probleme, por ne duhet të fitojmë patjetër.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"