Ndreu nuk i zë besë Dinamos, Kastrioti kërkon me ngulm rikthimin te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2020 | 10:11

Ndreu nuk i zë besë Dinamos, Kastrioti kërkon me ngulm rikthimin te fitorja

Barazimi në transfertë me Burrelin dhe humbja në Kupën e Shqipërisë duhen lënë pas krahëve nga Kastrioti. Trajneri Ramazan Ndreu bën thirrje për kujdes sot ndaj Dinamos, sepse nuk është më ajo e para. Krutanët kanë disa mungesa, por duhet të kthehen te fitorja për të ruajtur apo thelluar distancën me vendin e dytë. 

ramadan ndreu

“Në Burrel ishte një ndeshje që duhet ta fitonim, pavarësisht se ishte e vështirë ndaj një kundërshtari të fortë, që u ka nxjerrë shumë probleme të gjitha skuadrave. Ajo ndeshje ka ikur, jemi sërish në krye dhe na del për detyrë që ndeshjen me Dinamon të jemi shumë të kujdesshëm.

Kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe dhe ua kam bërë të ditur lojtarëve se është një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë dhe duhet vlerësuar. Dinamo ka ndryshuar për mirë, pavarësisht humbjes së fundit. Kemi mungesa, por lojtarët e gatshëm mezi presin të marrin minuta, kështu që kam besim se do të fitojmë”, shprehet Ndreu.

KUPA – “Nuk e përballonim dot Tiranën, ndaj thjesht donim ta shfrytëzonim maksimalisht atë ndeshje për të përmirësuar diçka dhe për t’u dhënë mundësi të rinjve, që të jemi edhe ne të sinqertë me veten dhe me lojtarët që e meritojnë të jenë në skuadër. Ky ishte objektivi, jo se do të eliminonim Tiranën, duke ditur që ndeshja e parë ishte në favorin e tyre. Dy ndeshjet e Kupës na kanë shërbyer për të mbajtur kondicionin dhe për të parë diçka në raport me lojtarët”, ka shtuar trajneri krutan.

SITUATA – “Barazimi në Burrel dhe eliminimi nga Kupa nuk kanë pasur ndikim, jemi të përgatitur për pjesën e mbetur të kampionatit. Duhet kujdes, sepse nuk mund të marrim ‘kolpo’, siç mund ta quajmë barazimin e fundit. Kemi disa mungesa dhe kuptohet që çdo lojtar i formacionit ka peshën e vet, por pres nga kushdo që të aktivizohet të japë më të mirën. Disa lojtarë kanë pasur probleme shëndetësore për shkak të virozave të stinës. Në dyshim janë mesfushori Basha dhe sulmuesi Marku”, ka thënë trajneri Ndreu.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"