Ndëshkoi Dinamon në shtesë, Jazxhi: Ky ekip prodhon “magji”, ja pse festuam te kabina e VAR-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2023 | 22:04

Ndëshkoi Dinamon në shtesë, Jazxhi: Ky ekip prodhon “magji”, ja pse festuam te kabina e VAR-it

Pa zhurmë në merkato dhe me elementë të rinj, mund të themi se Teuta është surpriza e këtij edicioni. Durrsakët vuajtën, por ia dolën që të merrnin tri pikë të plota në “Elbasan Arena”, përballë Dinamos. Edhe pse në disavantazhin e dy golave, djemtë e Edi Martinit arritën që të përmbysnin rezultatin, teksa vendimtar në minutën e 97-të ishte Artan Jazxhi.

Jazxhi

Goli i mbrojtësit i dhuroi fitoren Teutës, ndërkohë në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se ekipi kishte besimin e duhur për të reaguar ndaj Dinamos. “Emocione të papërshkrueshme”, thotë Jazxhi për një mbrojtës që të shënojë në atë minutë dhe t’i japë fitoren ekipit, ndërsa shpjegon edhe arsyen pse festoi te kabina e VAR-it pas golit.

Arritët një fitore ndaj Dinamos, sa besonit te përmbysja e rezultatit?

Më vjen mirë për fitoren ndaj Dinamos, sepse treguam karakter. Në të gjithë ndeshjen krijuam shumë raste dhe në fund na duhej një “magji” për ta fituar, këtë e prodhuam të gjithë si skuadër. Jemi të lumtur sepse kaluam një moment të vështirë, kishim humbur me Erzenin dhe nëse kërkon të jesh në majë atëherë duhet të fitosh në të gjitha mënyrat. Jam me të vërtetë shumë i lumtur për këtë fitore.

Në sekondat e fundit arritët të shënonit me një qetësi duke i dhënë tri pikët Teutës…

Emocionet ishin të mëdha, duke parë se si shkoi ndeshja. Ishte një sfidë e çmendur dhe pashë te djemtë një vetëbesim të madh dhe dhamë maksimumin. Është emocion i papërshkrueshëm për mua si mbrojtës të dal në sulm dhe t’i jap fitoren skuadrës në fund.

Goli juaj i fundit ishte sezonin e kaluar ndaj Egnatias në minutën e 97-të, shënoni sërish ndaj Dinamos në minutën e 97-të. A është Jazxhi lojtari i ndeshjeve të mëdha?

(Qesh) Rastësi e bukur mund të them. Emocionet që të dhurojnë të tillë gola, janë vërtet të papërshkrueshme. Jam shumë i lumtur që, mbi të gjitha, arritëm të fitonim dhe kur përmbys takimin është një ndjesi edhe më e bukur…

Pse festuat pranë kabinës së VAR-it?

Nuk kisha qëllim të festoja aty, drejtimi qëlloi që ishte drejt VAR-it dhe djemtë më shtynë, vetëm kaq.

Pas kësaj fitoreje, a ka në ekip eufori dhe mos ndoshta mund të ndikojë për keq ndaj Partizanit?

Mendoj që si unë e të gjithë çunat janë me këmbë në tokë. Këtë gjë e kemi folur gjatë gjithë kohës. Ne e dimë që kampionati është i gjatë. Nuk kemi fituar asgjë. Në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një, siç kemi bërë gjithmonë. Ne jemi gati për të dhënë 100%.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"