Muzaka merr fanellën me numrin 14: Do t’i fitoj zemrat e tifozëve të Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2012 | 14:33

Muzaka merr fanellën me numrin 14: Do t’i fitoj zemrat e tifozëve të Flamurtarit

Gjergji Muzaka është prezantuar dje si lojtari i ri i Flamurtarit, teksa ka zhvilluar edhe stërvitjen e parë nën urdhrat e trajnerit Shkëlqim Muça. Pasi ka shtrënguar duart me futbollistët kuqezinj, drejtuesit e klubit dhe pjesëtarët e stafit teknik, mesfushori tiranas ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”. 28- vjeçari tregon pse zgjodhi ta vazhdonte karrierën me Flamurtarin. Ai është i bindur se do t’i fitojë shumë shpejt zemrat e tifozëve vlonjatë, të cilët në fakt e kanë kontestuar jo pak, kur ishte pjesë e Skënderbeut në dy sezonet e fundit. Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh blerja e bujshme e Flamurtarit:
Mes Levadhiakosit në Greqi, por edhe Skënderbeut e Tiranës, cilat ishin arsyet që iu bindën për të zgjedhur në fund Flamurtarin?
Është e vërtetë që kisha disa mundësi, por tani e them me bindje se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Mendoj kështu, duke pasur parasysh të gjitha aspektet. Sigurisht, nuk mund ta mohoj që jam nisur nga ana financiare, por edhe ajo sportive. Për mua Flamurtari është një sfidë e re dhe unë zgjodha që të luftoja për një ekip kompetitiv, i cili synon të fitojë titullin kampion.
Si ka mundësi që transferimi tuaj u bë gati-gati një “telenovelë”?
U zvarrit zyrtarizimi, pasi unë doja të bëja zgjedhjen e duhur. Më kuptoni, për një lojtar titullar që është edhe pjesë e Kombëtares, ndonjëherë është e vështirë të zgjedhësh.
Cili është objektivi juaj te Flamurtari?
Unë dua që Flamurtari të jetë kampioni i këtij sezoni. Synoj të përsëris fitimin e titullit me Skënderbeun dhe Tiranën.
Është e vërtetë që keni njohje të vjetra, si me presidentin Gjika, ashtu edhe me trajnerin Muça?
Po, e vërtetë. Unë kam shumë respekt për presidentin Gjika, por gjithashtu edhe ai për mua. Besoj se gjithë këtë respekt do t’ia shpërblej me atë që do të jap në fushën e lojës. Edhe me trajnerin Muça kam njohje të vjetra. Ai ka insistuar shumë, bashkë me zotin Gjika që unë të vija te Flamurtari.
Gjatë sezoneve të fundit ju jeni kontestuar shpesh nga tifozët vlonjatë, veçanërisht kur keni qenë pjesë e Skënderbeut. Çfarë do të bëni për t’i kënaqur sportdashësit?
Unë kudo që kam shkuar, tifozët më kanë respektuar. Kam bërë më të mirën aty ku kam qenë. Gjithnjë kam dhënë maksimumin për objektivat e skuadrës. Për sa i përket kësaj që ju thoni, mendoj se nuk jam kontestuar vetëm unë. Çdo skuadër dhe çdo lojtar kontestohet, kur shkon në një qytet tjetër. Është ndryshe tani që luaj me fanellën e Flamurtarit. Shumë shpejt do t’i fitojë zemrat e tifozëve vlonjatë. Për këtë jam shumë i bindur.
Ndërkohë, në Korçë janë zhgënjyer për zgjedhjen që ju keni bërë?
Futbolli kështu e ka. Unë e thashë edhe më lart, bëra zgjedhjen e duhur. Skënderbeu është skuadra në të cilën mbylla sezonin dhe nuk mund ta mohoj se jam ndjerë shumë mirë. Ishte një grup me lojtarë cilësorë. Falënderoj shokët, me të cilët kam punuar, por edhe drejtuesit për besimin. Më lejoni që të falënderoj edhe klubin e Tiranës për interesimin. Te ky ekip më kanë trajtuar shumë mirë.
Tashmë që jeni si kundërshtarë, si e mendoni Skënderbeun pas ndryshimeve të fundit që ndodhën në këtë ekip?
Nuk mund të jap një koment. Di që ka ikur presidenti Zeqo, me të cilin kishim një marrëdhënie të mirë, por edhe shumë ndryshime nuk janë bërë. Tani do të fokusohem vetëm te Flamurtari.

Fanella me numrin 14
Gjergji Muzaka duket se ka hequr dorë nga numri 17 në fanellë, i cili konsiderohej si fatsjellës për lojtarin. Në stërvitjen e parë me kuqezinjtë, mesfushori është parë me numrin 14 mbi shpinë. Aktualisht te Flamurtari numri 17 mbahet nga Bruno Telushi. Mësohet se edhe mesfushori vlonjat është i fiksuar pas këtij numri. Ndoshta, ndonjë konsensus mes lojtarëve do të bëjë që blerja e re e Flamurtarit ta mbajë sërish numrin 17 në fanellë.

Arbri dhe Lena, me dëmtime të lehta
Mbrojtësi beratas i Flamurtarit, Polizoi Arbri, nuk u aktivizua në ndeshjen miqësore ndaj Tiranës, për shkak të një dëmtimi që kishte pësuar pak ditë më parë në stërvitje. Mirëpo, gjatë testit në kryeqytet është lënduar edhe mesfushori Nijaz Lena. Ky i fundit ka pësuar një goditje në brinjë, por gjithsesi stafi mjekësor garanton se dy lojtarët do të jenë shumë shpejt në dispozicion të trajnerit Shkëlqim Muça. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit është në gjendje të mirë. Tashmë pritet që të shtunën, në orën 18:00, Flamurtari të zhvillojë miqësoren e radhës, këtë herë ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës. Të shtunën tjetër pritet të luhet edhe miqësorja e fundit, teksa kundërshtar do të jetë Apolonia. Këto ndeshje do t’i shërbejnë trajnerit Muça për të kristalizuar formacionin bazë. Edhe pse në masën 90% titullarët janë fiksuar tashmë, ka dilema, sidomos në mbrojtje dhe mesfushë.

Blofi i lojtarit
Gazeta “Panorama Sport” kishte paralajmëruar që më 24 prill nisjen e tratativave mes drejtuesve të Flamurtarit dhe Gjergji Muzakës. Mirëpo, çuditërisht, pasi lajmi u botua në gazetë, një ditë më pas Muzaka doli në konferencë për shtyp dhe përgënjeshtroi gjithçka, duke deklaruar se nuk kishte asnjë shans që ai të transferohej në Vlorë. Si përfundim ngjarjet rrodhën ashtu siç ishin shkruar më 24 prill dhe Muzaka firmosi te Flamurtari.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"