Muzaka flet për vendimin: Nuk doja ta mbyllja me pengje pas 17 viteve, ja pse s’u bëra “Hamza”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 13:43

Muzaka flet për vendimin: Nuk doja ta mbyllja me pengje pas 17 viteve, ja pse s’u bëra “Hamza”

Gjergji Muzaka është rikthyer në Korçë dhe menjëherë ka dalë para mediave për të treguar arsyet e këtij vendimi. Nga salla e konferencave për shtyp, Muzaka shpjegoi se ishte një çështje morali që e riktheu te Skënderbeu, duke vijuar më tej se edhe nëse “vdesin” në betejë, të paktën do të “vdesin me nder”, duke iu referuar kështu vendimit të UEFA-s që klubi e ka apeluar në KAS dhe pret që të njihet me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit në Lozanë.

gjergj muzaka

Gjergji i Skënderbeut nuk u bë “Hamza”, vlen nëse shprehemi kështu?

Para se të merrja këtë vendim nuk është se u mendova gjatë, por që ta analizoj nga fillimi po tregoj mendimet e mia në këto ditë. Erdha te Skënderbeu në vitin 2010 kur u krijua ky ekip i mrekullueshëm dhe besoj se kam qenë pjesë e pandashme e sukseseve që ka arritur ky ekip ndër vite. Të gjithë ne që kemi qenë pjesë e këtij grupi e ndienim për obligim të qëndronim edhe tani që kemi betejën më të vështirë. Ashtu siç ka momente të mira, normalisht, pas këtij dënimi ka edhe momente të vështira që duhet t’i kalojmë të gjithë bashkë.

Gjatë kësaj kohe janë larguar gati 40 për qind e formacionit bazë. Si e shikoni Skënderbeun e sezonit të ri?

Normalisht që janë larguar sportistë, ashtu siç u largua dhe trajneri. Në radhë të parë i falënderojmë shumë, pasi kanë dhënë shumë për këtë ekip sidomos edhe vitin e fundit, ku ne kemi bërë hapin më të madh si në Europë ashtu edhe në Shqipëri. Megjithatë, nuk duhet t’i gjykojmë, pasi siç e dimë karriera e futbollistit është e shkurtër dhe ata kanë pasur arsyet e tyre që kanë bërë këtë zgjedhje. Në një kampionat nuk është e thënë që të fitohet me 20 pikë apo 10 pikë para. Tani kemi një luftë më të vështirë përpara sesa ky objektiv për të fituar titullin.

Edhe ata që kanë qenë këtu para jush kanë bërë një deklaratë të ngjashme. Kjo do të thotë se ekipin e shihni akoma të fortë?

Ne normalisht me këtë grup që kemi, është normale që të vijojmë drejt sukseseve. Megjithatë, unë do të fokusohem te fakti që ky nuk është objektivi primar i joni.

Këto ditë keni pasur ofertë nga Flamurtari që ka si trajner Dajën, i cili ju donte me ngulm, por vendosët të vinit në Korçë. Përse kjo zgjedhje?

Po, është e vërtetë që jam i nderuar dhe i vlerësuar që trajneri Daja më ka kërkuar shërbimet dhe e falënderoj publikisht, pasi një meritë e madhe e ecurisë dhe vlerave të mia të shtuara ka qenë edhe ai sezonin e kaluar. Si në pozicionimin tim në fushë, ashtu edhe në vlerësimin ndaj meje. Ne kemi një betejë më të madhe këtu dhe në 17 vite karrierë si futbollist, kurrsesi nuk do ia lejoja vetes ta mbyllja karrierën me pengje. Do të ishte peng i madh nëse do të largohesha tani.

Ndiheni i qetë tani që keni bërë këtë zgjedhje?

Sigurisht që po, pasi ky ekip më ka dhënë shumë dhe tani që zgjodha të jem këtu, ndihem i qetë dhe krenar që zgjodha Skënderbeun. E thashë edhe më sipër, në këto momente kur është dhe fundi i karrierës nuk mund ta braktisja këtë luftë në fund. Nëse në thonjëza do të thoshim që do të “vdesim” në këtë betejë, të paktën do të vdesim me lavdi.

Ana financiare iu bëri të kishit dilema?

Kanë qenë shumë arsye që ka ardhur ky vendim për t’u rikthyer. Normalisht, dhe shumë bisedime ku peshën kryesore e kishte presidenti Takaj, që vendosi të japë garanci për vijimësinë e këtij ekipi, duke bërë sakrificë si i pari i familjes. Por, nëse ka pasur shumë arsye, ana financiare ka qenë e fundit.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"