“Mungon defibrilatori”, një tjetër mjek largohet nga Tomori. Sulejmani: Nuk mundem të rrezikoj më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2023 | 16:40

“Mungon defibrilatori”, një tjetër mjek largohet nga Tomori. Sulejmani: Nuk mundem të rrezikoj më

Tomori është në hall të dyfishtë. Sikur të mos mjaftonte fakti që mbyllin renditjen dhe rrezikojnë seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë, kanë mbetur edhe pa mjek. Është thënë dhe stërthënë, që në ekip nuk ka një doktor dhe shpeshherë marrin “borxh” ndonjë në Spitalin Rajonal të qytetit. Kjo ndodh vetëm për ndeshje zyrtare, pasi në stërvitje nuk mbikëqyren nga asnjë specialist i fushës.

mjeku i tomorit

Kështu ka ndodhur në takimet e fundit që kanë luajtur në kushte shtëpie (me Lushnjën dhe Vorën). Kjo ka qenë zgjidhja e vetme për të përmbushur kërkesat rigoroze të FSHF-së dhe sidomos pas rastit “Duamena”. Çështja qëndron diku tjetër dhe këtë shqetësim e ngre Kahreman Sulejmani, mjeku që i ka qëndruar pranë ekipit në përballjet e fundit. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai konfirmon zyrtarisht largimin e tij dhe rrëfen shkaqet. Në klub nuk kanë asnjë lloj aparature dhe kjo ia bën të pamundur që të vazhdojë të qëndrojë pranë Tomorit. Konkretisht ai thotë që mungon defibrilatori dhe mendon se mund të justifikohet kjo pjesë, me afërsinë e stadiumit me spitalin.

FLET MJEKU – “Kam qenë i pranishëm në dy ndeshjet e fundit zyrtare të Tomorit, si mjek i atashuar i skuadrës. Kam nënshkruar me përgjegjësi të plotë asistencën time mjekësore. Kurdoherë që më është kërkuar ndihma nga ana e klubit, nuk kam refuzuar. Isha informuar, se përpara meje, një koleg nga reparti i urgjencës në spitalin rajonal, ishte larguar nga kjo përgjegjësi për arsyet që i di vetëm ai. Unë isha i pranishëm në dy ndeshje zyrtare të Tomorit, por pas ndeshjes së fundit me Vorën, kam vendosur që të mos shkoj më në stadium si mjek. E kam marrë këtë vendim dhe shkakun ia kam bërë të ditur edhe administratorit Ismet Ajazi.

Mungesa e aparaturave të domosdoshme në dhomën e mjekimit në stadium dhe më konkretisht të një defibrilatori, kanë ndikuar në tërheqjen time definitive. Logjika në këtë rast është tepër e thjeshtë. Unë nuk dua të ngarkohem moralisht, pasi profesioni nuk ma lejon një aventurë të tillë, por as edhe nuk dua të ngarkohem penalisht në rastin më të keq të mundshëm. Ia kam thënë edhe administratorit, që vetëm një herë ndodh e keqja. Nuk mund të turpërohemi se nuk kemi kushte. Defibrilatori është mjaft i rëndësishëm dhe afërsia midis stadiumit dhe spitalit nuk mund të justifikojë mungesën e saj. Ndihma e parë në rast rreziku duhet të vijë në ambientet e stadiumit.

Unë kur vajta dy ndeshje nuk llogarita aspak interesin financiar, edhe pse ai nuk m’u afrua kurrë, por llogarita jetën e një futbollisti që është primare. Dua të mbroj parimet e mia profesionale dhe humane, ndaj dhe nuk do të jem më në asnjë ndeshje të Tomorit si mjek ekipi”, ka përfunduar mjeku Sulejmani.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"