Mesfushori i Apolonisë: Në Ballsh për vazhdimësinë, jemi të sigurtë në “play off”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2024 | 11:41

Mesfushori i Apolonisë: Në Ballsh për vazhdimësinë, jemi të sigurtë në “play off”

Apolonia, pas fitores minimale me Luzin, kërkon vazhdimësinë edhe në sfidën e sotme, ku i pret derbi me Bylisin në stadiumin “Adush Muçaj”. Për mesfushorin Jasin Umar Rajab, ndeshja me Bylisin është e një rëndësie të veçantë dhe ekipi është i përgatitur për të fituar.

apolonia

Pas Luzit, a është momenti që Apolonia të mposhtë edhe Bylisin?

Morali është i duhuri. Fitorja me Luzin ishte një rezultat mjaft i mirë për ne, pasi erdhi pas një mungese të gjatë. Megjithatë, ekipi ka zhvilluar një ndeshje relativisht të mirë dhe mendoj se duhet të vijojmë me të tilla paraqitje edhe në Ballsh. Normalisht që është një transfertë mjaft e vështirë, pasi Bylisi ka një skuadër të fortë edhe me lojtarë cilësorë. Duhet të japim maksimumin, me qëllimin e vetëm, marrjen e 3 pikëve.

A është derbi ndeshja ku mund të testohet forca reale e Apolonisë?

Sfida me Bylisin do të ketë vështirësitë e veta. Së pari, luajmë me kryesuesit dhe së dyti, sepse janë ekipi më në formë, por edhe më i vështirë për t’u mundur, sidomos në fushën e tyre. Ne kemi punuar gjatë gjithë javës dhe jemi përgatitur për këtë transfertë delikate. Jemi gati dhe duelin me Bylisin nuk e shohim si vendimtare, por thjesht si ndeshja e radhës, ku duhet të tregohemi më të kujdesshëm dhe vigjilentë për të ruajtur vazhdimësinë.

Do të ishit të kënaqur edhe me një pikë në Ballsh?

Është një ndeshje që i ka të tria rezultatet brenda. Normalisht, ne do të futemi në fushë për maksimumin e pikëve, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Rivalët janë të prirur për të luajtur fort, megjithatë, Apolonia është e aftë dhe e denjë për t’u përballur me kryesuesit. Unë kam besim që do t’ia dalim.

A e ruani dot vendin për në fazën “play off” deri në javën e fundit?

Do të bëjmë gjithçka për të marrë maksimumin në çdo ndeshje deri në fund të sezonit. Kampionati është një maratonë e gjatë ku ka edhe pengesa, por për fatin tonë të mirë janë edhe 42 pikë në lojë. Skuadra e ka treguar që di dhe do të bëjë shumë mirë, pasi kemi qenë përherë në gjashtëshen e parë. Duhet të tregojmë pjekuri dhe maturi për të ruajtur paksa stabilitetin e krijuar që nga fillimi i sezonit. Ne do të mundohemi të kemi vazhdimësi.

Me ish-trajnerin Rodriges, por edhe me trajnerin Mërgjyshi jeni titullar i padiskutueshëm në mesfushë. Si ndiheni?

Ndihem shumë mirë dhe të qenurit titullar është vlerësimi i madh për mua. Më mbetet të punoj fort dhe të bëj edhe më mirë, pasi gjithmonë ka vend për përmirësim.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"