Ndodh në Kategorinë e Parë/ Nuk llogaritën kartonët, futbollisti që do luante titullar përfundon në tribunë për një keqkuptim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2023 | 21:57

Ndodh në Kategorinë e Parë/ Nuk llogaritën kartonët, futbollisti që do luante titullar përfundon në tribunë për një keqkuptim

Tomori pati një mungesë të madhe kundër Tërbunit. Adetola Vahab Laval kishte gjithë javën që llogaritej si titullar, por për habinë e të gjithëve përfundoi në tribunë ditën e ndeshjes. Shkaku është vërtetë sa absurd aq edhe qesharak, që nuk i shkon për shtat një klubi profesionist. Beratasit nuk e dinin që lojtari i tyre e kishte plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhëve dhe rrjedhimisht nuk mund të luante.

TOMORI-TERBUNI

Duhet të njoftoheshin prej zyrtarëve të FSHF-së, që të bënin këtë ndryshim në limite. Edhe pse jemi duke folur për një ekip me histori gati 100-vjeçare dhe me shumë traditë, të kundërtën kanë dëshmuar në këtë rast. Është vetë 19- vjeçari që zbuloi për “Panorama Sport” arsyen pse nuk luajti ndaj pukjanëve.

“U ndjeva shumë keq që e ndoqa takimin nga tribuna, pasi ndodhi një keqkuptim. Unë nuk i kisha llogaritur mirë kartonët e verdhë, dhe po kështu edhe personi i ngarkuar për këtë punë në ekipin tonë. Unë dhe stafi teknik u përgatitëm së bashku gjatë gjithë javës, por në fund mësuam që kisha plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë nga përfaqësuesi zyrtar i FSHF-së.

Kjo më detyroi që të hipja në tribunë dhe të vuaja faktin që nuk mundesha dot të ndihmoja skuadrën në fushë. Më erdhi mirë që fundi i ndeshjes ishte i lumtur dhe për fitoren festova bashkë me tifozët dhe skuadrën. Tani po përgatitem që të bëj më të mirën përballë Dinamos në Tiranë”, tha fillimisht sulmuesi. Afrikani, sidoqoftë, e ezauroi skualifikimin dhe tani është gati për stafin teknik. Ai do të jetë në fushë kundër Dinamos, ndeshje që luhet në “Selman Stërmasi” të dielën.

TOMORI TRIBUNA

“Jam i lumtur që do të rikthehem në fushë në ndeshjen me Dinamon dhe besoj se do të jap kontributin tim për të ndihmuar skuadrën që të shkëputim një rezultat pozitiv. Mendoj se nuk do të jetë e lehtë, por as e pamundur, për mundësitë që kemi si skuadër.

Në një fushë të mirë dhe me mbështetjen e tifozëve tanë, do të luajmë ashtu sikurse ne dimë dhe do të shprehim mundësitë tona, sepse të gjithë do të japim gjithçka që të bëjmë figurë pozitive. Jemi në formën tonë më të mirë dhe unë besoj se pika është e mundur me kryesuesit”, përfundoi Laval.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"