Miqësorja, Tirana mposhtet në derbin me Tiranën. Dede: Do t’i spastroj ata në provë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 8, 2013 | 10:39

Miqësorja, Tirana mposhtet në derbin me Tiranën. Dede: Do t’i spastroj ata në provë

Tirana-DinamoTIRANA-DINAMO 1-2
GOLAT: Kastrati 50′ (11-m) / Djarmati 21′, Capo 40′
TIRANA: Çaka, Hyska, Marku, Thaçi, Shima, Kastrati, Hysenbelliu, Çaçi, Sorra, Strakosha, Hoxha; Trajner: N.Dede. U aktivizuan: Sejdo, Sina, Llënga, Kalari, Taku, Peposhi, Fernandez, Syla, Çota.
DINAMO: Lamellari, Sekseni, Traga, Beqiri, Tafaj, Djarmati, Lluka, E.Muça, Mersini, Lushaj, Agastra; Trajner: D.Mehmeti. U aktivizuan: Capo, Kule, Dosti, Sejdini, Rakipi, Turtulli, Ferhati.
GJYQTARË: A.Beqiri, N.Bregasi, A.Shkreta (Tiranë)

Dinamo i kthen reston Tiranës. Blutë kanë fituar 2-1 në miqësoren e luajtur dje në orën 18:00 në “Selman Stërmasi”, falë golave të shënuar nga Djarmati dhe Capo, të cilët neutralizuan penalltinë e kthyer në gol nga Kastrati. Nëse në testin e para një muaji bardheblutë bënë “poker”, këtë herë ishte ekipi i drejtuar nga Mehmeti që shijoi suksesin. Me një grup më të konsoliduar dhe që e qarkullonte më mirë topin u shfaqën blutë, ndërsa te Tirana, edhe pse u munguan, e patën të vështirë që të dilnin në lojën e tyre. Ky takim i shërbeu Nevil Dedes për të vulosur spastrimet në skuadër, që priten të jenë të shumta. Mbi 7 lojtarë, nga ata që u vëzhguan, prej ditës së sotme nuk do të jenë më në planet e stafit teknik, çka shton nevojën për të ndërhyrë në merkato. Pjesa e parë – Ndeshja nisi vrullshëm dhe me të dyja skuadrat në studim të njëratjetrës. Rastet e shumta nuk munguan në të dy kampet, ndonëse më agresivë u shfaqën blutë. I sapoafruari Hysko, në të 10-ën minutë gjuan me kokë, por nuk gjen kuadratin. Vetëm një minutë më vonë edhe Hoxha ka të njëjtin fat, i cili tenton dy herë radhazi, por pa rezultat. Por, atë që nuk e bëjnë bardheblutë, e konkretizojnë në mënyrën më të mirë blutë. Djarmati realizon një eurogol, teksa nga një goditje dënimi prej 25 metra distancë gjen lehtësisht kuadratin e mbrojtur nga Çaka dhe 0-1. Loja vazhdon dhe Tirana mundohet të reagojë, tenton Hoxha, pasi merr një top nga Çaço, por sërish jashtë. Në të 40-ën minutë vjen edhe goli i dytë për ekipin e Mehmetit, i cili pasi merr një asist nga Mersini, e dërgon atë në rrjetë dhe 0-2. Ka edhe disa minuta në dispozicion, por shifrat mbeten të pandryshuara. Pjesa e dytë – Ky 45- minutësh sjell lëvizje të shumta në formacionet e të dyja skuadrave. Loja bëhet edhe më e vrullshme, por më efektiv vazhdojnë të jenë dinamovitët. Megjithatë, në të 50-ën minutë, një ndërhyrje e gabuar në zonë kundër Çotës, bën që gjyqtari të akordojë penallti. Kastrati nuk gabon dhe 1-2. Ndryshimet në 11-she vazhdojnë, teksa si Dede ashtu edhe Mehmeti duan t’u japin shansin atyre që kishin të gatshëm në stol. Shanset që bardheblutë të barazonin u krijuan, por edhe pse Çota shënoi, arbitri sinjalizoi për pozicion jashtë loje. Sulmet dhe kundërsulmet vazhduan deri në fund, por në fund fitorja shkoi për Dinamon.

“Duhen blerje, do spastroj edhe ata në provë”
Nevil Deden më shumë se rezultati e ka shqetësuar loja. Ekipi nuk është aty ku ai kërkon. Ai e thotë hapur që koha nuk premton, ndonëse i duhen blerje. Gjatë fjalës së tij, dje për “Panorama Sport”, ai sqaroi se nga sot grupi do të reduktohet, pasi 7 apo 8 lojtarë që ishin në provë do të largohen. “Ju e shihni vetë gjendjen, nuk ka nevojë për shumë komente. Kjo miqësore është pjesë e përgatitores dhe ajo çka shqetëson, është e ardhmja. Nuk ka më kohë për të provuar lojtarë, ndaj nga nesër do mendoj vetëm për një grup të vogël futbollistësh, 12 ose 13. Sakaq, pjesa tjetër do të largohen. Nuk mund të stërvit më lojtarë që nuk do jenë pjesë e skuadrës. Duhen afrime, por ato s’po i bëjmë dot, pasi nuk i kemi financat. Nuk e di çfarë do të bëhet, megjithatë ne do vazhdojmë të stërvitemi. Kjo është gjendja, s’ka nevojë për më shumë fjalë”, – tha Dede, i cili prej ditës së sotme do të zyrtarizojë largimet. Ekipi do të zhvillojë vetëm një seancë paradite, ora 08:00, te Kodrat e Liqenit.

Mehmeti pret më shumë: Fituam, por gabuam
Dritan Mehmeti, trajneri i Dinamos, pas ndeshjes u shpreh i pakënaqur për lojën e të tijve. “Ndeshje pa shumë rëndësi, të paktën referuar rezultatit, pasi neve më shumë na intereson loja. Skuadra pati probleme gjatë pjesës së parë, por edhe në të dytën. Megjithatë, ky takim na shërbeu për të parë gjendjen në total të skuadrës dhe disa lojtarëve në veçanti. Jemi në kulmin e punës dhe duhet që të bëjmë korrigjimet e duhura, pasi kemi mjaft gabime dhe gjëra për të ndrequr. Për merkaton kemi ende kohë, ndërsa për lojtarët që janë në vëzhgim, e them hapur që do vazhdojnë të qëndrojnë vetëm ata që e meritojnë”, – tha Mehmeti.

Fernandez dhe Hysko në provë
Te Tirana dje u provuan Karlos Fernandez dhe Rigest Hysko. I pari është brazilian dhe luan në qendër të mbrojtjes. Lojtari 24-vjeçar pak ditë më parë u provua edhe te Besa, por nuk bindi. Nuk dihet nëse ai do vazhdojë te bardheblutë, ndonëse dje luajti shumë pak minuta. Ndërsa për beratasin Hysko situata është më ndryshe, pasi jo vetëm u aktivizua më shumë, por bëri një paraqitje relativisht të mirë.





www.minuta90.com