Ndreu: Në Ballsh të barabartë, i pres të tria rezultatet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2023 | 12:00

Ndreu: Në Ballsh të barabartë, i pres të tria rezultatet

Kastrioti i Krujës ka koleksionuar trepikëshin e parë të mërkurën ndaj Luzit të Kavajës, duke kaluar në vendin e shtatë me 6 pikë.

ramadan ndreu

Trajneri Ramadan Ndreu i ka shfrytëzuar 100% kapacitetet me lojtarët në tri seancat e zhvilluar për takimin e radhës, ndërkohë që e djeshmja është shfrytëzuar për një miniseancë paradite, ku kanë asistuar të gjithë titullarët përveç Enea Kukës, që ka thyer krahun e do t’i duhen disa javë rikuperim për të qenë i gatshëm. Kampi i krutanëve duket i qetë ditët e fundit, sidomos pas fitores tri ditë më parë me Luzin, 1-0 në “Redi Maloku”.

Kjo fitore, sikurse ka deklaruar më parë vetë Ndreu, erdhi pas një loje të mirë, por mund të ishin shënuar edhe gola të tjerë. Për këtë, në një farë mënyre, ai ka fajësuar sulmin. Ndërkohë që ka pranuar se pjesa dërrmuese e lojtarëve janë të rinj 19-20- vjeçarë. Sipas tij, këta të fundit me kalimin e ditëve do të kenë të tjera rezultate.

“Koha për përgatitjen e takimit të radhës ka qenë shumë e limituar, vetëm dy ditë. Gjithsesi, lojtarët kanë marrë ngarkesat e duhura për ta përballuar me sukses këtë transfertë. Jemi dy ekipe që një sezon më parë kemi luajtur në Superiore. Në Ballsh do të shkojmë si të barabartë. Kundërshtari ka lojtarë cilësorë dhe ka gjithë respektin tonë. Jemi përgatitur për të tri rezultatet, por objektivi ynë është të mos dalim pa pikë. Gjithsesi, le të fitojë më i miri në fushë”, tha Ndreu për takimin që do të luhet ditën e diel në orën 14:00 në qytetin e Ballshit.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"